Opoja.net

Greqi – Kosovë, fitoren e këtij ekipi e favorizojnë bastorët botërore

Sport
Greqi – Kosovë, fitoren e këtij ekipi e favorizojnë bastorët botërore

Greqia dhe Kosova do të luajnë sonte në kuadër të Ligës së Kombëve.

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar shumë Greqinë, në përballjen e sotme kundër Kosovës në Ligën e Kombeve, duke i dhënë kuotë shumë të ulët fitores së mundshme të grekëve.

Ekipi kombëtar i Kosovës – i thelluar në krizë rezultatesh – do të takohet me Greqinë në Stadiumin Olimpik të Athinës sot në orën 20:45, kombëtaren helene që ka treguar formë të lartë kohët e fundit dhe duket të jetë favorite për ta fituar grupin, raporton Express.

Greqia e fitoi 2:1 ndeshjen e parë kundër Kosovës muajin e kaluar në Prishtinë.

Shumica e shtëpive më të mëdha të basteve, përfshirë Bet-at-home dhe Betëay, e shohin Greqinë si favorite të madhe ndaj Kosovës, pasi i ka vënë kuotën 1.60 për të fituar.

Ndërsa fitores së mundshme të Kosovës i kanë vendosur kuotë më të lartë, 6.50.

Barazimi i mundshëm kuotohet 3.50.

Derisa Kosova po e përjeton një krizë të madhe rezultatesh këtë vit, edhe pse e pati një edicion mahnitës 2019/20 në garën e UEFA-s, Greqia është në formë shumë të mirë dhe nuk e ka humbur asnjë ndeshje garuese që një vit.

E Kosovës iu bën një vit që nuk ka shijuar fitore në një ndeshje garuese, kur e mundi 2:0 Malin e Zi në tetor të 2019-s në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Kosova i ka humbur të gjitha mundësitë për ta fituar Grupin 3 në Ligën C, pasi e nisi fushatën e re me një barazim dhe dy humbje radhazi dhe është ende në kërkim të fitores së parë.

Kur jemi në gjysmë të rrugës në fazën grupore, Kosova është e parafundit në grupin e vet me vetëm një pikë të mbledhur, njëlloj si Moldavia që renditet e fundit.

Grupit i prijnë Greqia dhe Sllovenia me nga shtatë pikë, në një garë kokë me kokë për ta fituar atë.

Edhe në takimin e kësaj mbrëmjeje kundër grekëve, trajneri Bernard Challandes, i cili është nën presion të madh dhe i bombarduar me kritika, do të përballet me mungesat edhe më të mëdha se në ndeshjet e fundit, pasi listës së të lënduarve u janë shtuar edhe Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova.

Ndërkohë, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Idriz Voca do të mungojnë sërish.

Greqia, në anën tjetër, nuk përballet me ndonjë telashe apo mungesë kundër dardanëve, dhe mbi të gjitha vijnë në formë të mirë në këtë takim.

Humbja kundër Italisë në tetor 2019 në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 ishte e fundit e Greqisë në një ndeshje garuese.

Por, helenët u mundën nga Austria në një ndeshje miqësore muajin e kaluar.

Në gjashtë ndeshjet e fundit garuese, Greqia i ka shënuar pesë fitore dhe ka barazuar një herë tjetër.

Pamje: Joyce e trondit Duboisin dhe e bën edhe një hap të madh drejt titullit të botës

Kushtrim Guraj

U zhvillua ndeshja revyale për nder të 28 Nëntorit ndërmjet Veteranëve të futbollit dhe FSK-së

Opoja.net

Urimi i kapiteni legjendar për 28 Nëntor

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net