Opoja.net

Dragashi një krahinë atraktive turistike

Natyra Opoja

Autor: MUHARREM QAFLESHI

Hapësira prej 24, 206. 52 Ha nga Parlamenti i Kosovës është shpallur pjesë e Parkut

Dragashi gjendet në pikën më jugore të vendit, në veri kufizohet me Prizrenin, në lindje dhe juglindje me IRJ të Maqedonisë dhe në perëndim dhe jugperëndim me Republikën e Shqipërisë. Komuna e Dragashit është unike në kontekst të Kosovës në atë kuptim që gati e tërë treva është malore. Dragashi është e vetmja komunë e Kosovës që është plotësisht e vendosur Brenda maleve me mbi1000 metra lartësi mbidetare.

Territori i saj shtrihet në gjerësinë gjeografike veriore 410 52’ 30’’ dhe në gjatësinë gjeografike lindore prej 20o 35’ 39’’ dhe 200 48’ 26’’. Me karakteristikat natyrore që ka, paraqet një tërësi të diferencuar gjeografike të Kosovës.
Sipërfaqja e komunës së Dragashit është 435 km², që është 4% e tërë territorit të Kosovës, sidoqoftë komuna ka 17% të hapësirës së kullosave të Kosovës që është ndikimi i lartësisë, por gjithashtu është shenjë e mos zhvillimit të bujqësisë.

Territori i komunës përbëhet nga 63.1% kullosa, 20.7% pyje, 7% livadhe, 9% bujqësi dhe 1.2% zona urbane dhe tokë të zhveshur. Gjysma e vendbanimeve në fshatra kanë mbi 80% të tokës bujqësore. Rajoni është i pasur me burime të ujit me dy lumenj kryesorë – Pllava dhe Restelica, me një numër të degëve dhe tri liqene. Fshatrat e Gorës, të vendosura nëpër bjeshkë janë më kompakte se fshatrat e Opojës të cilat janë të vendosura në rrafshina me shtëpi të shpërndara.

Hapësira prej 24, 206. 52 Ha nga Parlamenti i Kosovës është shpallur pjesë e Parkut

Parkut Kombëtar është i rëndësishëm për komunën e Dragashit, jo vetëm duke tërhequr turistë në këtë trevë, por edhe duke ndihmuar dhe mbështetur komunitetin lokal për të zvogëluar varfërimin e biodiversitetit, shpyllëzimin dhe degradimin e tokës.

Me mbrojtjen e mjedisit, florës dhe faunës se pasur, shfrytëzimin e rrjedhave të lumenjve për prodhimin e eko – energjisë duke ngritur mini-hidrocentarle të vogla të tipit “Dikanca” që njëherë janë edhe atraksione turistike, ushqimet tradicionale që rrallë kund mund ti hasesh, me prodhime blegtorale që nuk mund të gjenden në vendet tjera si djathi i njohur i Sharrit, pastaj mjalti shumë kualitativ dhe i pastër nga lulet dhe pishat e llojllojshme që ka me bollek në këtë komunë, bukuritë natyrore do të jenë shumë joshëse për vizitoret e eko – turizmit në bjeshkët e “Sharrit”, “Korbait” dhe “Koretnikut”.

Duke pasur parasysh se këto bjeshkë me kushte të volitshme klimatike dhe me reliev të veçantë ofrojnë kushte ideale për disa lloje të zhvillimit turistik, si: turizmi dimërore me shtigje të shumta të përshtatshme për skijim dhe sportet tjera në borë, turizmi sportive – rekreative, turizmi ekologjik, turizmi bjeshkor me shtigje për ecje, ekskursione familjare e kolektive, alpinizëm janë parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Komuna e Dragashit me dy trevat e saja etnografike Opojës dhe Gorës, disponon kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit. Faktorët kryesorë janë peizazhet e bukura të malit të “Sharrit”, klima e shëndoshë, ajri i pastër, numri i madh i burimeve dhe gurrave të ftohta si dhe lumenjtë dhe luginat atraktive, pyjet, flora dhe fauna, liqenet, etj.
Andaj sektori i turizmit është njëri nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të kësaj komune. Në fushën turistike komuna e Dragashit ka shumë mundësi sidomos në zhvillimin e turizmit malor të gjelbër dhe atij të trashëgimisë kulturore e historike. Në zhvillimin e turizmit ndikojnë: pozita gjeografike dhe klimaterike e favorshme e kësaj komune. Zona malore e komunës së Dragashit e sidomos ajo e Maleve të Sharrit ka hapësira të mëdha e të virgjëra që mund të shërbejnë si zona për aventura të panumërta në natyrë, ekskursione familjare, shëtitje, alpinizëm dhe shijim të Kosovës tradicionale të natyrës.

Bota bimore dhe shtazore, hidrografia dhe natyra e komunës së Dragashit, në përgjithësi paraqesin burimin kryesor për zhvillimin e aktiviteteve hulumtuese të nxënësve, studentëve dhe shkencëtarëve të ndryshëm nga vendi e bota.
Klima submalore dhe malore, dielli dhe temperaturat janë shumë të favorshme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Mjedisi natyror i mbrojtur, pasuria historike dhe kulturore kanë ruajtur një arkitekturë tradicionale shumë të vlerësuar prej turistëve të vendit dhe të huaj.

Image

Terrenet për skijim në këtë trevë janë shumë të përshtatshme, sidomos në bjeshkën e Brodit, Restelicës, Zaplluxhes, Blaçit, Bresanës, Kukit, etj. Mjafton një shtresë e hollë e borës që mundësia e shfrytëzimit të saj të zgjasë deri në 6 muaj. Brodi është qendra më e madhe për rekreacion dimëror ku gjithë kushtet janë mjaft të mira. Kapaciteti i terreneve të skijimit në këto qendra është për rreth 30 mijë skiatorë. Në Zapluxhë, përveç skijimit dimëror, terrenet janë të përshtatshme edhe për skijim në bar.
Përveç klimës malore, me pyje të dendur me pisha, bredha, ah, dushk, shkozë, verri, shelgje etj., dhe prezencën e një peizazhi mbresëlënës, turistët mund të gjejnë edhe pjesë nga historia dhe trashëgimia kulturore materiale e popullit opojanë e goranë, duke filluar nga periudhat më të hershme.
Pra, komuna më jugore e Kosovës, Dragashi, është një oazë e bukurisë së paprekur natyrore dhe fshatrave tradicionale që pozicionohet në mes dy kufijve, atij të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) dhe Shqipërisë.

Popullsia mikpritëse është e gatshme për të pritur miq dhe për t u ofruar atyre një pjesë të madhe të produkteve që ata i prodhojnë vetë, si djathë Sharri, kos delesh, gjizë, fli, petulla, pite të ndryshme, gjella dhe ëmbëlsira të gatuara nga vetë mjeshtrit e kësaj komune, të cilët janë të njohur në tërë Ballkanin.
Edhe pse komuna e Dragashit ofron mundësi të mira për zhvillimin e turizmit rural, ngelet akoma shumë për të bërë në këtë drejtim, e sidomos nga Qeveria e Kosovës, e cila duhet të ndajë fonde të veçanta për ngritjen e kapaciteteve turistike.

Parku Kombëtar i Sharrit

Pjesa e territorit të Bjeshkëve të Sharrit në komunën e Dragashit, si tërësi hapësinore veçohet me raritete natyrore, me numër të madh të ekosistemeve të rëndësishme pyjore dhe ekosisteme të tjera të ruajtura, me numër të konsiderueshëm të llojeve endemike dhe relikte, me karakteristika të pasura gjeomorfologjike, hidrologjike dhe me peizazhe mahnitëse që kanë rëndësi shkencore, edukativo – arsimore, kulturore – historike dhe turistike – rekreative. Parlamenti i Kosovës me 13 dhjetor 2012, miratoi Ligjin për Parkun Kombëtar të Sharrit, që përfshinë një sipërfaqen prej 53.469 ha dhe shtrihet në territorin e komunave të Kaçanikut, Shtërpcës, Suharekës, Prizrenit dhe Dragashit. Edhe ky park i nënshtrohet regjimeve të mbrojtjes, sipas zonës së parë, të dytë, të tretë dhe zonës së ndikimit, të rregulluara me këtë ligj.

Parku Kombëtar i Sharrit, është synimi i ekspeditave të shumta që po organizohen nga të rinjtë dhe grupet e tjera të qytetarëve më qëllim të zbulimit të natyrës dhe bukurive të saj, që përdoren si vlera për të ofruar sa më shumë turistë të huaj e vendas, pra promovim vlerash, ku rinia është aktive të njohë çdo pëllëmbë të kësaj trevë, me bukuri të rralla dhe të mrekullueshëm natyrore.

Liqeni i Breznës

Bukuritë natyrore janë dominante në disa pjesë të fshatit Brezne. Liqeni i Breznës është njëra nga bukuritë e rralla, andaj në grupin e liqeneve relikt bën pjesë si i vetmi në këtë rajon që ishte krijuar në kohën e neogjenit. Nga ajo kohë e deri më tani madhësia e tij dukshëm është zvogëluar, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Thellësia e ujit të tij, sipas banorëve të këtij fshati, nuk ka më shumë se 5 metra. Bukuritë e natyrës përballë bjeshkëve të Sharrit janë peizazh i lakmueshëm për çdo vizitor. Nga e tëra kjo, të gjitha pamjet e natyrës së këtij fshati janë bukuri të rralla.

Boronicat

Sipërfaqet e bukura të bjeshkëve të Sharrit, përplot boronica, bimë mjekuese e fruta tjera të egra malore, kanë mundësuar që shumë familje malësorësh të të dy komuniteteve të kësaj komune të zbusin sadopak varfërinë ekstreme. Vjelja e këtyre bimëve fillon në pranverë, me aguliçet, ndërkaq në pjesën e dytë të korrikut dhe gjatë muajit gusht, vazhdon me boronicat, kurse më vonë me kaçat, kokrrat e dëllinjave, kërpudhat, dardhat e mollët e egra (mullëzat), si dhe bimët e ndryshme mjekësore, grumbullimi i të cilave bëhet në pikat grumbulluese statike, si dhe në shumë pika lëvizëse në shumë lokalitete të kësaj komune.

Rrugëtimi deri majë të bjeshkëve, ku rriten boronicat cilësore, nuk është edhe aq i lehtë, por të gjithë ata që merren me këtë punë shprehen të kënaqur me përfitimet, me të cilat ata shpresojnë se do të sigurojnë mbijetesën e familjeve të tyre gjatë dimrit.

Turizmi rural, trashëgimi natyrore e komunës së Dragashit

Një trevë me bukuri të rralla natyrore, me doke dhe zakone karakteristike që tregojnë dhe dëshmojnë për traditën tradicionale të mikëpritjes dhe bujarisë opojane, e që fundja është si e gjithë tradita shqiptare.

Nga Prizreni, rruga që të shpie për në Opojë, është një gjarpërim mbi malet dhe kodrinat e malit “Koretnik”, mbushur me drunj dhe florë të llojllojshme. Peizazhi, varësisht nga stinët e vitit, është ngjyra-ngjyra, në pranverë mbretëron gjelbërimi anë e kënd Opojës, me lule të llojllojshme, andaj natyra e kësaj ane kundërmon aromë të këndshme. Natyra e gjelbër dhe e verdhë karakterizon verën opojane, kurse në vjeshtë ajo është ku e gjelbër, ku e verdhë e ku e kuqërremtë, sipas bimësisë. Ndërsa dimrat janë të gjatë, shpesh të ashpër, me borë dhe të ftoftë. Mu për këtë, opojanët me kohë sigurojnë dru djegëse dhe ushqim për familje dhe bagëti.

Të gjitha fshatrat opojane kanë natyrë me peizazhe të mrekullueshme dhe me bukuri të veçanta. Opojanët kanë një traditë të pasur me vlera të shumta kulturore e historike dhe me një thesar të vërtet të trashëgimisë kulturore. Fshatrat opojane në shekullin e XVIII, XIX dhe XX kanë qenë me popullsi mesatare dhe me shtëpitë e tyre karakteristike të ndërtuara me një planimetri katërkëndëshe dykatëshe, të ndërtuara me gur dhe lloq (dheu i përzier me byk dhe ujë), por edhe me qerpiç që në gjuhën opojane quheshin “plita”, me kulme të mbuluara me rrasa, kashtë thekre dhe shumë rrallë edhe me tjegulla, të rrethuara me mure dhe me porta dykanatëshe me kapixhikë. Ndërsa sot, shtëpitë janë të ndërtuara me shije dhe me plan, me portat e zbukuruara me motive artistike, kurse oborret janë plot me lule, pemë, dhe gjelbërim.

Po ashtu, në Opojë ndodhen edhe shumë burime uji, andaj gjatë rrugëve janë ndërtuar kroje që udhëtarët e rastit të freskohen dhe ta shuajnë etjen.
Rrugët dhe rrugicat e fshatrave në shekujt e kaluar ishin të shtruara kryesisht me zhavorr që ishin jo higjienike, në kohë vere me plot pluhur, ndërsa gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, kur ka edhe të reshura, rrugët ishin përplot me baltë. Tashmë, në Republikën e Kosovës të gjitha rrugët e trevës së Opojës dhe Gorës janë të kubëzuara dhe të asfaltuara.

Mikpritja dhe bujaria e opojanëve është e njohur anë e kënd rajonit.
Trevat e Opojës dhe Gorës janë të njohura me gatimet e tyre tradicionale dhe shumë të shijshme , siç janë: flija, djathi i Sharrit, kosi i deleve, karalaja, pogaçja, pitja, “qeshqeku” (ashurja), mishi i qengjit dhe specialitete të ndryshme nga skara, e sidomos ato marrin shije edhe më të këndshme, po qe se konsumohen në piknikë, në natyrën tejet piktoreske të këtij nënqielli.

Mos i humb

Bie bora e parë në Dragash (Foto)

Opoja.net

Rriten çmimet e prodhimeve blegtorale

Opoja.net

Alb’swiss, televizioni që ka zgjeruar transmetimin në shumë platforma online dhe ato kabllore

Opoja.net

Sa vota i mori gazetari Resul Sinani

Opoja.net

Tërmeti shqetëson banorët e Dragashit (Video)

Opoja.net

Dridhet toka në Dragash

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net