Fjala e Bukur

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Allahu i Madhëruar ka krijuar njeriun në mënyrë speciale. Pastaj e bëri atë mëkëmbësin e Tij në Tokë. Ndryshe nga krijesat e tjera, e pajisi atë me virtyte dhe aftësi. Njeriu i shfaq në dy mënyra cilësitë shpirtërore që përbëjnë personalitetin e tij: përmes shprehjeve dhe sjelljeve. Shprehja me fjalë e botës së brendshme të njeriut, bëhet përmes organit të gjuhës që gjendet në gojë. Duke u nisur nga ideja se “çfarë ke brenda dukesh nga jashtë”, ajo çfarë është brenda në shpirt, shprehet me gjuhë. Mirëpo, si një shprehje konkrete, cilësitë e botës së brendshme i atribuohen gjuhës; gjuhëbilbil, gjuhëbrisk, gjuhëgjarpër, gjuhëgjatë, gjuhëhelm, gjuhëlidhur etj. Në këtë kontekst, tregohet një tregim: Një njeri i pasur, për një mysafir që do vinte tek ai, të cilin nuk e donte, kërkon nga shërbëtori që t’i bënte ushqimin më të keq të mundshëm. Kështu shërbëtori i përgatiti gjellën e gjuhës. Një ditë tjetër, që po priste t’i vinte miku i tij që e donte, kërkoi nga shërbëtori që t’i përgatiste ushqimin më të mirë të mundshëm. Shërbëtori sërish kishte përgatitur gjellën e gjuhës. Kur zotëria kërkoi të dinte arsyen, ai u përgjigj: “Gjuha është më e ëmbla dhe më e keqja gjë në botë, por varet nga përdorimi.” Çështja se çfarë duhet të ketë njeriu si synim në jetë, ka qenë një nga preokupimet kryesore të njeriut që në kohët e lashta. Ekzistojnë mjaft mendime të filozofëve që kanë vrarë mendjen lidhur me këtë temë. Mirëpo, shprehja më e saktë lidhur me qëllimin e jetës, brenda konjukturave të detyrës së shenjtë që ka bartur në vete njeriu, janë fetë hyjnore ato që kanë shënuar drejtimin e saktë që të çon tek lumturia. Madje duke e thjeshtëzuar atë përmes personaliteteve shembullore. Pasi, njeriu i parë që është krijuar është edhe pejgamberi i parë. Natyrisht nga këto fe hyjnore sot ka mbetur vetëm feja e fundit, Islami, të tjerat kanë humbur origjinalitetin e tyre duke u prishur nga mendje me interesa të caktuara. Porsi një frymëzim nga burimi hyjnor, qëllimi i jetës në fjalën e bukur, shpjegohet si “Kesbi kemal ederek, seyri cemale ermek”, pra “Të arrish të shikosh të bukurën, duke fituar pjekuri.” Allahu i Madhëruar, udhërrëfyesit për njerëzit i ka zgjedhur nga mesi i njerëzve, kështu Ai ka promovuar sistemin e vlerave të kumtit hyjnor, duke u dhënë atyre mundësinë për të qenë personalitete më të përsosura; shpërblimi më i bukur është të mund të arrish tek Xhemalullahu. Mirëpo, ndonëse ekziston “Udhërrëfyesi Hyjnor” me cilësinë “shembulli më i përsosur”, i cili përmes përjetimit të tij, njerëzimit i ka edukuar fenë e shpallur nga Zoti, sidoqoftë nuk është edhe aq e lehtë të meritojë këtë sihariq. Meqë jeta është një sprovë e tërë, bashkë me urtësinë e saj, njeriu është pajisur me pengesa të fuqishme si nefsi dhe shejtani, që bëjnë atë të pengohet nga kjo rrugë sublime. Ajo çfarë i takon njeriut është që brenda kornizave të asaj çfarë i lejohet të mund të arrijë në shpëtim duke hapur këtë rrethim të rijazatit dhe muxhahedesë. Një njeri që arrin në një cilësi të tillë të sinqertë, bën që të fitojë shpërblimin më të madh që i është premtuar. Kelami, që është një nga cilësitë e Allahut, është një veçori që vetëm njeriut ia ka dhënë Zoti në mesin e krijesave të tjera. Fjala më e bukur është fjala e Allahut, që është Kurani Famëlartë. (Shih, ez-Zumer, 23.)

Fjala e bukur ndikon tek njeriu që mban ndjenjën e simpatisë ndaj së bukurës në mënyrë të natyrshme (fitri), kështu bën që ajo të shfaqet. Lidhur me këtë kemi edhe fjalë të urta, si: “Fjalëmbli, nxjerr nga strofulli edhe gjarprin.” Edhe kafshët që janë të nevrikosura madje, duke u thënë fjalë të ëmbla, qetësohen. Kështu, njerëzit gjithnjë janë marrë me artin e fjalës së bukur dhe fjalës me ndikim. Kësisoj, lindën edhe arti i retorikës dhe oratorisë, që janë një metodë përpjekjeje për të mund të thënë fjalë të bukura dhe me ndikim tek të tjerët. Me impaktin që është krijuar ndaj këtyre arteve, janë edukuar shumë letrarë dhe oratorë, që ende sot u përmenden emrat. Politeistët mekas, ngaqë e dinin fuqinë e ndikimit të fjalës së bukur dhe vetëm për shkak të interesave të tyre të ngushta i dolën kundër kumtit profetik të Pejgamberit të dashur (s.a.s.). Megjithatë, nuk arrinin dot të mbanin veten pa dëgjuar Kuranin Famëlartë fshehurazi teksa lexohej, ndërkohë që të tjerëve ua ndalonin me forcë. Edhe Hazreti Omeri (r.a.), kur pati marrë rrugën për të shkuar tek Pejgamberi (s.a.s.) dhe për ta ekzekutuar atë, kur dëgjoi versetet kuranore në shtëpinë e së motrës së tij, papritur besoi, doli si një besimtar nga aty i impresionuar nga entuziazmi i papërshkruar që i dha Nuri i Qenies.

Në Kuranin Famëlartë, lidhur me fjalën e bukur, retorikën dhe oratorinë, thuhet kështu:

“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.(Ibrahim, 24, 25, 26.)

“Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira…” (Isra, 53.)

Dhe në hadithe thuhet kështu:

“Fjala e bukur dhe e mirë është sadaka. Ruajuni nga zjarri i Xhehenemit, duke u dhuruar njerëzve qoftë edhe një gjysmë hurme (arabe), nëse nuk mundeni as këtë, atëherë dhurojuni atyre fjalë të bukura.” (Buhariu, vol. 13, f. 6013.) Kështu është këshilluar gjithnjë fjala e bukur. Njeriu është përgjegjës për fjalën që i del nga goja. Për të bërë të ditur këtë përgjegjësi, Hz. Aliu (kerremallahu vexhhehu), ka thënë: “Për sa kohë që nuk flet, fjalën e ke nën kontrollin tënd. Pasi të flasësh, atëherë të ka ajo nën kontroll ty.” Kështu, edhe fjalët e urta qortojnë njeriun në këtë mënyrë: “Nëse të flasësh është argjend, të heshtësh është flori.” “Mendo njëmijë, një thuaj.” “Fjala që thua, mos të të bëjë pishman kur miku yt të bëhet armik dhe mos të turpërojë kur armiku yt të bëhet mik.” Padyshim që çështja nuk është vetëm tek heshtja, por të dish të flasësh dhe të mos flasësh në kohën e duhur. Pejgamberi ynë, Muhamedi (s.a.s.), ka thënë lidhur me këtë temë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Ahiretit, ose të flasë mirë, ose të heshtë.” (Buhariu, Kitabul-Edeb, 10/373.) “Nëse një njeri heq dorë nga gjërat e të tjerëve që nuk i takojnë atij, kjo rrjedh si pasojë e mirësisë së Islamit të tij.” (Tirmidhiu, Zuhd, 11.) Një nga mjeshtrit shpirtërorë të Anadollit, Junus Emre, e shpjegon në këtë mënyrë se çfarë është të flasësh: Ka fjalë që pret luftë, ka fjalë që pret kokë, ka fjalë që gjellën e helmuar e bën mjaltë e gjalpë! Pejgamberi ynë (s.a.s.), është “shembulli më i mirë” që bën të fitohet lumturia e kësaj bote dhe tjetrës. Jeta e tij e begatë që përkufizohet si “Kuran i gjallë”, është porsi një nur që shndrit horizontin e të gjithë besimtarëve të sinqertë. Kësisoj, sahabët fisnikë, në përpjekje për t’i ngjarë atij në të shprehur e sjellje, kanë krijuar shoqërinë e Epokës së Lumtur. Kështu, edhe Miqtë e Zotit të Madhëruar, evlijatë, të cilët kanë ndjekur rigorozisht ata dhe edukatën pejgamberike, kanë parashtruar praktikimin e traditës profetike (sunneti senijje) si lumturinë më të madhe të njeriut.

Hazreti Ebu Bekri (r.a.), i cili pati merituar epitetin “Yar-i Gar; I dyti i dyshes” dhe që qe shkrirë në atë Nur të Qenies, thuhet se kishte kapur fort gjuhën e vet, që të mos gënjente, të mos bënte thashetheme e përgojonte dhe që të mos bënte faje të tjera karakteristike të gjuhës, madje kishte vënë edhe gurë në gojë, me qëllim që të ndalonte të folurit, nga frika e pasojës së gjuhës. Të flasësh me karar, do të thotë të mos hapësh gojën për tjetër veçse për mirë, të mos përdoresh fjalë të panevojshme, të heshtësh, të shprehësh të vërtetat në mënyrën më të shkurtër të mundshme, në mënyrën më racionale dhe më të bukur, si dhe metoda të tjera profetike janë bërë shenjat e përgjithshme të edukatës së komunikimit të besimtarëve të vërtetë. Pikërisht për këtë edukatë dëshmojnë dëshmitarët e kohës së tyre, dy miqtë e Zotit, Sami Efendiu (kuddise sirruhu) dhe Musa Efendiu (kuddise sirruhu). Miqtë e Zotit, porsi përfaqësuesit dhe mëkëmbësit e Pejgamberit, Muhamedit (s.a.s.), detyrën e tyre si udhëzues në fenë e vërtetë e kanë kryer me këtë përkushtim dhe përkujdesje. Lidhur me elegancën në komunikimin e tyre, Mjeshtri Nexhip Fazëlli konstaton në këtë mënyrë: “A keni dëgjuar ju ndonjëherë të bërtasë e të thërrasë një argjendar? Mallrat e tij të çmueshme bëjnë që ai të mos thërrasë. Shitësi i domateve dhe i specave bërtet, por argjendari jo. Mbledhësi i gjërave të prishura thërret, por ai i gjërave me vlerë, jo!” Fjala e bukur është një shenjë e përsosmërisë, e pjekurisë shpirtërore. Sa më shumë që njeriu të jetë bërë një me Kuranin Famëlartë dhe me Traditën Profetike, sa më mirë të jenë shfaqur tek ai ky sistem vlerash hyjnore, aq më shumë ka arritur përsosmërinë dhe pjekurinë, aq më mirë shprehet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-