Opoja.net

Fluks pacientësh nëpër ambulanca dhe Spitalin e Prizrenit

Kosova
Fluks pacientësh nëpër ambulanca dhe Spitalin e Prizrenit

Gripi sezonal ka shkaktuar një fluks të madh të pacientëve në ambulancat dhe qendrat e mjekësisë familjare në Prizren dhe rrethinë. Sipas mjekëve, gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Shpeshherë personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme në rast se nuk marrin mjekimin e nevojshëm. Ndryshe, koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë, shkruan gazeta Kosova Sot Online.

Vaksinimi si masë parandalimi

Kujtim Bakiqi, shef i Emergjencës në Prizren, shprehet se gripi i zakonshëm mund të prekë të gjithë popullatën, e që mund të sjellë komplikacione për një pjesë të popullatës me risk për fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore.

“Ata që preken më shumë nga gripi janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët”, thotë Bakiqi. Ai pohon se vetëm në natën e 1 dhjetorit në Shërbimin Emergjent janë paraqitur 150 pacientë, kryesisht fëmijë me simptomat e gripit.

“Numri i të sëmurëve mund të shkojë shpejt deri në 200 pacientë brenda dite. Situata është mjaft e rëndë, por shpresojmë se nuk do të ketë viktima, por, që mos të vijë deri tek komplikimet duhet me kohë të lajmërohen. Gripi i zakonshëm përsëritet çdo vit në vjeshtë dhe në dimër kryesisht në zonat e buta. Shumica e vdekjeve nga gripi ndodhin te moshat mbi 65-vjeçare dhe kryesisht në vendet e industrializuara”, shprehet Bakiqi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mënyra më e mirë e parandalimit nga virozat dhe gripi i zakonshëm është vaksinimi.

Përveç gripit të zakonshëm, vaksina parandalon në 60-90 për qind të rasteve. Kategoritë që duhet të vaksinohen çdo vit dhe duhet të trajtohen me prioritet janë personeli shëndetësor, personat afër pleqërie, pacientët kronikë, gratë shtatzëna, personat në detyrë të rëndësishme për shoqërinë, fëmijët nga 6 muaj deri në 2 vjeç.

Detyrohen ta shtrijnë vajzën në spital

Prizreni si komunë ka 44 objekte të shëndetit primar. Mehmedali Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, shprehet shpjegon se Komuna e Prizrenit ka tani një QKMF, një objekt të Emergjencës, pastaj ka 26 ambulanca, 15 qendra të mjekësisë familjare. Edhe zëdhënësi i Spitalit Rajonal, Shefajet Berisha, njofton se në spitalin e Prizrenit tani ka numër të shtuar pacientësh nga gripi, sidomos në repartin pediatrik.

“Mirëpo, ky numër i pacientëve nuk mund të themi se nuk është alarmant, e çka mund të ndodhë pritet të shohim”, ka thënë Berisha. Edhe qytetarët janë të alarmuar për këtë situatë. Këtë shqetësim e kanë edhe prindërit Asllan e Behije Berisha nga Prizreni.

“Tani e pesë ditë e kemi të sëmurë vajzën dhe shëndeti i kësaj është mjaft i rënduar. E kemi pasur dy here te mjeku, por siç duket nuk arriti vajzës t’i kalojë. Andaj, sot tashmë na dhanë udhëzimin që ta shtrijmë në spital”, tha Berisha për “Kosova Sot”.

Kosova lufton me COVID-19/ Spitale të stërngarkuara, mungesë e barnave e numër i lartë i rasteve aktive

Opoja.net

“Kush ka humbur vendin e punës në pandemi do të merr 900 euro”

Opoja.net

Spitali i Prizrenit prinë me numrin më të madh të pacientëve të hospitalizuar me Covid në Kosovë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net