Opoja.net

Francë-Portugali, një duel për fronin europian

Sport
Francë-Portugali, një duel për fronin europian

Mbretëresha e re e kontinentit do të vendoset pas takimit final të Euro 2016 në Stade De France, ku dy superfuqitë e futbllit do të ndeshen në një sfidë pa kthim pas.

Franca një herë fituese e këtij trofeu është dukshëm e avantazhuar ndaj finalistëve të vitit 2004, pasi ka në anën e saj publikun, por portugezët shpresojnë që shpirti i sakrificës që kanë treguar në këtë rrugëtim të suksesshëm t’i drejtojë te trofeu i parë në histori.

Trajneri Didier Deschamps shpreson që ta rikthejë kupën në Francë pas 32 vjetësh, por ndaj Cristiano Ronaldos dhe Portugalisë nuk do të jetë aspak e lehtë.

Portugalia është pasqyrim i filozofisë së trajnerit Santos që brenda pak muajsh injektoi mentalitetin fitues dhe finalja do të jetë një histori ndryshe për të dyja skuadrat që kanë ndjekur rrugë të ndryshme drejt Parisit. Portugalia i ka humbur 10 ndeshjet e fundit kundër Francës, por rikthimi i Cristiano Ronaldos në nivelet më të larta është një sinjal alarmi për blutë. Triumfi ndaj Uellsit ishte testi final i luzitanëve që treguan edhe një herë se grupi që kanë në dispozicion është konsoliduar plotësisht. Asnjë nga trajnerët nuk ka probleme me dëmtimet apo pezullimet. Kjo do të jetë ndeshja e katërt në një eveniment madhor mes dy skuadrave.

Gjithsesi, ky është rasti i artë për brezin e talentuar të Portugalisë që t’i japë fund mallkimit të gjatë pa asnjë trofe.

Në 13 ndeshjet e fundit, skuadra e Santos nuk njeh humbje, ndërsa Franca vjen më komode në këtë finale pas një faze grupesh relativisht të lehtë dhe dy ndeshje të lehta në letër ndaj Irlandës e Islandës që pasuan superduelin me Gjermaninë ku blutë u dhanë një shuplakë djemve të Low.

Si Portugalia, ashtu edhe Franca, ishin pjesë e grupit eliminator të Shqipërisë me përjashtimin e faktit se “gjelat” zhvilluan ndeshje miqësore. Me 13 gola në 6 ndeshje, Franca është edhe ekipi më shumë produktiv në këtë europian dhe Griezmann do të kërkojë që këtë finale ndaj Cristiano Ronaldos ta fitojë pasi zhgënjimi që i dhuroi portugezi në Champions League ishte i madh.

Gjithsesi, për Francën, ashtu si edhe për Portugalinë, kjo është një ndeshje pa precedentë ku asnjë prej skuadrave nuk duhet ta kthejë kokën pas.

Luzitanët po ndërtojnë murin hermetik dhe një strategji të kujdesshme, ndërsa rivalët e tyre besojnë verbërisht te klasi i Paul Pogba, Dimitri Payet e Antoine Griezmann për të lumturuar popullin e tyre.

Asnjë surprizë nga dy trajnerët, sepse Portugalia synn të jetë një skuadër cinike dhe e balancuar, ashtu si Franca që nuk i lejohen aventurat sepse kjo është një finale dhe në finale, rëndësi ka vetëm fitorja.

Euro 2016 do të luajë aktin e fundit të dielën, në orën 21:00. Europa bëhet gati për të kurorëzuar mbretëreshën e re.

Vdes legjenda e futbollit Diego Armando Maradona

Kushtrim Guraj

Fjalimi motivues i Majlinda Kelemendit: Krejt cka kam, i arrita vetë 

Kushtrim Guraj

Neymar kthehet me gol te PSG

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net