Opoja.net

KE: Pak progres në luftën kundër korrupsionit në rajon

Rajoni
KE: Pak progres në luftën kundër korrupsionit në rajon

Kosova ka pasur progres të kufizuar në reformat e lidhura me Bashkimin Evropian, kryesisht për shkak të situatës jostabile politike, me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe dy ndërrime të qeverisë, si dhe nevojës për përballje me pandeminë.

Kështu thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që u miratua të martën pasdite në Bruksel.

SUPER OFERTË NGA HOTEL ARXHENA

Ndërrimi i viteve nën bardhësinë e bjeshkëve të Sharrit

SHIKO OFERTAT

 

Në të përshkruhet situata politike prej kur Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të vitit 2019, e deri te krijimi i qeverisë së Avdullah Hotit në maj të 2020-ës, pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti në mars të po këtij viti.

Komisioni kësaj radhe i ka dhënë vërejtje serioze Parlamentit të Kosovës për të cilin pohon se “në periudhën që përfshin ky raport, nuk ka përmirësuar performancën e përgjithshme si një forum për dialog konstruktiv politik, siç është demonstruar dukshëm nga mungesa e kuorumit”. Shtohet se “në legjislaturën e re, megjithatë ka pasur përmirësime sa i përket organizimit të punës së kuvendit”.

Sa i përket procesit zgjedhor, ai vlerësohet në përgjithësi si transparent dhe i administruar mirë, megjithëse ka pasur dobësi në procesin e numërimit të votave.

Edhe kësaj radhe përmendet se në mesin e komunitetit serb ka pasur frikësime të kandidatëve, të cilat nuk ishin nga Lista Srpska (Lista Serbe). Situata në veri të Kosovës vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti sa i përket krimit të organizuar, korrupsionit dhe kushteve për liri të shprehjes.

Progres i kufizuar në administratën publike dhe gjyqësor

Në shumicën e fushave vlerësohet se Kosova ka bërë vetëm progres të kufizuar, si në administratën publike ashtu edhe në sistemin e gjyqësorit. Shtohet se është bërë përparim i kufizuar sa i përket rritjes së transparencës në administratën publike dhe në procedurat e prokurimit publik.

“Koordinimi i dobët qendror dhe ndërministror vazhdon të jetë sfidë për zbatimin e reformave në përgjithësi. Gjatë periudhës së raportimit, rekrutimet pa meritë vazhdojnë të jenë shqetësim, ndërkaq politikëbërja gjithëpërfshirëse e bazuar në prova është penguar nga vendimet ad hoc, shpesh të ndikuara nga interesat e posaçme”, thuhet në raport.

Vlerësohet se gjyqësori është ende i ndjeshëm ndaj ndikimit të panevojshëm politik.

Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit thuhet se Kosova është “në fazën e hershme” në këtë fushë, ndonëse përmendet se autoritetet kanë kryer disa aksione në këtë drejtim.

“Korrupsioni është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz. Nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Sa i përket kriterit ekonomik, Kosova, sipas Komisionit Evropian, është në fazë të hershme dhe ka bërë përparim të kufizuar në zhvillimin dhe funksionalizimit të ekonomisë së tregut. Rritja ekonomike, sipas Raportit, ka vazhduar më 2019, por situata e vështirë në tregun e punës dhe mungesa e diversifikimit ekonomik, vazhdon të jetë sfidë, theksohet në raport. Ndërkaq, në Raporti i Progresit i Komisionit Evropian vlerëson se cilësia e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë në “nivel shqetësues”.

Në këtë Raport, nga Kosova kërkohet po ashtu që të vazhdojë angazhimin në dialog me Serbinë drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila më pas do të mundësonte avancimin në rrugën evropiane.

Nevojë për përmirësim në të gjithë sektorët

Sa i përket përafrimit me standardet evropiane, sipas Komisionit Evropian, Kosova ka një nivel të përgatitjes në këtë aspekt. Përafrimet e ligjeve me ato të BE-së kanë vazhduar në disa fusha, por siç theksohet në raport, zbatimi i tyre është i dobët. BE-ja vlerëson se Kosova ka bërë përparim sa i përket fushës së taksave, përfshirë edhe atë të mbledhjes së të ardhurave.

 

Po ashtu, përparim është vërejtur edhe në lëvizjen e mallrave, shërbimeve e kapitalit si dhe në shërbimet financiare dhe të prokurimit publik. Përparim është regjistruar edhe në fushën e energjisë, veçanërisht në masat për energji efiçiente në sektorin publik dhe një rritje e investimeve në burimet e energjisë së ripërtërishme.

“Në përgjithësi, Kosova ka nevojë të përmirësojë kapacitetin administrativ dhe koordinimin në të gjithë sektorët, për të siguruar në zbatim të ligjeve të BE-së”, thuhet në raport.

Shqipëria: Mesatarisht e përgatitur në shumë fusha

Sipas raportit, Shqipëria ka vazhduar ta radhitë legjislacionin e saj me kërkesat e BE-së në një numër sektorëve duke e përforcuar aftësinë e saj për të marrë obligimet e anëtarësimit. Ky shtet është mesatarisht i përgatitur në shumë fusha, si kontrolli financiar, arsimimi, kultura dhe statistikat, ose ka një shkallë të përgatitjes në fushën e prokurimit publik, politikave sociale dhe punësimit dhe rrjeteve trans-evropiane.

Komisioni thekson se Shqipëria ka vazhduar të karakterizohet nga polarizimi i skajshëm, që është mesatarisht e përgatitur për reformën e administratës publike.

Sipas raportit, sistemi juridik i Shqipërisë ka një nivel të përgatitjet/është mesatarisht i përgatitur. Zbatimi i përgjithshëm dhe i plotë i reformës në drejtësi ka vazhduar në mënyrë të qëndrueshme, duke rezultuar përgjithësisht, në progres të mirë.

Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve (procesi i vetting-ut) ka avancuar në mënyrë të qëndrueshme, duke sjell rezultate te prekshme.

Shqipëria kë një nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese është arritur progres i mirë. Autoritetet shqiptare kanë forcuar operacionalizmin, koordinimin dhe monitorimin e kapaciteteve, në luftë kundër korrupsionit. Shqipëria ka bërë progres të mirë në fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me shtetet anëtare të BE-së. Progres i mirë është arritur në luftën kundër terrorizimit dhe parandalimin/luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Përpjekjet për zbatim duhet të përqendrohen edhe në veprime kundër shpëlarjes së parave.

Sa i përket migrimit, është bërë progres në përmirësimin e kapaciteteve institucionale në menaxhimin e kufijve dhe azilit. Numri i aplikimeve të pabaza për azil nga shtetasit shqiptarë në BE ka rënë, por mbetet edhe më tej i lartë dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe fenomenin e të miturve të pashoqëruar.

Sa i përket kriterit ekonomik, Shqipëria ka bërë progres dhe është mesatarisht e përgatitur në zhvillimin e funksionimit të ekonomisë së tregut. Përderisa, Bruto Produkti Vendor u ngadalësua për shkak të prodhimit më të vogël të energjisë nga hidro-elektranat, sektorët e tjerë kanë performuar mirë dhe papunësia ka vazhduar të bjerë në nivel rekorde të ulëta. Eksportet janë rritur në mënyrë solide dhe balance borxh publik- BPV ka vazhduar të shënojë rënie, por ka qëndruar lartë gjatë periudhës raportuese.

Maqedonia e Veriut: Të vazhdohet zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe me Greqinë dhe Bullgarinë

Raporti i Komisionit Evropian thekson se Maqedonia e Veriut, sa u përket kritereve politike, ka vazhduar të zbatojë reformat e lidhura me BE-në gjatë periudhës së raportimit, si dhe përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për reformën e administratës së saj publike, thekson raporti.

Sipas tij, sistemi gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit “ka njëfarë niveli të përgatitjes, është i përgatitur mesatarisht”, por “ende janë të nevojshme përpjekjet për të siguruar zbatimin sistematik të planit të përditësuar të veprimit për strategjinë e reformës gjyqësore”.

“Përparim i mirë është bërë përmes konsolidimit të hetimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit”, thuhet në raport.

I njëjti thekson se ky vend ka një nivel të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar dhe se ai është i angazhuar në vlerësimin e kërcënimeve në nivel rajonal dhe “do të duhet ta zgjerojë fushën e veprimit në përputhje me praktikat e BE-së”.

“Bashkëpunimi me EUROPOL-in po rritet në fusha të ndryshme kriminale. Koordinimi mbetet vendimtar për të gjithë aktorët e përfshirë në luftimin e krimit të organizuar”, thekson Komisioni Evropian.

Është e rëndësishme të vazhdohet zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës dhe Traktatin për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, thuhet në raport.

Serbia: Korrupsioni çështje shqetësuese

Lidhur me Serbinë, në raportin e Komisionit Evropian thuhet se në Parlamentin e sapoformuar të Serbisë mbizotëron shumica e koalicionit qeverisës dhe mungon një opozitë efektive. Kjo situatë, sipas raportit, nuk është e favorshme për pluralizmin politik në këtë vend.

Raporti thekson se Serbia është mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike. Mungesa e transparencës dhe respektimit të procedurave për rekrutim meritor për pozitat e larta të shërbimit civil, është një çështje shqetësuese dhe gjithnjë e më serioze, thekson raporti.

Për sistemin gjyqësor të Serbisë, ai vlerëson se ka “njëfarë niveli të përgatitjes”, porse “nuk është bërë asnjë përparim gjatë periudhës raportuese”. Edhe në luftën kundër korrupsionit, Serbia ka njëfarë niveli të përgatitjes, por dhe këtu përparimi ka qenë i limituar.

“Në përgjithësi, korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese. Ende nuk ka mekanizëm efektiv për koordinimin e parandalimit”, thotë raporti i Komisionit Evropian, për të theksuar se situatë të ngjashme, Serbia ka edhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Korniza legjislative dhe institucionale për përkrahjen e të drejtave themelore ekziston, por duhet të sigurohet zbatimi i saj i qëndrueshëm dhe efikas, thekson raporti.

Siç është identifikuar edhe në strategjinë e medias, rastet e kërcënimeve, frikësimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve janë ende një burim i shqetësimit serioz, sipas Komisionit Evropian.

Aty po ashtu theksohet se Serbia ka vazhduar të zhvillojë marrëdhënie intensive dhe partneritete strategjike me disa vende në gjithë botën, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Raporti i Komisionit Evropian thotë se janë mbajtur edhe kontakte të shpeshta të nivelit të lartë me Rusinë, si dhe janë bërë vizita të rregullta dypalëshe, stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe marrëveshje për tregti armësh.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po ashtu është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën serbe nga Tel Avivi në Jerusalem deri në korrik të vitit 2021, kujton raporti.

“Serbia i është përshtatur me 60% politikës së përbashkët, të jashtme dhe të sigurisë të BE-së në vitin 2019 dhe duhet t’i rrisë përpjekjet e saj, në mënyrë që ta harmonizojë në mënyrë progresive politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian deri në anëtarësim”, thekson raporti i Komisionit Evropian.

Mali i Zi: Kritikat për lirinë e shprehjes

Në pjesën për Malin e Zi, Komisioni nënvizon se në periudhën në fjalë pati tensione dhe mosbesim mes faktorëve politikë dhe një besim të ulët në kornizën zgjedhore. Parlamenti ishte jo-aktiv për shkak të pandemisë, ndërsa në gusht edhe u shpërnda për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Komisioni vlerëson se procesi zgjedhor në Mal të Zi ishte i organizuar në përgjithësi mirë dhe në mënyrë transparente, por u zhvillua në atmosferë të polarizimeve të mëdha për çështjet e lidhura me Kishën dhe identitetin.

“Këto zgjedhje sollën ndryshime të paprecedentë në shumicën qeverisëse. Parlamenti i ri duhet të angazhohet në arritjen e një konsensusi të të gjitha partive dhe shoqërisë në praktikë dhe në këtë mënyrë të dëshmojnë përkushtimin e Malit të Zi për agjendën e reformave evropiane”, thuhet në raport.

Komisioni në një pjesë të madhe të raportit e përshkruan edhe situatën e krijuar pas miratimit të Ligjit për liritë fetare dhe protestat e mëdha që nisën pas.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni vlerëson se në Mal të Zi korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në shumë fusha dhe kjo është çështje për “shqetësim të madh”. Një lloj progresi është arritur në luftë kundër krimit të organizuar, por kërkohet që të ketë më shumë përparim edhe në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Komisioni ka kërkuar që në Mal të Zi me urgjencë të hetohen rastet e dyshimeve për përdorim të forcës së panevojshme nga ana e policisë.

Kritikat më të mëdha Malit të Zi i janë dhënë për lirinë e shprehjes ku thuhet se “nuk ka pasur progres”. Përmenden rastet e arrestimeve dhe gjykimeve të gazetarëve të disa portaleve, ndërkohë që nuk janë kryer rastet e vjetra të sulmeve ndaj gazetarëve si dhe për vrasjen e një kryeredaktori të një gazete ditore.

Skena mediale në Mal të Zi vlerësohet si shumë e polarizuar dhe fushata e dezinformimit e ka rritur edhe më shumë ndasinë në skenën publike.

Mali i Zi vlerësohet për bashkëpunimin rajonal, por thuhet se në raportet dypalëshe me Serbinë ka pasur tensione.

Mali i Zi është vlerësuar edhe për përshtatjen e plotë me BE-në në politikën e jashtme.

Bosnje e Hercegovina: Pa progres në shumë fusha

Bosnje e Hercegovina, shteti i fundit i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE nga rajoni, ka pasur mungesë të aktiviteteve të kuvendit dhe vonesa në krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve, gjë që ka ndikuar në mungesë të progresit.

Raporti nënvizon se nuk ka pasur progres as në reformën e sistemit zgjedhor sipas standardeve evropiane, sidomos për të siguruar transparencë në financimin e partive politike. Nuk ka pasur progres as në angazhimin e autoriteteve për të bashkëpunuar me shoqërinë civile.

Edhe në fushën e gjyqësorit në Bosnje e Hercegovina nuk është vërejtur progres në periudhën të cilën e ka monitoruar Komisioni Evropian, e që përfshihet në këtë raport. Komisioni vlerëson se as në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto dukuri për Komisionin Evropian në Bosnje e Hercegovinë janë shumë shqetësuese.

Ndikimi politikë në procese, përfshirë edhe në polici, mbetet po ashtu problem në këtë shtet të cilin e përmend Komisioni Evropian në raportin e progresit.

Bosnje e Hercegovina ka luajtur rol aktiv në bashkëpunimin rajonal. Sa i përket qëndrimeve në politikën e jashtme, ajo ka rritur përshtatjen me BE-në, por kjo duhet të forcohet edhe më shumë.

Bosnje e Hercegovina duhet të arrijë më shumë progres edhe në reformat e administratës publike, sidomos duke e depolitizuar administratën.

Komisioni Evropian ka përmendur se Bosnje e Hercegovina është goditur edhe me një valë të migrimit ilegal dhe se BE-ja i ka dhënë asistencë për ta menaxhuar këtë krizë.

Edhe pse në disa fusha Komisioni Evropian ka vlerësuar se ekzistonim baza ligjore, në Bosnje e Hercegovinë problem mbetet zbatimi.

Në përgjithësi Komisioni nënvizon se Bosnje e Hercegovina është në “fazë të hershme” të përgatitjes për obligime që dalin nga anëtarësimi në BE.

Ndryshe, Paketa e zgjerimit, që përmban strategjinë e BE-së për këtë proces dhe raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, miratohen dhe publikohen një herë në vit.

Në to vlerësohen të arriturat në të gjitha këto vende sa i përket përafrimit të legjislacionit me BE-në, progresi në fusha të caktuara, por aty paraqiten edhe mangësitë të cilat i identifikon Komisioni Evropian.

Ky pritet të jetë kabineti i Joe Biden

Opoja.net

Sot një vjet bota ndryshoi, si u paraqit rasti i parë me Covid-19

Opoja.net

Tragjedia në Zvicër: Vdes 15 vjeçari kosovar, pasi u godit nga treni

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net