Opoja.net

Komuna e Prizrenit, u ofron strehë grave që pësuan dhunë

Kosova
Komuna e Prizrenit, u ofron strehë grave që pësuan dhunë

P ër më të pambrojturit, Komuna e Prizrenit ka themeluar tashmë një shtëpi të sigurt. Aty gjejnë strehë gratë e dhunuara dhe fëmijët. Jubilea Kabashi, drejtoreshë e strehimores, duke folur për “Kosova Sot”, tregon se aty tashmë banojnë 51 gra e fëmijë. Por, kjo qendër ka vështirësitë e veta.

“Vështirë po arrijmë t’ia dalim. Ngase janë gra që ikin nga dhuna familjare, bashkë me fëmijë e ka edhe adoleshentë, ku si pasojë e dhunës në familje po gjejnë strehë në këtë strehimore”, shprehet drejtoresha Jubilea Kabashi. Strehimorja e sigurisë për gra e fëmijë apo siç quhet Qendra e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, aktualisht ka 51 gra e fëmijë. Kurse për 16 vjet të funksionimit të saj, kjo qendër ka strehuar 800 gra e fëmijë.

Komuna ndau vetëm 2 mijë euro gjatë vitit 2016

Kabashi shprehet se tani shtëpinë ua ka siguruar Komuna e Prizrenit, por kjo është e pamjaftueshme, ngase ato gra të dhunuara e të stresuara nga jeta, kërkojnë përkujdesje, strehim, ushqim dhe veshmbathje.

“Kjo vështirë po arrihet”, tregon Kabashi për “Kosova Sot”. Ajo shpjegon se rreth 50 për qind të këtyre harxhimeve i mbulon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kurse gjatë vitit 2016 edhe Komuna e Prizrenit i ka ndihmuar me 2 mijë euro mjete materiale.

“Por, këto nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha nevojat që ka kjo strehimore. Gratë që janë viktimë e dhunës familjare shpesh edhe fëmijët e tyre kanë nevoja të shumta”, shprehet Kabashi. Ajo me këtë rast falënderon edhe KFOR-in gjerman, të cilët përkujdesen jo rrallë për veshmbathjet e këtyre grave dhe fëmijëve në këtë strehimore. “Duke parë se nevojat janë shumë të mëdha, kemi arritur që edhe të bëjmë një projekt për fuqizimin ekonomik të viktimave të dhunës, sipas projektit të BE-së, ku kemi ftuar mekanizmin koordinues kundër dhunës në Prizren”, thotë Kabashi.

Me këtë rast, është bërë edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi në mes strehimores dhe institucioneve. “Ajo që presim nga ky memorandum- marrëveshje është fakti se presim në të ardhmen të kemi mundësi të punësimit të grave të kësaj strehimore në institucione apo kompani më të mëdha private. Krejt kjo për të pasur një të ardhme më të sigurt”, tregon drejtoresha e kësaj Qendre, Jubilea Kabashi.

Sigurimi i objektit

Përfaqësuesja e Komunës Mybexhele Zhuri, koordinatore e Zyrës për Barazi Gjinore, tha se Komuna e Prizrenit i ka dhënë objektin e kësaj qendre dhe po kështu e ka ndihmuar edhe me mjete financiare. “Obligimi i Komunës është që viktimat e dhunës t’i strehojë në qendër, t’i mbështet për punësim apo për strehim. Ne do të mundohemi që atë strehimore ta ndihmojmë sa më shumë, pastaj do të shohim edhe mundësinë se si të gjejmë forma të tjera për të ndihmuar”, ka thënë Zhuri. Ndërsa, dr. Naim Fanaj, neuropsikiatër, shprehet se dhuna në familje është e ndjeshme për secilën shoqëri.

“Dhuna ekziston edhe në vendet e tjera në botë. Në Kosovë dhuna në familje bëhet nga shumë faktorë, si ekonomikë, socialë dhe psikikë. Kjo shkakton dhunë në familje. Faktorët e dhunës janë të shumtë”, ka thënë Fanaj, duke shtuar se viktimave të dhunës në familje u nevojitet mbështetja e shoqërisë, kurse qendra në Prizren është shembull i kësaj mbështetjeje. “Ato mund t’i ndihmojmë me punësim, pasi në këtë formë do të kenë mundësi edhe të pavarësohen”, ka thënë Fanaj.

Duan vende pune

Nuhi Koçinaj, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prizren, thotë se sa i përket strehimores së grave, kjo çështje është problematike. “Tashmë është bërë një zgjidhje me objekt, por ka edhe përkrahje nga Ministria dhe qeveria komunale. Disa nga ato gra të dhunuara janë integruar dhe janë kthyer në familjet e tyre. Mirëpo, nevojë e madhe e tyre është punësimi dhe pavarësimi i tyre. Ne si qendër kemi edhe këso raste dhe kemi një bashkëpunim të mirë më Qendrën e Sigurt të Grave. Pavarësia e këtyre personave është një siguri për të ardhmen”, ka thënë Koçinaj. Ndërsa, drejtoresha Jubilea Kabashi tregon se kjo strehimore ka siguri të plotë dhe nuk ekziston mundësia për të biseduar me ato gra për shkak të sigurisë. Kjo strehimore është e lidhur ngushtë me institucionet e sigurisë si me policinë, Prokurorinë Themelore etj.

(Kosova Sot)

Nuk ka vendim të ri të Qeverisë për masat anti-covid

Opoja.net

Hoti takohet me Zemaj për të vendosur rreth masave të reja

Opoja.net

Punëtorët e KEK-ut konsiderojnë se protestat janë të pashmangshme

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net