Dragash: Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për uzurpim të pronës

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Nuk është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për uzurpim të paligjshëm të pronës, Vezir Reshiti, e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.

Shtyrja e gjykimit për këtë rast u bë për shkak të mungesës së të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e çështjes, Sabaheta Kurteshi deklaroi se të akuzuarit i është dërguar ftesë e rregullt, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur asaj, dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Për të siguruar praninë e të akuzuarit për seancën e radhës, e cila pritet të mbahet më 21 mars 2019, në ora 10:30, gjykatësja Kurteshi tha se do të lëshoj urdhëresë për sjellje nga policia.

Ndryshe, prezent në seancë ishte prokurori Atnor Skorro dhe avokati i palës së dëmtuar, Zanfir Kryeziu.

Në bazë të aktakuzës se ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 7 qershor 2016, Vezir Reshiti, akuzohet se nga fundi i vitit 2012 e deri më tani, në mënyrë të vazhdueshme, në fshatin Bredesan të komunës së Dragashit, në vendin e quajtur “gropa-gropa” uzurpon pronën e paluajtshme të të dëmtuarit Xhelal Nijazi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Reshiti i’a ka uzurpuar malin, ngastrat katastrale, në atë mënyrë që shfrytëzon mungesën e të dëmtuarit i cili gjendet përkohësisht në Amerikë, ku në të njëjtën pronë ndërton fermën e deleve dhe e shfrytëzon të njëjtën në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime ai pretendohet se ka kryer veprën penale, “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1, Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-