Me rastin e 20 vjetorit të rënjes së Hashim Ajupit nga Zymi i Opojës

Opoja.net Opoja.net Personazhe

KUJTIM RRËQETHËS Natën e 17 Korrikut dhe ditën e 18-të të këtij muaji, të vitit 1998, i përjetoi rëndë popullata e trevës së Opojës!

Me rastin e 20 vjetorit të rënjes së, HASHIM (HALIT) AJUPIT, nga Zymi i Opojës, (1981 – 17. 07.1998)

Vitet e 1990-ta ishin mjaft të vështira për shqiptarët anekënd Kosovës, e edhe për ata në trevën e Opojës…
Në pikat strategjike të kësaj treve, sidomos pas vitit 1997, forcat serbe sa vinin e shtoheshin. Njëra nga ato ishte edhe vendi i quajtur Dubravë afër Zymit. Kjo njëherit ishte edhe bazë ushtarake e APJ-së. Aty u patën pozicionuar ushtarë të shumtë serbë me artileri të rëndë, dhe vetëm Zoti e dinte se çka kishte në të, ngase disa mjete i patën futur në tokë, si dhe për shkak të dendësisë së drunjëve nuk mund të hetohej se sa mjete dhe ushtarë ishin saktësisht. Nga ky vend mund të vëzhgohej thuajse i tërë teritori i komunës së Dragashit, por edhe pjesët e kufinjve të Maqedonisë dhe të Shqipërisë, pra andej nga kufizohet Dragashi… Aty serbët patën bërë edhe një postbllok famëkeq, dhe shpeshherë qytetarët ndaleshin, kontrolloheshin, provokoheshin, maltretoheshin…
Një fat të rëndë e pati edhe fshati Zym, meqë ndodhej afër kësaj baze – të Dubravës.
Më 17 Korrik të vitit 1998, në mbrëmje, forcat serbe patën marrë një ofanzivë të tmerrshme, e që në shënjestër kishin shtëpinë e Halit Ajupit nga fshati Zym, të cilën thuajse gjatë tërë natës (me intervale) e kanë sulmuar me mitralozë e minahedhës…, ngjashëm siç vepruan edhe në shtëpinë e Adem Jasharit – Prekaz. Popullata e Zymit, të papërgatitur, duke mos e ditur se çka po ndodh, kishin menduar se serbët ia kanë mësyrë të gjithë banorëve dhe shtëpive të këtij fshati. Disa prej tyre gjatë asaj nate janë larguar përmes një lugine në drejtim të fshatrave përreth…
Të nesërmen u kumtua lajmi i dhembshëm, se është vrarë djali i Halit Ajupit – Hashimi, 17 vjeç, në njërën dhomë të shtëpisë së tij, kurse familjarët e tjerë, boll në rrezik, por patën shpëtuar. Hashimi ka qenë i goditur me disa plumba të kalibrit të madh. Varrimi i të ndjerit është bërë të nesërmen me 18 korrik, në ora 16 në arën e tij (përkohësisht), sepse nuk është lejuar që varrosja të bëhet në varrezat e fshatit. As në varrim nuk lejuan forcat serbe që të tuboheshin më tepër se 15 vetë, kryesisht familjarë të të ndjerit.
Gjithashtu, në mëngjesin e 18.07.1998, po në Dubravë, me breshëri plumbash ishte sulmuar edhe vetura e Ridvan Muhametit nga Bresana, i cili po shkonte në Prizren për punët e tij personale, por për fat të mirë shpëtoi pa e kapur plumbat.

Shkruar nga hoxhë Kasam Muhameti, përcjellë Opoja.net.

(Disa informacione për këto data janë marrë nga Bedri Halimi)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-