Kujdesuni për gabimet tuaja, jo për gabimet e njerëzve të tjerë …

Opoja.net Opoja.net Artikuj

“I lumi ai që merret me gabimet e veta, dhe jo me gabimet e të tjerëve, e ndanë tepricën e pasurisë së tij, kujdeset të mos flasë panevojë, si dhe e ngjall sunetin dhe nuk e zëvendëson me risi (bidat).” /Hadith, e transmetojnë Dejlemiu, Bezzari dhe Bejhekiu nga Enes b. Maliku, kurse Ebu Nuajm e ​​transferuan nga Husein b. Aliu (r.a.)/ Theksohet se me një rast pejgamberi Muhamed (savs), duke mbajtur një fjalim në xhami dhe duke i këshilluar të pranishmit i ka thënë fjalët e mësipërme.

Me të vërtetë është i lumtur një njeri i cili angazhohet me punët dhe përgjegjësit e tij, si dhe merret me gabimet dhe lëshimet e tij, pa hyrë panevojë në jetën e njerëzve të tjerë dhe në gabimet e tyre. Megjithatë, ne jemi dëshmitarë se rreth nesh ka disa njerëz të cilët preokupim kryesor i kanë njerëzit tjerë, jetën e tyre, si dhe gabimet e tyre. Ata shumë më tepër merren me të tjerët, duke i theksuar lëshimet e tyre, e njëkohësisht, duke e neglizhuar vetveten. Muhamedi (savs), muslimanëve ju ka ndaluar ta bëjnë zbulimin e turpit të tjerëve, të bëjnë thashetheme, t’i bartin fjalët e huaja, sepse ka muslimanë që i hulumtojnë dhe i shprehin publikisht gabimet e të tjerëve.

“Kur dëshirosh t’i zbulosh turpet e dikujt, kujtoji gabimet dhe mangësitë e tua.”(Rafi’i) Allahu i Plotfuqishëm,në Kuran dhe Pejgamberi (savs) në hadith,kanë treguarvlerën e dhënies dhe ndarjes, duke theksuar se atyre që ndajnë dhe i ndihmojnë të tjerët, ajo që kanë ndarë ju kthehet shumëfish.

Muslimanët janë të njohur për bujarinë e tyre, dhe si të mos jenë, kur feja e tyre fisnike Islami ua përcakton zekatin dhe sadekatul-fitrin, në të njëjtën kohë, përveç kësaj, ua rekomandon edhe sadakën vullnetare, dhe dhuratat (hedije) si forma të shprehjes së kujdesit ndaj të tjerëve. Sa i përket kontrollit të fjalës dhe kujdesit të njeriut për atë se çka flet, Islami këtij tiparitë kujdesit i kushton vëmendje të madhe. Është i njohur hadithinë të cilin Pejgamberi (savs),paralajmëron dhe thotë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, le të flasë atë që është e mirë (e dobishme), ose le të heshtë!”

Hadithi i theksuar në fillim të këtij teksti gjithashtu e tregon këtë tipar të rëndësishëm dhe veti të besimtarit, për të cilin ne duhet të kemi kujdes. Ata të cilët nuk i kushtojnë kujdes asaj që flasin, flasim gjëra të padobishme dhe i shpenzojnë fjalët e tyre në të pavërteta, shpifje, thashetheme e të ngjashme, mund të shpresojnë për një provim të vështirë në Ditën e Gjykimit. Prandaj, muslimani i vërtetë e flet vetëm atë që është e dobishme, përndryshe gjuha e tij është e angazhuar me dhikër (me përmendje e shpeshtë dhe lavdërim të Allahut).

Nga hadithi i mësipërm, gjithashtu, konkludojmë se njerëzit do të kenë shpërblim të madh, edhe për ringjalljen e sunetit të Pejgamberit tonë (savs), siç konfirmohet edhe me shumë dëshmi të tjera të Kuranit dhe hadithit. Kundrejt sunetit qëndrojnë risitë në fe, nga të cilat jemi të detyruar të shmangemi në të gjitha aspektet e besimit dhe ibadetit tonë, sepse risitë në besim dhe ibadet janë kurth shumë i rrezikshëm, sidomos për ata që nuk i dinë mjaftueshëm rregullat dhe qëllimet e Islamit.

Muhamed el-Gazali, në një nga librat e tij thotë: “Janë përhapur mendimet e dobëta dhe drejtimet e gabuara…”.Për këtë ne jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe me mendimet e dobëta, këtu në Ballkan, jemi takuar tash një kohë të gjatë. Ata që sinqerisht duan ta ndjekin dhe praktikojnë sunetin e Pejgamberit (savs), posulmohen dhe ngacmohen nga pasuesit e bidatit, të cilët, ndoshta për shkak të edukimit të tyre të dobët, të shkujdesjes dhe mungesës së njohurive mbiqëllimet e shumë rregullave të akaidit dhe fikhut, me të gjitha forcat i mbrojnë mendimet e tyre të dobëta dhe bidatet e përhapura.

Ata që e ndjekin Muhamedin (savs),në mënyrën e besimit, sjelljes dhe ibadetit, nuk duhet ta kthejnë kokënprapa dhe të heqin dorë për shkak të injorancës së atyre që nuk janë dashamirës, sepse vetë praktika e Pejgamberit (savs), kërkon këmbëngulje, shpejtësi dhe besnikëri ndaj idesë së Vërtetës, pavarësisht nga numri i atyre të cilëve kjo e Vërtetë nuk ju përshtatet. Nëse jemi thirrës të sinqertë në fenë e Allahut, të cilët me sjelljet e tyre tërheqin vëmendjen e të tjerëve, duke i respektuar dhe marrë parasysh ndjenjat e njerëzve përreth vetes, me të vërtetë do të jemi të ndihmuar nga Allahu, kështu që ende duke qenë në këtë botë, insha Allah, do t’i shohim frytet e përpjekjes dhe punës sonë. Kurse shpërblimi i ahiretit është shumë më i bukur dhe sigurisht më i nevojshëm dhe i mjaftueshëm.

Le të kujdesemi për gabimet tona, jo për gabimet e njerëzve të tjerë. Le të flasim atë që është e dobishme, dhe,me mençuri le tu ndajmë dhe ndihmojmë atyre që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Gjithashtu, le t’i përmbahemi me forcë sunetit dhe xhematit, ndërsa për nga edukata dhe sjellja jonë e bukur, le të njihemi në shoqëri, mu ashtu siç ishte edhe mësuesi ynë – Muhamedi (savs). Ai ishte njeriu me edukatën dhe moralin më të bukur, si dhe personi me tiparet më të bukura pozitive njerëzore.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-