Ditari i Kuranit Lajmi më i rëndësishëm

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Në fjalor fjala “lajm” do të thotë: “Informacion që përçohet në mendjen e njeriut nga jashtë. Ndodhi e re, fjalë e përçuar gojë më gojë”.

Këtu do të trajtojmë dy ajete fisnike prej Kuranit si burimi i dijes, të cilat janë shembull në lidhje me lajmet për të shkuarën dhe të ardhmen. I pari prej këtyre ajeteve ndodhet në suren Nisa, ku urdhërohet:

“Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa, 69)

Këtu duhet të tërheqim vëmendjen se në mënyrë të veçantë, ky ajet fisnik ka sjellë një lajm që i intereson gjithsecilit. Kjo, sepse për ata që bëjnë një jetë brenda kornizës së bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.), duke e peshuar çdo punë dhe çdo orientim të tyre në “peshoren e kënaqësisë hyjnore”, në këtë ajet jepet myzhdeja se Allahu do t’u japë mirësi në Xhenet dhe se do të jenë së bashku me profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe njerëzit e drejtë. Ata që ndjekin moralin e Profetit (a.s.) dhe robërve të devotshëm të Allahut, duke ecur në gjurmët e tyre, në botën tjetër do të jenë bashkë me ata të cilët i kanë marrë si shembull. Kjo ka vetëm një kusht gjithëpërfshirës, që është: “Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.)”

Me të vërtetë që ky ajet, është një myzhde e madhe që u jep shpresë zemrave të besimtarëve. Është një synim i lartë që nuk mund të krahasohet me asnjë vlerë të kësaj bote dhe një fitim i përjetshëm për të cilin ia vlen të durosh të gjitha vështirësitë. Ky ajet është me kuptim të gjerë dhe gjithëpërfshirës, sepse ai nënkupton se, “çdo besimtar i devotshëm është prej familjes së Muhamedit (a.s.)”. Dhe, të gjithë kanë mundësi të barabarta për të arritur ose për t’i humbur plotësisht këto pozita të larta që lajmërohen në ajet…

Ajeti i dytë për të cilin folëm më sipër, ndodhet në suren Al-i Imran, ku urdhërohet: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve…” (Al-i Imran, 77)

Domethënë se ata që e shesin për pak gjë premtimin që i kemi dhënë Allahut në botën e shpirtrave dhe që këmbëngulin në mohim dhe gjynahe, në Ditën e Gjykimit, Allahu nuk do të interesohet fare për ta, nuk do t’i pastrojë nga gjynahet dhe nuk do t’i shohë fytyrat e tyre me mëshirë.

Po ashtu, edhe ky ajet fisnik, duhet të shihet si një lajm që u intereson të gjithëve, në aspektin e meritimit të dënimit apo të shpëtimit.

Tani, kur i mendojmë këto dy ajete të marra së bashku, kuptojmë se tabloja e së ardhmes që na shfaqet në Fjalën e Allahut, bëhet më e qartë. Nga një anë, ndërkohë që ata të cilët jetojnë brenda kornizës së bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.), bashkohen me ata që Allahu u ka dhënë mirësi, nga ana tjetër, ata të cilët nuk i afrohen bindjes, do të bien larg mëshirës së Allahut sipas largësisë që kanë ata me Të.

Atëherë, ata të cilët kanë mendje dhe logjikë, duhet të përpiqen të arrijnë pozitat e larta për të cilat bëhet fjalë në ajetin e parë dhe të ruhen prej përfundimit të keq që përmendet në ajetin e dytë. Cilado prej pikave të mësipërme të bëhet, ajo do të ndodhë sipas zgjedhjes dhe përpjekjes personale.

Mendoni: Ndodheni në një mbledhje të rëndësishme midis njerëzve që do të marrin vendime të rëndësishme në një ditë historike. Kryetari i mbledhjes dhe i plotfuqishmi i atij vendi nuk merret fare me ju. Madje, juve ju deklarojnë person të padëshiruar…

Asnjë njeri që zotëron cilësinë e dallimit të së mirës nga e keqja, nuk mund ta pranojë diçka të tillë, qoftë edhe në çështjet e kësaj bote. Pra, si mund ta pranojë ai një rrezik të tillë që do të bëhet shkak i humbjes së përjetshme? Cila pozitë apo cili përfitim mund ta çojë atë në një zgjedhje të tillë? Ose mund të pyesim edhe kështu: A mund të krahasohet lumturia e paqes që na jepet në tablonë e ajetit të parë me dënimin dhe poshtërimin që përshkruhet në ajetin e dytë?

Përfshirja e shembujve mësimdhënës prej popujve të shkuar midis lajmeve në Kuranin Fisnik, është për të treguar se nevojat themelore nuk ndryshojnë me kalimin e kohës dhe se dobësitë dhe dëshirat janë po të njëjtat. Nisur nga kjo, njeriu duhet ta ketë gjithmonë parasysh fundin e hidhur të humbësve dhe shpërblimin që do të marrin të mirët, duke u përpjekur ta rregullojë jetën e tij.

Fakti se këto lajme janë në lidhje me ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen, i ruajnë ato gjithmonë aktuale e të freskëta për të na tërhequr vëmendjen, gjë e cila kërkon një vëmendje edhe më të veçantë. Kjo, sepse ende nuk është paraqitur mundësia për t’u përpjekur në arritjen e rezultatit të dëshiruar dhe ato që mund të bëhen për t’u ruajtur prej rreziqeve të atyre që do të ndodhin patjetër, ende nuk janë konsumuar. Mund të thuhet se të gjitha lajmet në Kuran janë tabela paralajmërimi, që këshillojnë vlerësimin e çdo çasti në mënyrën më të mirë për t’u përgatitur për të ardhmen, duke pasur parasysh të shkuarën.

Nisur nga kjo, ajetet që kanë të bëjnë me temën tonë, na njoftojnë për lajmet më të rëndësishme që janë duke u afruar, duke i kujtuar njeriut se do të përballet patjetër me njërën prej dy mundësive. Qëllimi ynë është që në këtë kohë, kur radhitja e rëndësisë së gjërave në mendjen tonë është çorientuar, të rikujtojmë se edhe fitimi, edhe humbja janë të pakthyeshme.

Lexo/Mendo

Çdo të thotë “Jeumu’d-Din / Dita e Fesë (e Gjykimit)”?

Pyetjen e titullit të shkrimit, e bën Allahu i Madhëruar: “E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit? Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit?” (Infitar, 17-18) Ndërsa në ajetin tjetër në vijim, Allahu i Madhëruar, urdhëron: “Ajo është Dita, kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe, kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut.” (Infitar, 19) Këtu, njoftohemi se “Jeumu’d-Din”, është dita e shpërblimeve për çdo gjë që është bërë në këtë botë.

Mund të themi se Allahu i Madhëruar dëshiron që të mos harrohet fakti se çdo gjë regjistrohet dhe për çdo gjë që veprohet, e mirë apo e keqe qoftë, do të jepet llogari. Allahu na e kujton në mënyrë të përsëritur se, në Ditën e Gjykimit, të mirët do të hyjnë në mirësitë e Xhenetit, ndërsa të këqijtë do të dënohen me zjarrin e Xhehenemit.

Do të vijë një ditë, kur nuk do të bëjë dobi as pasuria dhe as fëmijët. Njeriu do të ketë dobi vetëm prej besimit dhe veprave të sinqerta. Dhe atë ditë, nuk do të flasë dhe nuk do të ndërmjetësojë askush përveç atyre që u jep leje Allahu. Zoti ynë, dëshiron që çdo moment i jetës të jetohet me këtë vetëdije. Ashtu siç theksohet edhe në komentimin e Kuranit, “të vërtetat që njohin dijetarët, njerëzit e thjeshtë do t’i mësojnë vetëm Ditën e Gjykimit”.

Për të qenë prej atyre që kur t’u jepet libri nga e djathta në atë ditë të madhe, do të thonë: “Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” (Hakka, 19), duhet t’i mbajmë të gjalla në mendjen tonë pyetjet që na janë vënë përpara në ajetet fisnike. Në fakt, falënderimi që bëjmë ndaj “Sunduesit të Ditës së Gjykimit”, dyzetë herë në ditë në sajë të sures Fatiha, duhet të konsiderohet një mirësi e madhe prej Allahut të Madhëruar.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-