Opoja.net
Meka Mish

Prizrenasi flet për “BBC” – Bersant Celina e zgjodhi Kosovën me zemër

Bersant Celina ka rrëfyer për “BBC” rreth jetës së tij, duke folur për luftën në Kosovë, rritjen në Norvegji, transferimin në Angli dhe vendimin për ta përfaqësuar Kosovën para Norvegjisë

Bersant Celina do të rikthehet këtë fundjavë tek e kaluara e tij. Futbollisti kosovar, i lindur në Kosovë dhe i rritur në Norvegji do të luajë me Swansean e tij kundër Manchester Cityt, ku e kishte kaluar një pjesë të karrierës, shkruan BBC.

Futbollisti prizrenas i ka shpalosur objektivat e tij, duke folur fillimisht për duelin me “Citizens” në FA Cup të shtunën, për të vazhduar më pas për synimet dhe për rrugëtimin e tij nga lufta e deri tash.

“Manchester City është vendi ku jam bërë njeri”, ka thënë fillimisht Celina për “BBC Sport Wales”.

“Ky klub kishte një ndikim të madh në mua. Ata kanë lojtarë mjaft të mirë të rinj dhe trajnerë të shkëlqyeshëm. Akademia e re ishte ndërtuar derisa unë isha aty dhe ishte një vend i jashtëzakonshëm”, ka shtuar ai.

Celina ishte vetëm 13 vjeç kur skautët e Cityt po e monitoronin derisa po luante në ekipin Stromsgodset.

Në moshën 15 vjeçare ai lëvizi drejt Manchesterit.

“Unë nuk e kisha përfunduar ende shkollën. Ta lija familjen dhe miqtë ishte një hap i madh. Ishte e vështirë, por më duhej të sakrifikoja diçka. Mendoj se është vendimi më i mirë që e kam marrë ndonjëherë”, nënvizoi Celina.

Familja Celina ishte larguar nga Kosova në kohën kur lufta po fillonte.

Ai u rrit në Norvegji. “Jam lindur disa vite para se të shpërthente lufta. Ne u larguam më herët se të fillonte lufta e vërtetë. Jam mjaft i lumtur që nuk kam qenë aty, por e kishim familjen që ishte në atë kohë në Kosovë”, rrëfen Celina.

“Unë shkova në Norvegji me nënën dhe me dy vëllezërit dhe më pas babai na u bashkëngjit më vonë. Ishin kohëra të vështira, por ne ia dolëm. Vendi e kaloi këtë dhe tash njerëzit në Kosovë janë të lumtur”, tregon përfaqësuesi kosovar.

Celina ndien lidhje të fuqishme me Norvegjinë, të cilën e ka përfaqësuar në kategori të ndryshme të reja deri në U-21.

Por, kur Kosovës iu lejua zhvillimi i ndeshjeve miqësore në vitin 2014, Celina, i cili në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç, u bë pjesë e ekipit më të ri në Evropë, raporton Gazeta Express.

Për një kohë ishte bërë debat nëse do ta përfaqësonte Norvegjinë apo Kosovën, por Celina u lidh me vendin e lindjes dhe e bëri paraqitjen e parë në një ndeshje zyrtare kundër Finlandës në vitin 2016.

“Unë gjithmonë e dija se isha nga Kosova, por ndihesha norvegjez po ashtu, sepse atje isha rritur”, shpjegon futbollisti.

“Në atë kohë nuk kishte Përfaqësuese të Kosovës, kështu që objektiv imi ishte të luaja për Norvegjinë. Më pas, Kosova e bëri ekipin dhe u pranua në UEFA e FIFA. Kjo e ndryshoi mënyrën e të menduarit tim. E zgjodha Kosovën sepse ndiej se ishte vendimi i duhur. Unë shkoj gjithmonë në Kosovë, në vendin ku jam lindur. E dua atë vend”, shton Celina.

Sipas tij, në Kosovë ka pasion të madh për futbollin. “Do të thotë gjithçka për të gjithë lojtarët dhe familjet e tyre për të luajtur për këtë vend. Njerëzit duan që ne të bëjmë punë të mirë. Ata na mbështesin. Do të thotë shumë sepse ata kanë kaluar kohëra të vështira”, përfundoi Celina./Express/

Mos i humb

Akil Gjakova fiton medaljen e artë në “GP Budapest 2019” pas triumfit në finale ndaj xhudistit rus

Opoja.net

Pas Muriqit, Fenerbahce synon edhe Pajtim Kasamin

Opoja.net

Dani Alves është futbollisti i parë që fiton 40 trofe

Opoja.net

Avdijaj largohet nga Debreceni, rikthehet në Zvicër

Opoja.net

Zyrtare: Etrit Berisha prezantohet te Spal

Opoja.net

Erdhi nga akademia e Lirisë, Dellova konsiderohet si lojtar më perspektiv i Hajdukut

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net