Opoja.net

Kushtendili i Prizrenit, ka mbetur me vetëm një banor

Kosova
Kushtendili i Prizrenit, ka mbetur me vetëm një banor

Lezi dhe Kushtendili janë dy prej fshatrave më të thella të Prizrenit, por atje tash pothuajse nuk ka mbetur frymë njeriu. Madje, këto dy fshatra më nuk figurojnë as në hartën e komunës, kur janë në pyetje investimet. Këto dy fshatra kanë një banor të vetëm dhe ky është Bahtijar Berisha. Është ky bariu, i cili me tufën e tij të deleve u bën roje këtyre bjeshkëve. Prizreni ka një varg fshatrash piktoreske, si: Gorozhupi, Planeja, Milaj në rajonin e Hasit, pastaj Lezi e Kushnini në rajonin e Vërrinit, apo Struzha në Luginën e Lumëbardhit. Por, në këto fshatra është zvogëluar në mënyrë drastike numri i banorëve. Kjo vjen për shkak të mungesës së kushteve elementare për të jetuar. Kësaj radhe ne kemi vendosur të vizitojmë fshatin Kushtendil (ish-Kushnin) që dikur para lufte kishte shumë familje me një numër të madh banorësh. Në fshatin Kushtendil ishim me veprimtarin me aktivistin Burim Shala, kryetar i Shoqatës së Invalidëve. Ai kujton se dikur fshati numëronte mbi 300 banorë.

“Këtu pas lufte nisën jetën 8 familje, por duke parë se stili i jetës kishte ndryshuar, edhe ato familje u detyruan të ikin nga aty, duke lënë të shkreta kroje e male, fusha e ara”, na thotë Shala. Por, mësohet se atje ende ka mbetur një odë e lagjes Berisha me derë të hapur dhe secili që do të marrë frymën e vendlindjes shkon dhe ka derën e hapur në atë odë. Ajo që e befason secilin është fakti se gjithmonë çarçafët janë të rinj dhe të pastër. Bashkëshoqëruesi ynë, Burim Shala shprehet se bëhet fjalë për një familje mjaft të kamur dhe bujare, e cila kujdeset për odën vazhdimisht, derisa edhe ata që e vizitojnë fshatin kujdes për të.

Duan të kthehen përsëri në fshat Ilam Berisha, drejtor i shkollës “Xhevat Berisha” në Prizren, njohës i kësaj treve, pohon se fshati në afërsi të Lezit, është Kushtendili, i cili është boshatisur i tëri dhe ka mbetur pa asnjë banor, me shumë shtëpi që nuk shfrytëzohen as gjatë verës. “Atje tashmë është një banor jorezident, xha Bahtijari”, tregon ai për “Kosova Sot”. Ilam Berisha shpjegon se në fshat ka shtëpi që janë ndërtuar pas lufte, por tash kanë ikur njerëzit prej atje. “Toka nuk është tokë bukanike, por është tokë e mirë për të pasur bagëti”, shpjegon Berisha. Sipas tij, rrushi i këtij fshati dikur ishte më i kërkuari në Prizren. “Por, ajo që tashmë është lajm i gëzuar atje kanë shprehur interesim për t’u rikthyer 10 familje. Kjo nëse ndodh besojmë se është një veprim shumë i mirë i atyre familjeve, uji e ajri i këtij fshati janë si ilaçe që s’kanë çmim pagese”, shprehet Berisha.

Atje mendon të rikthehet edhe ndonjë familje, si ajo e dëshmorit Hajdar Shala. Me të dëgjuar këtë lajm, shkrimtari i kësaj ane nga Malësia e Vërrinit, që është autor i mbi 75 librave, Gëzim Ajgeraj që tani jeton e vepron në Zvicër, duke folur për “Kosova Sot”, ka potencuar se duhet të krijohen kushte e rrethana që atje të kthehen të gjithë. Sipas tij, këto dy fshatra dhe vetë Vërrini i ngjajnë shumë Alpeve të Zvicrës.

“Unë mendoj se duhet të krijohet një komision përkatës me përbërje nga vendës dhe bashkatdhetarë, sidomos nga këta dy fshatra, dhe që tokat e stërgjyshërve mos t’i lëmë ashtu. Atje edhe varret flasin, janë fshatra që mund të jetohet më ëmbël e më shëndetshëm se në Prizren dhe kudo tjetër. Unë tani në secilën shkollë sa herë vij shkojmë dhe organizojmë nga një orë letrare, sepse atje duam ta rikthejmë mendjen”, flet me dashuri të veçantë shkrimtari.

Dikur Kushtendili ishte një vend strehimi për kaçakët Njohës të rrethanave në Vërri, Ilam Bersha dhe Gëzin Ajgeraj shpjegojnë se kanë gjetur shumë gojëdhëna në këtë fshat se dikur Kushtendili ishte strehë e kaçakëve. Thuhet se kaçakët në këtë fshat ndiheshin shumë të sigurt, për shkak të sigurisë dhe fshehtë- sisë që mbanin banorët të këtij lokaliteti si dhe terrenit të thyer. Ajgeraj tregon edhe për guximin që e treguan vërrinasit për të mos dhënë tokat e tyre në kohën e kolonizimit.

“Askush nga kjo anë nuk pranoi të nënshkruante në dhënien e tokës ‘Progresit’. Pavarësisht se një pjese iu mor me dhunë, ata kurrë nuk u pajuan me një vendim të tillë. Iniciativën për mosdhënien e tokës e kanë kundërshtuar fillimisht banorët e Hoçës së Qytetit, sepse ata kanë qenë të varur kryesisht nga toka, e cila shtrihej fushës së Prizrenit. Kësaj iniciative i janë bashkuar edhe bujqit nga Lybeqeva, Leskoveci, Jeshkova, Billusha, Poslishti, Lezi e Kushtendili.

Të gjithë banorët e kësaj ane, nuk e kanë nënshkruar fare tapinë për dorëzimin e tokës. Shteti, edhe pse i mori këto toka me dhunë, nuk mundi t’i mbajë më shumë se dy vjet të kolektivizuara. Një pjesë që mbeti nën pronën e progresit, ishin prona të individëve që kishin nënshkruar, me qëllim punësimi në këtë organizatë shoqërore, ose diku tjetër, por kjo pjesë e të nënshkruarve ishin qytetarë që jetonin në qytet. Më në fund, pas dy vjetëve të mbajtjes së këtyre tokave, ‘Progresi’ i liroi ato, dhe sërish pronarët e tyre u bënë zotë të atyre pronave. Kurse në këtë kohë takimet të shumta ishin mbajtur pikërisht në Kushtendil, ngase aty takoheshin dhe lidhnin besë vërrinasit për punë dhe angazhime të shumta”, tregon Ajgeraj.

Fshatrat që po zhduken një nga një nga harta Megjithatë, atyre u dhemb që tani fshati ka mbetur pa asnjë banor. Ilam Berisha pohoi se qeveria komunale dhe ajo qendrore duhet të interesohen që këtë fshat të bukur ta rikthejnë në jetë. Edhe ish-banorë të tjerë të fshatit shprehen me mallëngjim për fshatin që u detyruan ta lënë. “Atje rrushi ka pasur ëmbëlsi më të madhe se mjalti”, thotë Islam Thaçi, banori i fundit që e ka lëshuar këtë fshat. Ai ndihet krenar që ishte nga ky fshat dhe ndihet krenar për historinë e lavdishme të Kushtendilit. “Atje ka shumë lloj barishtesh që shumë do t’i duhen mjekësisë.

Pastaj ajo pak tokë, por ishte tokë shumë gratçore dhe ajo tokë ka mbajtur gjallë shumë banorë e shumë mysafirë që veronin në këto anë”, tregon ai. Por, nuk janë në gjendje të mirë tash as fshatrat si Milaj, që po rrezikon të zhduket, sepse që nga paslufta atje vetëm një familje ka ringritur shtëpi të re, kurse numri i familjeve që jetojnë atje është pesë, nga mbi 70 sa kishte dikur.

Shpejtim Bulliqi i LVV-së fiton pa balotazh

Opoja.net

Zemaj nuk e përjashton mbylljen totale të vendit – vendimi të hënën

Opoja.net

Universiteti i Oxfordit rendit Kosovën të parën për masat që mori, por nuk ndikoi në uljen e të infektuarve

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net