Opoja.net

G20: Arrihet kthesë në deklaratën e samitit, por ka mospajtime për klimë

Rajoni
G20: Arrihet kthesë në deklaratën e samitit, por ka mospajtime për klimë

Liderët botërorë kanë arritur një “kthesë të madhe” në propozimin e tekstit të komunikatës në samitin e grupit G20 në Hamburg të Gjermanisë, por pjesa e ndryshimit klimatik mbetet kontestuese edhe në ditën e dyta të bisedimeve të shefave të shteteve dhe qeverive të 20 vendeve më të industrializuara në botë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një zyrtar i Bashkimit Evropian, që është i afërt me negociata.

Ndihmësit kanë punuar deri në orën 2 të mëngjesit të së shtunës për deklaratën e përbashkët të grupit G20, duke arritur konsensus për përfshirjen e “luftimit të proteksionizmit”, shprehje kjo për të cilën amerikanët kishin hezituar që të pajtoheshin, ka thënë ky zyrtar i BE-së.

SUPER OFERTË NGA HOTEL ARXHENA

Ndërrimi i viteve nën bardhësinë e bjeshkëve të Sharrit

SHIKO OFERTAT

 

Por, mospajtimet mbeten lidhur me terminologjinë për ndryshime klimatike.

Këto negociata ishin zhvilluar derisa edhe një natë ishin përleshur aktivistët antiglobalizim me policinë. Këto përleshje e kanë vënë nën hije samitin e liderëve të vendeve më të zhvilluara industrialisht në botë dhe atyre në zhvillim.

Në këtë samit marrin pjesë: presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe zyrtarët më të lartë të vendeve evropiane dhe atyre aziatike.

Nikoqirja e samitit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se negociatorët “ende kanë punë të madhe para tyre” për formulimin e deklaratës përfundimtare, që planifikohet të shpallet sonte vonë.

Zonja Merkel u ka thënë liderëve në samit, se ata duhet të jenë të përgatitur për të bërë kompromise, derisa ajo ka punuar për një komunikatë të samitit, e cila do të mund të pranohej nga të gjithë pjesëmarrësit.

Referenca për “luftimin e proteksionizmit” është bërë njëfarë rutine në kumtesat e samitit të grupit G20. Por, kësaj radhe, politika ekonomike e presidentit amerikan, Donald Trump, me moton “së pari Amerika” e ka penguar konsensusin për globalizim dhe tregti, prej se ai është inauguruar në postin e presidentit, më 20 janar të këtij viti.

Zyrtari i Bashkimit Evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni është pajutar me terminologjinë me të cilën mbështeten përpjekjet kundër proteksionizmit, nëse në këtë pjesë do të përfshiheshin edhe fjalët “avancimi reciprok i tregtisë”.

Por, seksioni për ndryshimet klimatike ka mbetur çështje e mospajtimeve.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të “punohet për së afërti me vendet e tjera për të ndihmuar që ato të kenë qasje dhe të përdorin karburant të fosileve në mënyrë më të pastër dhe efikase dhe t’i ndihmoj ato që të kenë burime të tjera energjetike të pastra dhe ripërtëritëse”.

Liderët evropianë nuk kanë qëndrim pozitiv ndaj kësaj terminologjie, ka thënë ky zyrtar i BE-së.

Agjencia Reuters dhe të tjerat, po ashtu, i kanë cituar zyrtarët e BE-së që kanë thënë se terminologjia e deklaratës së përbashkët për klimë, është ende çështje që duhet të zgjidhet, derisa Uashingtoni ka kërkuar referencë për karburantet nga fosilet në deklaratën finale.

Një zyrtar i BE-së tha se ekziston “një masë kritike e vendeve”që nuk pajtohen me përfshirjen e kësaj reference në komunikatën përfundimtare, ka raportuar agjencia Reuters.

Rruga pa krye për këtë çështje u bë derisa liderët botërorë këtë javë e kishin shtuar presionin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, pas shpalljes së tij se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga Marrëveshja e Parisit për ndryshime klimatike e vitit 2015.

“Ne nuk po zhvillojmë negociata të reja për marrëveshjen e Parisit, e cila mbetet, por dëshiroj të shoh se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mënyra për tu ribashkuar”, i tha rrjetit BBC, kryeministrja e Britanisë, Theresa May.

Një zyrtar i qeverisë së Gjermanisë i tha Radios Evropa e Lirë se Merkel, Putin dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë pajtuar gjatë një mëngjesi punues, se armëpushimi për pjesën lindore të Ukrainës, i njohur si Marrëveshjet paqësore të Minskut, duhet të implementohen.

Dita e parë e samitit të Hamburgut ishte nën hije për shkak të trazirave dhe vandalizmit nga grupet e vogla të radikatëve në mesin e 100 mijë protestuesve antiglobalizim, që kishin dalur në rrugët e Hamburgut.

Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, ishin takuar dje për më tepër se dy orë, mbi qytet është parë tymi i makinave dhe barrikadave të djegura nga demonstruesit.

Pas një dite të zjarreve, vjedhjes dhe plaçkitjeve, nga ana e protestuesve radikalë, përfshirë edhe anëtarët e lëvizjes antikapitaliste, Black Bloc (Blloku i Zi), policia ia doli që tështunën herët në mëngjes t’i pastrojë rrugët, me përdorim të makinave të blinduara, topave të ujit dhe gazit lotsjellës.

Autoritetet thanë se më se 200 policë janë lënduar gjatë dhunës në dy ditët e fundit dhe se më se 200 demonstrues janë arrestuar.

Pavarësisht trazirave nëpër rrugë, presidenti Trump e ka lavdëruar kancelaren Merkel për organizimin e samitit me komente në fillim të ditës së dytë, se kancelarja gjermane ishte “e mrekullueshme dhe kishte bërë punë të jashtëzakonshme”.

“Lidershipi juaj është absolutisht i jashtëzakonshëm dhe shumë inspirues”, tha Trump.

Presidenti Trump, më herët dukej se kishte tensione me zonjën Merkel duke e kritikuar hendekun tregtar të Shteteve të Bashkuara me Gjermaninë dhe shpenzimet ushtarake të Gjermanisë në harmoni me GDP-në e saj. Këto kritika e kishin zemëruar establishmentin politik gjerman.

Ky pritet të jetë kabineti i Joe Biden

Opoja.net

Sot një vjet bota ndryshoi, si u paraqit rasti i parë me Covid-19

Opoja.net

Tragjedia në Zvicër: Vdes 15 vjeçari kosovar, pasi u godit nga treni

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net