Opoja.net

Ekoturizmi dhe ai malor, me perspektivë në Bjeshkë të Dellocit

Kosova
Ekoturizmi dhe ai malor, me perspektivë në Bjeshkë të Dellocit

Organizata holandeze me mision në Kosovë “Lidhim vlerat e natyrës me njerëzit” (CNVP), në bashkëpunim me Asociacionin e pronarëve privatë të pyjeve të Kosovës (APPK) dhe organizata të tjera ambientaliste, e ka mbajtur të premten në Bjeshkë të fshatit Delloc të komunës së Suharekës, një seminar që synon zhvillimin e ekoturizmit në Kosovë, me temën “Ndarja e praktikave më të mira nga familjet që e përdorin pyllin për ekoturizëm”.

Në këtë seminar morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), drejtues të dikastereve për bujqësi dhe pylltari nga qeveria komunale e Suharekës, si dhe fermerë dhe bjeshkatarë nga Bjeshka e Dellocit dhe ajo e Bukoshit etj, transmeton Koha.net.

Hajrush Kurtaj, këshilltar profesional nga organizata CNVP, si organizatore e këtij aktiviteti, ka folur për rëndësinë që ka sektori i ekoturzimit në zhvillimin ekonomik të një vendi me trende zhvillimi, siç është rasti i Kosovës. Ai, po ashtu, ka folur edhe për domosdoshmërinë që fermerët dhe malësorët e rajonit të Suharekës të njihen me praktikat më të mira me familjet e tjera që shfrytëzojnë resurset pyjore për turizëm malor dhe për ekoturizëm në përgjithësi. Kurtaj ka sjellë para ndjekësve të këtij seminari shembuj konkretë se si një familje mund t’i menaxhojnë resurset e malit për qëllime ekoturizmi dhe prej tyre të gjenerojë të mira materiale.

Në këtë seminar një ligjëratë më të zgjeruar për ekoturzimin si sektor me rëndësi të veçantë, e ka mbajtur Bajram Batusha, drejtues i Divizionit për politika menaxhuese me kafshë të egra, gjueti dhe ekoturizëm, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Gjatë fjalës ai shkoqiti aspekte të politikave qeveritare të MBPZHR-së për zhvillimin e ekoturizmit. Siç u shpreh ai, politikat që harton dhe ndjek MBPZHR-ja, veç tjerash, konsistojnë edhe në zhvillimin e ekoturizmit dhe turizmit malor në Kosovë, si një sektor me perspektivë zhvillmi.

“Kosova nuk e ka detin, por ajo i ka malet – nga më të bukurat në Evropë, dhe prej tyre mund ta zhvillojë ekoturizmin dhe turizmin malor, dhe shumë shpejtë mund të shndërrohet në një Zvicër ballkanike”, tha Batusha gjatë fjalës së tij.
Sipas Batushës, ekoturizmi dhe turizmi malor po shënon trende të reja zhvillmi nëpër shumë vende të botës. Ai shtoi se njerëzit, gjithnjë e më shumë, po i kthehen natyrës dhe malit për pushim dhe rekreacion. Prandaj, sipas tij, Kosova dhe njerëzit e saj, duhet ta zënë hapin e zhvillimit të këtij sektori me mundësi të mëdha për zhvillim ekonomik.

Në anën tjetër, Bashkim Gashi, kryetar i Asociacionit të pronarëve privatë të pyjeve të Kosovës (APPK), duke folur para fermerëve dhe bjeshkatarëve suharekas, solli disa shembuj konkretë se si një fermer mund t’i shfrytëzoj resurset malore për ekoturizëm , duke filluar nga ofrimi i ushqimeve bio dhe tradicionale, pastaj organizimi i gjuetisë së kontrolluar, shëtitja në mal, kalërimi, kampingu etj.

Në këtë aktivitet ka folur edhe drejtori komunal për Bujqësi dhe Pylltari i komunës së Suharekës, Xhemajl Kabashi, i cili, pasi falënderoi CNVP-në, e cila, sipas tij, po i mbështet fermerët malësorë të komunës së Suharekës, tha se një prej prioriteteve kryesore të drejtorisë që ai drejton, është pikërisht zhvillmi i ekoturizmit dhe turizmit malor në zonën e Bjeshkës së Dellocit.
Duke folur në këtë seminar, kryetari shoqatës së pylltarëve suherekas “Mali”, Xhavit Sadikaj, kërkoi nga organet e komunale dhe qendrore që të punojnë më shumë në infrastrukturën rrugore dhe elektrifikimin e Bjeshkës së Dellocit, e cila, siç tha ai, ka kushte ideale për ekoturizëm dhe turizëm malor.

Në anën tjetër, Hysen Gega, fermer dhe bjeshkatar, duke diskutuar në debatin e këtij seminari, tha se ka vite që po planifikon të ndërtojë një bujtinë mali dhe një restorant me ushqime nga bjeshka, por këtë ai nuk po e arrin, për shkak se mungon rruga dhe elektriciteti në bjeshkën ku ndodhet ferma e tij.

Në debatin e seminarit që organizoi CNVP-ja kanë folur edhe Nexhmedin Ramdani nga Shoqata për Mbrojtjen e Shpezëve Shtegtarë dhe të Rrallë (FICH), pastaj përfaqësuesja e sektorit të grave në Asociacionin e pronarëve privatë të pyjeve të Kosovës (APPK) etj., kurse në fund, për të gjithë seminaristët u shtrua një drekë me ushqime bio dhe tradicional nga zona e Bjeshkës së Dellocit.

Spitalet në Kosovë mbushen me pacientë, cilat janë përgatitjet nëse përkeqësohet situata?

Opoja.net

Pandemia mund të ndalet nëse të paktën 70 për qind e njerëzve i bartin maskat në publik

Opoja.net

FSK, institucioni më i besueshëm në vend

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net