MBËSHTETUNI TEK ALLAHU

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Mbështetuni fort tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj.

Sa Mbrojtës i mirë, sa Ndihmës i mirë është!

Fjala “i’tisam”, e cila do të thotë, “të mbahesh, të kapesh fort”, në një vend të Kuranit Kerim, kalon në formën, “Të mbahesh fort pas litarit të Allahut”, ndërsa në disa vende të tjera, kalon direkt, “Të mbahesh, të kapesh fort tek Allahu”. Në ajetin 103 të sures Al-i Imran, urdhërohet:

“Të gjithë mbahuni fort pas litarit të Allahut (Kurani) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut ndaj jush, sepse, Ai i pajtoi zemrat tuaja kur ishit në armiqësi e në sajë të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.”

Sipas komentuesve të Kuranit, shprehja “litari i Allahut”, që kalon në këtë ajet, nënkupton “librin, fenë e Allahut”. Ndërsa shprehja “ishit buzë greminës së zjarrit”, është në formë metaforike, e cila e bazuar në gjuhën letrare të Kuranit, do të thotë se për t’ju shpëtuar prej kësaj gremine, është hedhur një litar.

Shprehja, “i’tisam bi hablillah – mbahuni pas litarit të Allahut”, e cila kalon në Kuran, është shumë e njohur dhe përkujtohet shpesh. Ndërsa shprehja “i’tisam billah – mbahuni tek Allahu”, nuk njihet shumë, madje edhe nëse njihet, shpeshherë përkthehet si “mbahuni pas litarit të Allahut”. Mirëpo, fjalët hyjnore janë të zgjedhura dhe në disa vende kalon,“mbahuni tek Allahu”, e në disa vende të tjera, “mbahun tek Ai”.

Ajetet e mëposhtme janë ato të cilat përmbajnë shprehjen “i’tisam billah – mbahuni, mbështetuni tek Allahu”:

“E si mund të mos besoni kur juve ju lexohen shpalljet e Allahut dhe midis jush ndodhet i Dërguari i Tij?! Kush mbahet fort pas Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë.” (Al-i Imran, 101.)

“Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” (en-Nisa, 146.)

“Kështu, ata që besojnë Allahun dhe mbështeten fort tek Ai, (ta dinë se) Ai do t’i fusë në mëshirën dhe mirësinë e Vet dhe do t’i udhëzojë drejt Vetes përmes rrugës së drejtë.” (en-Nisa, 175.)

“Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur ju myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” (el-Haxhxh, 78.)

Në fakt, edhe thirrja “mbahuni fort pas litarit të Allahut”, edhe thirrja, “mbahuni tek Allahu”, janë thirrje të kohëve kur besimtarët përjetojnë turbullira në mendime dhe “përçahen e bëhen grupe-grupe”. Në një farë kuptimi, është një thirrje për“të mbledhur mendjen” dhe për t’u bashkuar tek “Libri e Feja e Allahut”. Përveç kësaj, një turbullirë e tillë mendimi, nënkupton rrezikun që i kanoset njeriut me “rënien në greminën e zjarrit”, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Ndërkohë që në ajetin 103 të sures Al-i Imran, urdhërohet: “mbahuni fort pas litarit të Allahut”, në ajetin 101 të po kësaj sureje, urdhërohet: “mbahuni tek Allahu”. Ndërsa në ajetin 102, që ndodhet midis këtyre dy ajeteve, bëhet një thirrje e tillë:

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Al-i Imran, 102.)

Këtu nënvizohen dy kritere të domosdoshme:

  1. Takvaja. Frika dhe shqetësimi nga shkëputja e dashurisë së Allahut.
  2. Vetëdija për të jetuar gjithmonë si mysliman dhe për ta dhënë frymën e fundit si mysliman… Pra, shqetësimi se mos nuk e plotëson jetën duke qenë mysliman.

Kur është i shpërbërë e i shpërndarë, njeriu e ndjen më shumë nevojën për t’u mbajtur e për t’u kapur diku. Kur furtunat fryjnë përreth jush, ju kërkoni një liman për t’u strehuar, një degë për t’u kapur, një litar të pakëputshëm ose një shtyllë të pathyeshme…

Në fakt, në Kuran, aty ku përmenden shprehjet: “mbështetuni tek Allahu ose mbahuni fort pas litarit të Allahut”, janë vende ku tërhiqet vëmendja ndaj situatave të tilla ku ka rrezik shpërbërjeje.

Para se të kalohet në shprehjen e ajetit 146 të sures Nisa, ku thuhet: “mbështetuni tek Allahu”, zënë vend ajetet paralajmëruese ndaj “hipokrizisë në besim”, e cila është një gjendje e tronditjes shpirtërore, e konfuzionit të mendimeve dhe e lëkundjes së besimit. Madje, në ajetin 136 të sures Nisa, i cili fillon me shprehjen: “O ju që besuat!”, më pas urdhërohet:“Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, Engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë”.

Nëse mendojmë pak mbi urtësinë e këtij ajeti, ku “ai që beson”“thirret të besojë përsëri”, kuptojmë shumë qartë se“situata e hipokrizisë” ka shkaktuar shpërbërjen e besimit dhe për t’u mbrojtur prej kësaj, duhet të kërkojmë një “Mbrojtës”pas të cilit të mbahemi dhe i cili nuk rrëzohet kurrë.

Le t’i lexojmë me vëmendje ajetet 137-145 të sures en-Nisa, të cilat përmbajnë “paralajmërim ndaj hipokrizisë”:

“Ata që në fillim besojnë dhe pastaj e mohojnë besimin, më pas sërish besojnë dhe sërish e mohojnë besimin dhe thellohen në mosbesim, Allahu, me të vërtetë, nuk do t’i falë dhe nuk do t’i shpjerë në rrugë të drejtë.” (137.)

“Paralajmëroji hipokritët (o Muhamed) për dënimin e mjerueshëm që i pret” (138.)

“Ata që miqësohen me mohuesit e jo me besimtarët! Vallë, tek ata kërkojnë fuqi, kur, në të vërtetë, e gjithë fuqia i përket vetëm Allahut!” (139.)

“Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë, përndryshe do të ishit si ata. Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit.” (140.)

“Ata përgjojnë se çfarë do të bëhet me ju. Kështu, nëse ju vjen fitorja nga Allahu, ata thonë: ‘A nuk ishim vallë me ju?’ E, nëse mohuesit arrijnë fitore, hipokritët u thonë: ‘A thua nuk ju ndihmuam deri në fitore dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve të vërtetë?’ Allahu do të gjykojë ndërmjet jush në Ditën e Kiametit. Allahu nuk do t’u japë kurrë rast mohuesve që t’i shkatërrojnë besimtarët.” (141.)

“Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (142.)

“Luhaten në mëdyshje, – nuk janë as me këta, as me ata. Këdo që Allahu shpie në humbje, ti (o Muhamed!) nuk do të mund t’ia gjesh rrugën.” (143.)

“O besimtarë! Mos i zgjidhni mohuesit për miq – në vend të besimtarëve! A mos vallë doni t’i jepni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?” (144.)

“Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” (145.)

Nga këto ajete, arrijmë të kuptojmë një tip të tillë personaliteti:

…Që zhytet në konfuzion mendimesh duke qëndruar vazhdimisht në mjediset ku diskutohen dhe tallen ajetet e Allahut… që anon nga besimtarët kur ata janë më të fortë ose nga mohuesit kur ata arrijnë fitore… që ngrihet me përtesë në namaz… që vepron vetëm për t’u dukur para njerëzve dhe duke kujtuar se është i zgjuar, kaplohet nga ndjenja se mund të mashtrojë Allahun… që i braktis besimtarët dhe miqësohet me mohuesit duke kërkuar lavdi e nder tek ata… që nuk është më i vetëdijshëm ndaj faktit se lavdia dhe nderi janë vetëm për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët… që lëkundet midis mohimit dhe besimit dhe që nuk arrin të lidhet plotësisht as me besimtarët dhe as me mohuesit…

Ky pra, është tipi me mendje të turbullt. Tipi i kohëve të shpërbërjes, i kohëve kur syri nuk mund të shohë syrin dhe kur zemrat janë çorientuar.

Resulullahu (a.s.), e ngjason këtë situatë me “errësirën e thellë të natës” dhe njofton se duhet të ruhemi prej kësaj. Po ashtu, sipas paralajmërimit të Resulallahut (a.s.), ndaj një situate të tillë: “Në mëngjes njeriu del nga shtëpia si besimtar, ndërsa në mbrëmje kthehet si mohues. Në mbrëmje hyn në shtëpi si besimtar, ndërsa në mëngjes del si mohues.” (Muslim, Iman, 186.)

Kjo do të thotë se:

Kjo është një situatë aq e keqe, saqë brenda një kohe shumë të shkurtër njëditore, do të përjetohen çorientime të mëdha zemrash midis besimit dhe mohimit. Zemra, njëherë anon nga besimi, njëherë përplaset në mohim.

Kjo është koha kur njeriu kërkon një degë për t’u kapur, një liman për t’u strehuar e një mbrojtës për t’u mbështetur…

“Mbrojtës është Allahu!”

Po! Kështu urdhërohet në fjalën hyjnore! Ja ajeti 9 i sures esh-Shura:

“Vallë, a mos zgjedhin ata mbrojtës tjetër, përveç Atij?! Sigurisht, vetëm Allahu është Mbrojtësi. Ai i ngjall të vdekurit dhe është i Fuqishëm për çdo gjë.”

Tani le t’i lexojmë edhe një herë shprehjet e fundit të ajetit 78 të sures el-Haxhxh, të cilin e përmendëm më sipër:

Mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!”

“Allahu është Mbrojtësi…” (esh-Shura, 9.)

“Ai është Mbrojtësi juaj…” (el-Haxhxh, 78.)

“Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” (el-Haxhxh, 78.)

Mbahuni tek Ai!

Shikoni si na mëson Allahu se si të mbahemi e të mbështetemi tek Ai vetë! Mblidhe zemrën dhe drejtohu nga Ai:

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” (Al-i Imran, 8.)

Shikoni se si edhe vetë Resulullahu (a.s.), mbahet e mbështetet tek Allahu me dua/lutje:

“Ja mukallibe’l-kulub! Thebbit kalbi ala dinike. O rrotullues i zemrave! Forcoje zemrën time në fenë Tënde.” (Tirmidhi, Kader, 7.)

Vetëm ata që i drejtohen Atij, mbahen e kapen tek Ai duke e ndjerë Atë si mbrojtës dhe duke besuar se vetëm Ai mund t’i ndihmojë, se vetëm Ai ka fuqinë dhe gjykimin absolut dhe se vetëm Ai mund të japë jetë e të ringjallë edhe në vdekjet fizike edhe në vdekjet shpirtërore, janë mbajtur tek Ai që duhet të mbahen.

Të lutemi tek Ai Mbrojtës e Ndihmës i mrekullueshëm, tek Ai Bujar, tek Ai Mëshirëplotë, tek Raufi, tek Rahimi, tek Uedudi, tek Gafari, tek Settari, tek Teuuabi, që të na ndihmojë të mbledhim zemrat dhe mendjet tona pa na i vënë re shpërbërjet e përplasjet tona dhe të na i forcojë zemrat që të mbahemi fort pas Tij!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-