Opoja.net

“Prizreni gjallërohet nga njerëzit nga iftari deri në syfyr” (Video)

Kosova

Ekziston një përshtypje e përgjithshme, që Prizreni, është më i bukuri qytet i Kosovës.

Pas çlirimit, që kur Kosova është bërë lehtësisht e qasshme për tu vizituar, Prizreni është bërë një destinacion thjesht i pashmangshëm për turistët. Në shekullin e XIX, kur popullsia e qytetit qe rreth 50.000 banorë, Prizreni ishte qyteti me prodhimin më të madh artizanal në Ballkan: armët e armëpunuesve të Prizrenit tregtoheshin në tërë Ballkanin, në Egjipt dhe në gjithë Mesdheun Lindor.

Pas ndërtimit të hekurudhës Selanik – Beograd, rëndësinë e Prizrenit si kryeqendër e Vilajetit të Kosovës e mori Prishtina, dhe pikërisht këtu qëndron dhe fati i Prizrenit që duke mos u modernizuar shpejt, ai u ruajt duke mbetur mjaft autentik. Sot, Prizreni ka rreth 170 mijë banorë dhe gati në çdo rrafsh, është qyteti i dytë më i rëndësishëm pas Prishtinës. I shtrirë anës Lumbardhit, ato që më së shumti i japin hijeshi Prizrenit, janë xhamitë dhe godinat e vjetra të kohës osmane, rrugët ma kalldrëm, urat e gurit, “Ura e kaltër e dashurisë”, kalaja e qytetit dhe mbi të gjitha, vetë historia që ka patur Prizreni.

Megjithëse ai nuk ka ndonjë festival demash apo karneval kostumesh siç i kanë qytetet spanjolle e italiane, Prizreni ka një sezonë gjatë të cilës ambientet e qytetit, marrin pamjen e tyre më të mikëpritëse. Është fjala për stinën e verës dhe sidomos sikur këtë vit, kur në të qëllon muaji i Ramazanit. Me të hyrë në këtë muaj, oraret e jetës publike në Prizren ndryshojnë kurse vetë qyteti merr një pamje më unike. Duke qenë mbase qyteti me jetën më të kultivuar tradicionale në vend, shumica e banorëve këtu mbajnë agjërim gjatë këtij muaji të kalendarit islam.

Kjo bën që dita të jetë fare e qetë, kurse nata të marrë gjithë gjallërinë e qytetit.
Teksa afrohet perëndimi i diellit dhe njëkohshëm me të koha e vaktit të iftarit, restorantet anës Lumbardhit, mbushen me njerëz që do të hajnë iftar jashtë.
Shumë familje, çifte të dashuruarish, grupe shoqërish dhe kolegësh rezervojnë qysh më herët një vend këtyre lokaleve për të bërë iftar.

Gjersa i afrohemi mbrëmjes, tavolinat e agjëruesve, mbushen me pitajkat aq të njohura të Prizrenit si dhe me ushqime të tjera. Pak metra më tutje, takojmë një grup nxënësish filloristë që iftarin e kësaj dite do ta hajnë së bashku. Siç na tregojnë shërbyesit e këtyre restoranteve, gjatë Ramazanit, këtu vijnë për të bërë iftar agjërues nga e tërë Kosova. Pak kohë para se ora të jetë 8 e 25 minuta kur dhe është koha e iftarit të kësaj dite, të gjithë mbajnë shikimin drejt minareve të xhamive, në pritje të thirrjes së myezinëve dhe ndezjes së dritave. Pas ezanit të lutjes së mbrëmjes, kur të gjithë janë duke ngrënë iftar, qyteti zhytete në një qetësi gati ceremonial.

Përveç restoranteve, në Prizren shtrohen edhe shumë iftarë publik bamirësie, që janë të hapur për çdo agjërues. Një orë pas vaktit të iftarit, turma njerëzish nga të gjitha anët, mbushin rrugët e kalldrëmta dhe Prizreni kthehet në qytetin më të gjallë të Kosovës. Duke kaluar nga një anë e lumit në tjetrën ata kërkojnë të gjejnë një vend nëpër këto lokale, ku shumica pijnë kafe dhe çaj të zi. Njëkohësisht me këtë jetë nate, gjatë muajit të Ramazanit, në Prizren gjallërohet edhe jeta fetare.

Rreth dy orë pas vaktit të iftarit, ata që janë më të përkushtuar ndaj fesë, ia mësyjnë xhamive për të falur namazin e teravive, një lutje e veçantë gjatë Ramazanit dhe më e gjata falje në islam. Para dhe pas kësaj lutjeje klerikët myslimanë, ndër të cilët ka edhe të ardhur nga Turqia veçantë për këtë muaj, mbajnë ligjërata që kryesisht u kushtohen rëndësisë së agjërimit. Për atmosferën në Prizren gjatë natës, nga iftari deri në syfyr, mund të kuptoni nga një reportazh i KTV-së në kuadër të emisionit COSMO.

Universiteti i Oxfordit rendit Kosovën të parën për masat që mori, por nuk ndikoi në uljen e të infektuarve

Opoja.net

28 Nëntori festohet me frikën e Covid-19 dhe atyre që nuk besojnë në virus

Opoja.net

Zbulohet shtatorja e komandantit Adem Jashari në “Abi Çarshia” të Prizrenit

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net