Inxhinier i pylltarisë Naim Ramadani

Opoja.net Opoja.net Personazhe

I DASHURUAR PËRJETËSISHT ME PYJET DHE GJUETINË – Ky artikull ishte botuar në gazetën kombëtare “Bota sot” – Shkruar nga Muharrem Qafleshi

Sa herë që ngjitemi në pllajat e Pikëllimës (Koretniku) apo kur zbresim poshtë nga malet e Sharrit dhe flasim për pyjet e masat që duhen marrë për t’i bërë ata sa më të vlefshme për njeriun, në bisedat tona zë vend e nuk ndahet lehtë edhe portreti i inxhinierit të dashuruar pas pyjeve, Naim Ramadani. Jo vetëm ata që e njohin nga afër në vendlindjen e tij Opojën, por edhe ata që kanë punuar për vite e vite me radhë në Ndërmarrjen e Pyjeve të komunës së Dragash me rreth pesëdhjetë mijë qytetarë, tani po ashtu edhe të rajonit të Prizrenit, ku ishte drejtor i përgjithshëm i Ndërmarrjes Pyjore për Prizren, Dragash, Rahovec e Therandë, flasin me respekt dhe shprehin konsiderata e vlerësime nga më të veçantat për këtë specialist të devotshëm e të lidhur përjetësisht me pyjet e atdheut të tij, Kosovës.

Ishte ende i parritur mirë, kur një ditë tetori edhe ai si shumë studentë të Kosovës, la prindërit e tij, moshatarët, Opojën, Brrutin e tij të dashur e mori rrugën e largët gjer në Beograd për të studiuar Fakultetin e Inxhinierisë Pyjore, ngase në Universitetin e Prishtinës fakultet të tillë nuk kishte. Në kujtimet e z. Ramadani, vitet e studimeve i kujton me nostalgji, se atëherë nuk i kujtonte vetëm vitet më të bukura të jetës së tij, ato të shkollës së mesme në Dragash, shokët e rinisë së parë, por më shumë i kujtonte pyjet e pafund që zotëronte hapësira ballkanike dhe ne mendje i vinin pyjet e vendlindjes së tij, Kosovës, bredhat e lartë gjer në re, pishat e ahet pafund, lisat shekullore që rritshin në të katër anët e Kosovës dhe që ai me shokët e tjerë të kësaj dege do të jepnin kontributin modest për t’i shtuar e mirëmbajtur.

Pas mbarimit të studimeve, si inxhinier i diplomuar fillon punën me plot përkushtim për edukimin e një brezi të tërë për t’i dashuruar pyjet dhe për t’u përkujdesur për çdo dru, ngase ai e dinte dhe e ndjente se sopat e druvarit godiste dhe shkatërronte këto pasuri të pafund të Kosovës, andaj si me kujdesin e dashurinë për këta fidanë të brishtë e këto pyje shekullore i edukonte e mësonte teknikët e rinj të pyjeve që asnjëherë të mos neglizhojnë ndaj dëmtuesve të pyllit, asnjëherë të mos u shpejtojë muaji dhjetorit pa mbjellë fidanë të rinj kudo që të janë. Janë me dhjetëra teknikë pyjesh në të katër anët e rajonit të Prizrenit që flasin me respektin me të madh për inxhinierin dhe ish-drejtorin e tyre, Naim Ramadanin.

Naim Kurtishi, miku i tij më i ngushtë, flet me pietet për z. Ramadani, jam dëshmitar i shumë bisedave e diskutimeve të adashit tim, ai nuk flet por reciton kur tregon për florën e faunën, ai kur rrëfen për pyjet flet tamam si një burim që di të gurgullojë. Pyjet e Kosovës i quan një abitat të veçantë e të rrallë në gjithë Ballkanin, ku krahas bredhit rriten edhe shumë drurë të tjerë, shumë bimësi, shumë kafshë të egra, që vlen të përmendet dhia e egër që e zbukuron dhe pasuron bjeshkët e bukura të Brodit e Restelicës. Për kafshët e rralla që jetojnë në bjeshkët e Sharrit z. Ramadani kishte vendosur korita të shumta ku përmes njerëzve të tij që ka angazhuar hedhnin ushqim për to. Po ashtu ai si kryetar i shoqatës së gjahtarëve “Dhia Egër”, organizon gjueti sa herë paraqiten dëmtuesit, si derrat e egër që janë të shumtë në këto anë. Z. Kurtishi, nuk u qetësua e pa i cituar fjalët e z. Ramadani për dashurinë e madhe për pyjet:” Një intelektual që ka lindur në viset kodrinore- malore, i cili ka pirë ujë të ftoftë e të pastër në burimet e shumta të Sharrit e Pikëllimës, që ka dëgjuar zërin e qyqes e këngën e bilbilit, në degët e pafundme, s’do mend se do të dashurohet në këto masive të gjelbra, dhe pylli do të bëhet pjesë e rëndësishme e jetës së çdo intelektuali e qytetari. I tillë është Naim Ramadani.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-