Opoja.net

Kinezët po ua marrin punën këpucëtarëve në Prizren

Kosova
Kinezët po ua marrin punën këpucëtarëve në Prizren

Prizreni, dikur me shumë më pak banorë kishte shumë më tepër këpucëtarë, por tani prodhimet e këpucëve të lira kanë ndikuar drejtpërdrejt që zeja e këpucëtarit në Prizren të rrezikohet të shuhet. Këpucarët e dikurshëm që për nevoja të kohës prodhonin opinga, qystele, këpucë për fëmijë dhe mbathje të kohës. Këpucëtarët e mëvonshëm vinin kryesisht nga familjet që dikur ishin familje këpucëtarësh. I pari këpucëtar në Prizren thuhet se ka ardhur nga Budapesti, ku ai ishte një usta që në mbretërinë e hershme kishte mësuar të bëjë regjjen e lëkurës, më pastaj ta transferojë atë në punim mbathjesh ushtarake. Ai ishte ndalur në Prizren, ngase regjjen e lëkurës në Prizren e bënin që në kohët e lashta.

Për këtë fakt edhe sot e kësaj dite lagjja ku ata punonin quhet “Tabakhane”. Besohet se ky usta u mirëprit në Prizren, sepse filloi të prodhojë këpucët e para të kohës, ngase këtu ishin të njohur vetëm ustallarët e opingave. Të parat kryesisht nga lëkura e buallicës e më vonë edhe nga lëkurat e tjera. Ata në trashëgimi krijuan lëkurën e meshinit, duke prodhuar, përveç këpucëve, edhe kolona për fishekë, opinga “krygali” të punuara prej lëkurës e të zbardhuara prej shtavitjes, e cila qepej mbrapsht e kthehej mbarë ku pastaj u qepej thembra me një pjesë lëkure, u shtohej rripi me mbërthecka dhe krijonte opinga për fëmijë, që ndryshe i quanin edhe “qystele” .

Si bazë e kishin lëkurën e trashë me sholla. Pastaj bënin maja zbukuruese dhe opinga llastiku dhe qepja nuk u dukej fare. Ata prodhonin edhe takëme për kuaj, shala të vendit “ bashibozuk”, që kështu quheshin, kullona të ndryshëm,rregullonin zbukurime për kuaj, qafëza, jaka e kështu me radhë. Kanë ekzistuar mijëra vjet më parë, por krijimtaria e tyre ka përjetuar ndryshime të shumta.

Prizreni me traditë të lashtë për këpucëtarët

Kah mesi i shekullit XVIII, krijuesi më i njohur i Prizrenit ka qenë usta Riza Begu deri në vitin 1818. Thuhet se familja Bojniku këtë zeje e ka ushtruar në Bojnik të Leskovcit, pastaj e trashëguan bijtë; Zejnullahu e Emërllahu, kurse po atë vit ka ardhur familja Hashimi nga Lebani i Leskovcit për ta përcjellë këtë traditë te usta Riza Begu. Zejen thuhet se e kanë mësuar shumë ustallarë të tjerë, siç ishin: Abdulla Osmani, Qamil Shaqiri, Hamdi Bytyqi pastaj vijnë djemtë e Muhamedit, Selim Dorambari, Isa Ameti, Zeqo Baruti, Rraif Ajgeri, Ali Gashi, deri tek familja e Halit Spahiut, Ismajl Qemajlit, Rifat Memishit duke ardhur tek familja e Ajrullah Tabakut, Hazër Alltiparmakut, Sefedin Laçit, pastaj Ramiz Potori e kështu me radhë. Ndërkaq, duke parë nevojën e madhe dhe duke shfrytëzuar dijen, punën dhe angazhimin e shumë këpucëtarëve të Prizrenit në vitin 1970 të gjithë këta përbashkohen në një punë të përbashkët për të formuar më vonë fabrikën e këpucëve “Komuna”.

Zanati i këpucëtarit rrezikon të shuhet

Ilir Hodaj, këpucëtar nga Prizreni që ka punishten në rrugën e “Saraçëve”, rrugë që dikur kryesisht këtu punon këpucëtarët, jakaxhinjtë, samarxhinjtë etj., është shprehur për “Kosova Sot” se tani e 24 vjet ushtron zejen e këpucëtarit, por tani është vështirësuar mbijetesa e këtij zanati. Mezi arrin të sigurojë një pagë prej 150 deri në 200 euro në muaj. “Prizreni tani nuk i ka as dhjetë këpucëtarë, ngase çmimi i ulët i këpucëve ka bërë që kjo zeje edhe mund të shuhet tërësisht”, pohon ai. Dikur vetëm kjo rrugë i kishte mbi 12 punëtori këpucëtarësh e tash kaq nuk as i gjithë qyteti. Me këtë zeje shumë vështire jetohet. Por, nëse vazhdon kështu nuk e besoj se kjo zeje do të mbijetojë më në Prizren”, është shprehur Hodaj.

Ai shton se edhe në shtetet me traditë të lashtë qytetërimi kanë këpucëtarë si në Gjermani apo Francë, por këtu tashmë ka vërshuar tregu kinez. Ai pohon se tani mund të gjenden një palë këpucë të reja edhe me 5 euro, derisa ka raste kur po kaq apo edhe më shumë ndoshta duhet marrë për të rregulluar një palë këpucë. Ai thotë se prodhimet e dorës pak shiten dhe për shkak të tregut nuk mund të prodhohen, ngase më shtrenjtë është prodhimi i tyre sesa që mund të shiten ato. Profesor Sylejman Randobrava, tani ushtrues i shitjes së prodhimeve të dorës, pohon se është një krizë e tanishme, por shpejt do të rikthehet vlera e zejeve të vjetra në këtë qytet dhe në gjithë botën.

Në Prizren, përmes shoqërisë civile, është bërë një shtytje e dukshme që zejet e vjetra,veçanërisht edhe kjo e këpucëtarëve, të gjejnë subvencione me mjete materiale apo ndihma të tjera. Këtë vit Drejtoria e Turizmit në Prizren ka ndarë një kosto prej 9 mijë euro që të trajnohen disa persona që i duan zejet e moçme.

(Kosova Sot)

Popujt më kursimtarë në rajon, ku renditen kosovarët

Kushtrim Guraj

Në Prizren, 133 gjoba për mosrespektim të masave

Opoja.net

Hoti paralajmëron se mund të ketë masa edhe më të ashpra në fund të javës

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net