Kosova drejt botërorit pa stadium

Sport
Kosova drejt botërorit pa stadium

Përfaqësuesja e Kosovës, do t’i fillojë kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” më 5 shtator të këtij viti kundër Finlandës si mysafire.

Mirëpo, nuk ka stadium ku t’i zhvillojë ndeshjet si vendës.

Asnjëri prej stadiumeve të ekipeve kosovare nuk i plotëson kushtet që kërkon FIFA dhe UEFA për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare.

Në mungesë të një fushe me dimensione standarde dhe kushte të pranuara për lojë, djelmoshat verdh e kaltër do t’i presin kundërshtarët në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Aty do të ndeshen kundër Kroacisë më 6 Tetor, shkruan Gazeta Fjala.

“Nuk do të jetë e lehtë që të organizohen ndeshjet jashtë Kosovës, por e kemi edhe ndihmën e organeve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe autoriteteve të vet stadiumit. Por, ne besojmë se edhe kjo brengë do të marrë fund kur të përfundojnë punimet në Prishtinë e Mitrovicë”, thotë për Gazetën Fjala, Fazli Berisha, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përveç kushteve të tjera infrastrukturore që kërkojnë stadiumet kosovare, një kriter bazë janë edhe dimensionet e fushës ku zhvillohet loja.

Në rregulloren e FFK-së për edicionin 2016/2017, neni 32 për terrenet futbollistike, shkruan se UEFA parasheh proporcionet maksimale të fushës të jenë 120 x 80 metra.

Proporcionet që parasheh UEFA, nuk i plotëson asnjë stadium në Kosovë.

Mirëpo, disa prej stadiumeve të ekipeve kosovare i plotësojnë kriteret e proporcioneve minimale që parasheh UEFA e që janë 105 x 68 metra dhe 100 x 64 metra.

Dimensione pothuajse të ngjashme për sezonin e ardhshëm, i ka lejuar edhe IFAB (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit), i cili për ndeshjet ndërkombëtare parasheh dimensionet maksimale 110 x 75 metra, si dhe ato minimale 100 x 64 metra.

Prishtina nuk i di dimensionet e stadiumit

Kampioni i Kosovës, Feronikeli, ka bërë një investim prej rreth 700 mijë eurosh në stadium si donacion i Bashkimit Europian, derisa dimensionet e fushës edhe pas rindërtimit janë 105 x 68 metra.

Ndërkohë, tek klubi i Prishtinës, nuk kanë janë në dijeni se sa janë dimensionet e fushës në stadiumin e tyre.

I kontaktuar nga Gazeta Fjala, një zyrtar i ekipit prishtinas ka thënë që nuk ka dijeni se sa kanë qenë dhe sa janë dimensionet e fushës, por që FFK-ja i ka informacionet për dimensione, pasi këta të fundit janë në mbikëqyrje të rindërtimit.

Në anën tjetër, FFK-ja në përgjigjen për Gazetën Fjala, nuk kanë dhënë ndonjë shifër të saktë, por kanë thënë se sa i përket dimensioneve të fushës, ato kanë qenë në bazë të standardeve të lejuara dhe do të jenë edhe pas rindërtimit në përputhje me standardet e UEFA-s.

Ndërsa, kanë shtuar se zyrtarë të ekipit prishtinas kanë mungesë të dhënash rreth dimensioneve të fushës.

Kurse, kriteret minimale të dimensioneve të stadiumeve për garat vendore, i plotësojnë edhe stadiumi i Gjilanit, Drenicës, Besës, Llapit, Flamurtarit dhe KEK-ut.

Ndërkaq, Trepça, Trepça ’89, Drita e Vëllaznimi nuk japin të dhëna.

Në të gjitha këto stadiume do të mund të zhvillohen takime ndërkombëtare të përfaqësues së Kosovës, nëse ato arrijnë t’i plotësojnë standardet e kërkuara UEFA dhe FIFA.

Kërkohen investime në stadiumet ekzistuese

Më 3 dhe 13 Maj të këtij viti, Kosovës iu hapën dyert për të luajtur në futbollin ndërkombëtar, duke u pranuar në këto dy organizata të futbollit.

Ndërkaq, më 9 Qershor, Këshilli për Çështje Emergjente i UEFA-s, vendosi që Kosova të jetë pjesë e grupit l për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018?.

Por, brenga e përfaqësueses është stadiumi, i cili është premtuar nga Qeveria e Kosovës por që nuk do të jetë gati me fillimin e ndeshjeve të përfaqësueses.

Megjithatë, derisa, Kosova do t’i luaj takimet në ”Loro Boriçi” të Shkodrës, investimet në terenet futbollistike do të vazhdojnë.

Përveç investimeve në stadiumin e Prishtinës, në FFK bëjnë të ditur se investime do të ketë edhe në Mitrovicë, Pejë e Gjilan.

”Paralelisht MKRS ka ndarë mjete për aftësimin me standarde edhe për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ndërkohë, janë ndarë mjetë edhe për stadiumet në Pejë dhe Gjilan. Ndërsa, FFK-ja do të agazhohet që përmes projekteve dhe donacioneve nga UEFA dhe FIFA, të bëjë përmirësimin e infrastrukturës në futboll varësisht nga prioritet që do të përcaktohen”, bën të ditur Berisha.

Kante po largohet nga Chelsea?

Kushtrim Guraj

Në Shqipëri vazhdon bojkotimi i futbollit

Kushtrim Guraj

Shkëlqimi dhe rënia e Alexandre Pato

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net