Opoja.net

Kosova gati u përjashtua nga garat ndërkombëtare!

Sport

Kosova për pak i ka shpëtuar më të keqes – përjashtimit nga të gjitha garat ndërkombëtare sportive. Këtë e ka zbuluar ekskluzivisht për Gazetën Express Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Institucioni më i lartë sportiv në vend tregon se ky rrezik iu kishte kanosur sportit kosovar si rezultat i mospërfilljes së kontrollit dhe luftës Anti-Doping. Ky rrezik nuk kalon pa u themeluar Agjencia Kosovare për Anti-Doping.

Kosova ende nuk e ka Agjencinë Kosovare për Anti-Doping as pas gjashtë vjetësh prejse është anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar apo katër vjet pas inkuadrimit të sportit më të popullarizuar, futbollit, në UEFA dhe FIFA.

Dhe për këtë Kosova ishte në rrezik për ta paguar një çmim të shtrenjtë – të suspendohet me përjashtim nga të gjitha garat sportive ndërkombëtare. Këtë e ka zbuluar ekskluzivisht për Gazetën Express Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) – institucioni më i lartë sportiv në vend – i cili është përballur me një presion dhe rrezik të madh ndërkombëtar.

Krejt kjo kishte ardhur si rezultat i faktit që Kosova nuk e ka përfillur luftën anti-doping, ndaj të cilit fenomen janë shumë të përkushtuara të gjitha shtetet tjera anëtare të organizatave ndërkombëtare të sportit.

Sipas KOK-ut, Ligji për Sport i shtetit tonë e obligon Qeverinë e Kosovës që ta themelojë Agjencinë Kosovare për Anti-Doping me propozim të Ministrisë së Sportit. Agjenci të tilla kanë themeluar shtetet tjera dhe të gjitha ato janë tashmë anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare për Anti-Doping (WADA), ku Kosova ende nuk është anëtarësuar si rezultat i mos-themelimit të kësaj agjencie në vendin tonë. Mos-themelimin e kësaj agjencie nga institucionet tona shtetërore është arsyetuar me “mungesë të pajisjeve apo aparaturës mjekësore dhe mungesës së kuadrave profesionale”.

Kështu, WADA për pak e ka futur Kosovën në listën e zezë të saj. Dhe kjo pastaj do t’i kushtonte Kosovës me pezullim nga arena ndërkombëtare.

“Kosova ka rrezikuar të hynte në listën e zezë për mospranimin e rregullave te WADA-s, si dhe përjashtimin nga pjesëmarrja në të gjitha garat ndërkombëtare, sikur KOK të mos pranonte që përkohësisht të merrte këtë përgjegjësi mbi vete”, ka deklaruar për Gazetën Express sekretari gjeneral i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj.

Ai theksoi se Kosova i ka shpëtuar më të keqes pasi KOK-u gjeti mirëkuptim të “përkohshëm” nga WDA duke e marrë vet përgjegjësinë për Anti-Doping derisa të Qeveria ta themelojë Agjencinë Kosovare për “Anti-Doping”.

“Rëndësia e kësaj Agjencie Kombëtarë për Antidoping është shumë e madhe tek çdo shtet, ngase e gjithë përgjegjësia për promovimin, koordinimin dhe monitorimin e programit të kontrollit të dopingut në sportin e një vendi mbetet tek kjo Agjenci. Më tutje KOK në rolin e Agjencisë Kombëtarë për Antidoping do të merret me zbatimin e rregullave dhe politikave të Antidopingut, e që duhet të jenë në përputhje me Kodin e WADA-s, si dhe do të bashkëpunoj me organizata tjera rajonale të Antidopingut, duke promovuar kështu edukimin dhe arsimimin e Lojës së pastër kundër përdorimit të substancave të ndaluara”, thotë Haxhijaj.

Gazeta Express shkruan se dopingu është bërë temë këto ditë në sportin kosovar pas një deklarate shokuese që e ka dhënë në emisionin “Favorit” në T7 ish selektori i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, i cili tani punon si instruktor në UEFA. Bunjaki tha se dopingu përdoret në futbollin kosovar dhe se ky është fakt i pamohueshëm.

“Dopingu është problem shumë i madh në Kosovë. Ne mundemi me e mbyll këtë temë dhe mundemi të mos e diskutojmë, mirëpo dopingu ekziston në futbollin e Kosovës, mjerisht. Ekziston ky problem, ka ekzistuar edhe më herët dhe ekziston edhe tani. Mirë është të bisedohet me lojtarë, ta kemi edhe qendrën e dopingut”, deklaroi Bunjaki në emisionin “Favorit”.

Ndaj këtij deklarimi ka reaguar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Sekretari Eroll Salihu i ka thënë Gazetës Express se kjo temë është e ndjeshme dhe duhet pasur kujdes në deklarime publike njerëzit si Albert Bunjaki.

Në Kosovë që nga paslufta ka pasur dyshime të forta për përdorim të substancave të ndaluara. Madje, ka pasur raste kur ish futbollistë e kanë pranuar se ky fenomen ekziston në futbollin kosovar dhe ka pasur nga ata që pas pensionimit nga futbolli aktiv edhe vet e kanë pranuar përdorimin e dopingut gjatë kohës kur ishin lojtar.

Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur kryesisht në futbollin kosovar. Ndërsa, edhe specialistë të mjekësisë sportive kishin dhënë alarm për përdorim të substancave të ndaluara në sportin tonë ku nuk ka as kushte elementare për luftën Anti-Doping që e bëjnë shtetet tjera.

Në vendin tonë përpos që nuk ka Agjenci Anti-Doping mungojnë edhe kushtet elementare për kontroll, si një laborator i thjeshtë apo aparatura përcjellëse. Ndërsa, mungonin edhe kuadrat profesionale, të cilat veç sa kanë nisur të trajtohen dhe të mësojnë falë ndihmës së organizatave sportive ndërkombëtare.

Kurse, ndikim kanë pasur edhe kushtet e këqija në objekte sportive. Për shembull, në futbollin kosovar nuk ka stadiume – përpos “Fadil Vokrrit” – që i plotësojnë kërkesat për kontroll anti-doping, ndonëse UEFA kërkon një varg kriteresh:

“Stadiumi duhet të jetë i pajisur me një stacion të dedikuar për kontroll të dopingut. Stacioni i kontrollit të dopingut duhet të jetë afër zhveshtoreve të ekipeve dhe i paarritshëm për publikun dhe mediat. Ai duhet të jetë të paktën 20 metra katrorë dhe të përbëhet nga një dhomë pritjeje, dhomë testimi dhe tualet, të gjitha ngjitur. Dhoma e pritjes duhet të jetë pjesë, ose të jetë menjëherë ngjitur me dhomën e testimit. Ajo duhet të ketë ulëse të mjaftueshme për tetë persona, objekte ose dollapë për varje të rrobave, dhe një frigorifer. Dhoma e testimit duhet të ketë një tryezë, katër karrige, një lavaman me ujë, një kabinet me dry dhe një hapësirë tualeti. Hapësira e tualetit duhet të jetë brenda dhomës së testimit, ose menjëherë ngjitur me të dhe me qasje të drejtpërdrejtë private në dhomën e testimit. Ajo duhet të ketë një tualet për t’u ulur, një lavaman me ujë të rrjedhshëm dhe, nëse është e mundshme, një dush”. /GazetaExpress/

Loading...

Mos i humb

Arsenal dhe Man Utd në ‘luftë’ për yllin e Bayern Munich

Kushtrim Guraj

Milani pritet t’i mposht ekipet e mëdha për transferimin e ‘Pirlos’ së ri

Kushtrim Guraj

Ky është zëvendësuesi ideal i Messit te Barcelona

Kushtrim Guraj

Interi mund të nënshkruajë me Messin

Kushtrim Guraj

Pogba, plani A i Real Madridit, e Camvinga plani B

Kushtrim Guraj

AC Milan po e transferon 50 milionshin italian

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net