Opoja.net

Mjekët ushtarakë italianë informojnë të rinjtë e Prizrenit për parandalimin e COVID-19

Kosova
Mjekët ushtarakë italianë informojnë të rinjtë e Prizrenit për parandalimin e COVID-19

Roli i të rinjve në parandalimin e përhapjes së koronavirusit është i rëndësishëm, prandaj ata duhet të jenë të informuar dhe njëherësh të kujdesshëm në zbatimin e masave mbrojtëse është thënë në kuadër të një ligjërate të organizuar nga Komuna e Prizrenit dhe KFOR-i italian me anëtarët e Kuvendit të Rinjve të Prizrenit.

Në aktivitetin e mbajtur në QKMF, ku të rinjtë janë lidhur edhe nga distanca, mjekët dhe infermierët ushtarakë italianë kanë paraqitur pikëpamjet rreth parandalimit të përhapjes së koronavirusit, duke theksuar edhe rëndësinë e informimit të drejtë të moshave të reja rreth kësaj teme, transmeton KOHA.

“Besojmë me vendosmëri në këto nisma, sepse rinia janë e tashmja dhe e ardhmja e cdo shteti, prandaj është me rëndësi që të shkëmbehen informatat për COVID-19 në këtë moment, sepse jo vetëm që po përballemi me pandeminë, por kemi edhe infodeminë”, ka thënë Cristian Benegiamo nga ekipi mjekësor ushtarak italian. Sipas tij aktivitete të ngjashme janë realizuar gjithandej Kosovës gjatë dy muajve të shkuar.

“Ekipi mjekësor ushtarak italian ka punuar prej javës së parë të shtatorit në mbështetje të institucioneve lokale në luftën kundër pandemisë. Tani po e përmbyllim misionin tonë me këtë aktivitet”, ka thënë Benegiamo.

Ndërsa Donat Nixha nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit ka pohuar se aktivitetet e tilla ndërgjegjësuese janë të mirëseardhura për të rinjtë.

“Roli i të rinjve është shumë i rëndësishëm në parandalimin e pandemisë, sepse ne duhet të mendojmë edhe për anëtarët tjerë të familjes më në moshë. Është më rëndësi të jemi të informuar, dhe të jemi të kujdesshëm duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse”, ka thënë ai.

Nixha ka shtuar se sjellja e të rinjve në raport me pandeminë ka nevojë për përmirësime. “Ka raste ku ka edhe elemente të papërgjegjësisë në këtë situatë të pandemisë, por gjithsesi me një vlerësim gjeneral mund të them se jemi duke u përballur me situatën në një nivel të qëndrueshëm”, ka deklaruar Nixha.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Narqize Arënliu-Hoxhaj ka bërë të ditur se mjekët dhe infermierët ushtarakë nga Italia në mënyrë vullnetare kanë shprehur dëshirën për të mbajtur ligjëratën lidhur me COVID-19 me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. “Kanë preferuar që të ligjërojnë për moshën 18-22 vjeç duke qenë se në këtë moshë ndoshta nuk shfaqen simptomat por mund të jenë bartës të virusit. Prandaj mjekët italianë sot kanë njoftuar të rinjtë e Prizrenit për masat mbrojtëse me qëllim që virusi mos të përcillet tek personat tjerë”, ka përfunduar ajo.

Këta janë ministrat që shpenzuan përtej limiteve për dreka e darka zyrtare

Kushtrim Guraj

Të hënën pritet të bie borë, këto janë temperaturat e javës së ardhshme

Opoja.net

QKUK e konfirmon vdekjen e 29 vjeçares shtatzëne nga koronavirusi, ishte nga komuna e Prizrenit

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net