Cilët njerëz i duhen Kosovës?!

Opoja.net Opoja.net Opinione

Për dy decenie Kosova ka vuajtur për dy grupe të njerëzve, për ata që e duan shtetin, dhe për ata që dijnë të punojnë për bërjen e shtetit.
Të parët, ata që e duan shtetin, është pjesa më delikate e shoqërisë. Realisht, patriot e atëdhetarë kanë qenë vetëm ata, që për këtë Kosovë, sot nuk ndodhen në mesin tonë! Ata që dy dekada u shitën patriot e atdhetarë, ndërsa në anën tjetër plaqkitën dhe keqpërdorën pasurinë publike, si mund të jenë patriot e atdhetarë?!
Ata, që vërtetë e duan shtetin, ata që vërtetë janë atdhedashës, të tillët, jo që nuk e plaqkisin dhe keqpërdorin pasurin e vendit të vet, por japin edhe sa munden më shumë për shetin dhe shoqërinë.

Grupi i dytë, ata që dijnë të punojnë për ndërtimin e shtetit, nuk i mungojnë shoqërisë tonë. Por, të tillët janë mbetë në kryqëzimin e rrugës, të pa alternativë se nga të shkojnë. Të bëhesh pjesë e politikës, apo të qëndrosh largë saj, kur nga politika është sjellë kjo gjendje që kemi në shtet dhe shoqëri, është vërtetë e vështirë! Në këtë drejtim, pa dyshim, që është sfidë dhe guxim për çdo intelektual, që të vendos vlerat e veta në një treg politikë të padrejtë e imoral, por, edhe të qëndruarit largë saj, nuk është alternativë e mirë, kur shoqëria ka nevojë më së shumti për njerëz të dijtur dhe profesionist të mirëfilltë.
Demokracia e brishtë në shtetin tonë, administrata e ‘sëmurë’ shtetërore, orientimi i keq shoqërorë, etj. janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mos angazhimit të njerëzve të duhur në politikë.

Mos angazhimi i intelektualëve të mirëfilltë në politikë, ka mundësuar që politika sot, të ngelet në duart e njerëzve pa vlera akademike, jo profesionistëve, e për më tepër, njerëzve që u mungonë tërësisht morali njerëzor e intelektual. Andaj, shikuar nga kjo dioptri, sot politika kosovare është çveshur tërësisht nga etika.
Mos angazhimi i intelektualëve shpeshherë është i pakuptimtë. Në vitet e 90-ta, kur mendimi politikë i shqiptarëve është përndjekur, kur shqiptarët janë burgosur e torturuar për shkak të mendimit politikë të tyre, megjithatë, klasa intelektuale ka qenë e angazhuar dhe nuk është ndalë as nga ai represion i egër i okupatorit serbë.
Sot, kur jemi në liri, kur mendimi politikë është i lirë dhe i pa ndikuar, klasa jonë intelektuale qendron indiferente ndaj politikës dhe proceseve të ndryshme në shoqëri.
Qasja politike e këtyre njëzet viteve të pasluftës, mund të ndryshoj vetëm nëse kemi një angazhim të shtuar të intelektualëve në politikë. Rehatia e gjetur në një vend pune në institucione, është rehati e përkohshme, ose rehati për disa individ. Shoqëria kosovare ka nevojë për një rehati të përgjithshme, zgjidhjen e problemeve nga të cilat vuan e gjithë shoqëria e jo individi. Ai që e ndjen vehtën të rehatuar në një pozitë shtetërore, duhet të mendoj të ardhmën e fëmijëve të tij, dhe të shumë të tjerëve që vazhdojnë të enden rrugëve, dhe jo vetëm zgjidhjen personale. Rruga që kemi ndjekur për gjetjen e rehatis personale, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, ka sjellë problemet e shumta në shoqëri, zgjidhja e të cilave tash për tash është sfida më e madhe e institucioneve shtetërore.

Në këtë mënyrë, ne nuk e kemi dashur dhe nuk kemi punuar për shtetin, por vetëm për realizimin e interesave personale e grupore. Shteti, është një e mirë e të gjithë atyre që jetojnë në atë shtet, por këto dy dekada shteti është kthyer në një të mirë të disa individëve, dhe në shërbim të disa grupeve të njerëzve që kanë plaqkitur dhe kanë keqpërdorur çdo të mirë të këtij shteti. E ardhmja, ngelet në duart tona nëse duam të ndryshojmë këtë qasje ndaj shtetit, ose të dorëzohemi para kësaj të keqeje.

Shkruan: Fatmir HALILI

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-