Opoja.net

Pos tërheqjes nga Trusti, çka parasheh Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike?

Kosova
Pos tërheqjes nga Trusti, çka parasheh Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike?

Kuvendi i Kosovës ka votuar sot në lexim të parë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike ka marrë aprovimin në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të hënën, në tentimin e shtatë. Projektligji ka 13 nene, dhe është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021. Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, projektligji parasheh ndryshime në TVSH, e tatime në të ardhura për korporata.

Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me Numër Identifikues të Fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.

Në kohën kur Qeveria kishte miratuar projektligjin ishte konsideruar se “këto ndryshime padyshim do të lehtësojnë kredi-marrjen për bizneset dhe do të lehtësojnë barrën e tyre gjatë procesit të rimëkëmbjes ekonomike”.

Ndër çështjet më të përfolura ka qenë krijimi i mundësisë që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Sipas qeverisë, me këtë mekanizëm do të futeshin në treg rreth 200 milionë euro.

Ndryshime është paraparë të ketë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji parasheh reduktimin e normës së TVSH-së nga 18 për qind në tetë, për furnizimet e hoteleve, restoranteve, dhe shërbimeve të ushqimit si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore.

Po ashtu, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Pra, do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.

Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore, synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.

Projektligji të hënën kaloi në parim me 64 vota pro, në tentimin e shtatë. Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë dalë kundër. Të dyja e kanë kritikuar qeverinë për pikën për Trustin, ndërsa kanë konsideruar se projektligji s’ka të bëjë me rimëkëmbjen.

Është paralajmëruar se mes dy leximeve do të ketë konsultime me të gjitha palët në Kuvend.

Për të hyrë në fuqi ky ligj, duhet të kalojë në Kuvend edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë duhet të dekretohet nga Presidenti e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Shpejtim Bulliqi i LVV-së fiton pa balotazh

Opoja.net

Zemaj nuk e përjashton mbylljen totale të vendit – vendimi të hënën

Opoja.net

Universiteti i Oxfordit rendit Kosovën të parën për masat që mori, por nuk ndikoi në uljen e të infektuarve

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net