Opoja.net
Meka Mish

Prizreni ishte dhe është kryeqytet i kombit shqiptar. Pse?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

U bë kryeqytet historik në emër të pazareve të miratimit të Ligjit për shpalljen e Prishtinës për kryeqytet të shtetit të Kosovës. Por, është pikërisht historia, e cila na mëson se Prizreni ishte dhe është kryeqytet i kombit shqiptar. Pse?!

Një Parlament me deputetë të padijshëm si ky i Kosovës nuk ka se si të prodhojë ndryshe, përveçse ligj i cili e trajton Prizrenin kryeqytet historik të Kosovës. Aty ku ishte zemra e kombit shqiptar, ku mendohej dhe hartoheshin projekte politike dhe të sigurisë për shqiptarët nga Pazari i Ri (Novi Pazari) e deri në Gjirokastër, nga Shkupi e deri në Ulqin, sot krerët e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare bëjnë teatër.

Sikur dje Krajl Petri dhe Millosheviqi, edhe sot qeveritë e të dy shteteve shqiptare bëjnë spektakël me zhvillimin e mbledhjeve të qeverive, në përpjekje për t’i bindur shqiptarët se në Prizren është bërë vetëm histori, ashtu siç e trajton sot Beogradi zyrtar: zhvillimi shekullor i Prizrenit ka kontribuar që ky qytet të bëhet i njohur si qendër historike, shpirtërore dhe kulturore serbe. Pse?!

“Kryeqyteti historik i Kosovës”

Ky togfjalësh nuk mund të ketë tjetër burim, pos Kuvendin e Kosovës, aty ku një tufë injorantësh po prodhojnë ligje, me të cilat edhe historia do të skuqet, e lëre më pasardhësit e tyre. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin që Prizreni u shpall kryeqytet historik në mënyrë që të miratohet ligji që e shpall Prishtinën kryeqytet të Kosovës, kjo i tejkalon të gjitha përmasat e një turpi! Nenit 4 iu shtua pika 2, në mënyrë që Ligji për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës ta përcaktojë edhe kryeqytetin historik. Debatet PËR dhe KUNDËR u shkrinë në seancën e 17 majit, ku 66 deputetëve nuk u pengoi kjo manovër dhe ishin vetëm deputetët serbë që e kundërshtuan.

Nuk kaloi shumë dhe me këtë vendim filluan të mburren parlamentarët kosovarë, sepse ai nxiti reagime të ashpra në Serbi, pikërisht tek ata primitivë që i gëzohen lojës në Kuvendin e Kosovës. Kush tjetër do të reagonte i pari, përveçse ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, cili e cilësoi këtë vendim si provokimin e radhës nga Kosova. “Nëse Haradinaj dhe Thaçi janë të shqetësuar rreth Prizrenit, unë jam i frikësuar për numrin e madh të serbëve që dikur jetonin atje”, tha ministri serb.

Ndërkohë më të ashpër në deklaratat e tyre ishin historianët serbë. Çedomir Antiqi tha se një veprim i tillë është një përpjekje për ripërcaktimin e historisë. “Kjo është një lojë e vjetër e shqiptarëve. Është dëshirë për ta kompensuar atë që Kosova nuk e ka. Kosova është një vend pa histori dhe kulturë dhe kështu po tentojnë të kalojnë nëpër fazat e zhvillimit që kanë kaluar vendet e tjera”, tha Antiqi. Historiani tjetër, Radosh Lushiq, e ka cilësuar shpalljen e Prizrenit si kryeqytet historik si shenjë për krijimin e Shqipërisë së Madhe. “Shqiptarët duan që Prizreni të rritet në nivelin e qendrës historike, që ky të jetë kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë së Bashkuar. Kjo e shmang konfliktin nëse qendra e Shqipërisë së Madhe duhet të jetë Tirana apo Prishtina”, tha Lushiqi, duke e vlerësuar Prizrenin si sinonim të historisë serbe.

Po, Serbia kishte dhe ka shumë arsye që ta bindë opinionin e gjerë se Prizreni është qendër historike serbe, por kjo nuk vlen për institucionet e Kosovës. T’ia mohosh një shqiptari nga Pazari i Ri, Shkupi, Gjirokastra ose Ulqini, Janina ose Presheva, se Prizreni nuk është kryeqyteti i tij, ky nuk është vetëm krim. Madje, as Kuvendi i Prizrenit – pas Luftës së Dytë Botërore – i cili e bëri nul Konferencën e Bujanit, nuk mund të quhet një ngjarje historike që e dëmtoi vetëm Kosovën. Vendimet e këtij Kuvendi, që e pamundësuan të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, për bashkim ose jo me shtetin shqiptar, i dëmtuan interesat e Shqipërisë si të tërë, interesat kombëtare dhe besimin e Luftës Nacional Çlirimtare, përmes së cilës u krijua lëvizja antifashiste ose lëvizja më antikombëtare që e njeh kombi shqiptar.

Kjo ishte edhe përpjekja e fundit serbe për ta bërë Prizrenin që shqiptarët të turpërohen, por sërish sot nuk ka shqiptarë që shkelë në këtë qytet dhe nuk tjetërsohet edhe shpirtërisht. Jo pse është qyteti ku u zhvillua Lidhja e Prizrenit, jo pse Edi Rama dhe Hashim Thaçi bëjnë spektakle kombëtare, por sepse është qyteti i vetëm ku çdo shqiptar ndjehet krenar. Në Prizren, aty ku u ngjiz dhe frymon shpirti shqiptar!

Kryeqytet i kombit shqiptar

Besëlidhja (Itifak) nuk është vetëm një zhvillim historik, siç e mendojnë deputetët e popullit të Kosovës ose ata 66 deputetë që e votuan këtë ligj, i cili e njeh Prizrenin kryeqytet historik të Kosovës.

“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirtë, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.”, tha Abdyl Frashëri në fjalën hyrëse të mbledhjes së përgjithshme ku u vendos të krijohet një organizatë politike dhe ushtarake, me një qendër drejtuese dhe me degë përkatëse në krahinat e ndryshme të vendit. Kështu filloi punë ajo besëlidhje, që më vonë u quajt “Lidhja shqiptare” ose “Lidhja e Prizrenit”. Jo për të bërë histori, por për ta shpëtuar kombin shqiptar, duke parashtruar kërkesat e tij në Kongresin e Berlinit, i cili do të fillonte më 13 qershor 1878.

Kararnameja (Libri i Vendimeve) e këtij Kuvendi kërkonte që Serbisë, Malit Zi, Greqisë ose cilitdo shtet tjetër, të mos i lëshohen tokat shqiptare. Dhe, për t’u vërtetuar se nuk kemi të bëjmë me një paçavure, si procesverbali aktual i Kuvendit të Kosovës, por për një zotim me vetëdije të lartë kombëtare, “Pleqësia qeveritare qendrore” me seli në Prizren e organizoi kombin në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Zhvillimet që pasuan në Pazar të Ri, me forcat austro-hungareze dhe ato në Gjakovë me forcat e Portës ku mbeti i vrarë Mehmet Ali Pashë Maxhari, dëshmuan se kjo lëvizje kombëtare po e merr në dorë pushtetin. Këtu buroi edhe ideja për autonomi shqiptare nga Janina në Pazar të Ri. Gjithçka çfarë ndodhi pas kësaj, ndërhyrjet e fuqive të mëdha, përçarjet në Lidhje dhe, më pas, edhe përndjekja nga ushtria e Perandorisë Osmane, si dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, do të jetë një leksion i mirë për ringjalljen dhe zhvillimin e kombit shqiptar.

Copëtimin e tokave shqiptare, çdo shqiptar, nuk e ndjen me aq shumë turp sa në Prizren, të cilin e konsideron kryeqytetin e tij, aty ku shqiptarët një herë u bënë bashkë dhe i sfiduan dy perandoritë e mëdha, atë austro-hungareze dhe më pas edhe atë osmane.

Ashtu siç sot flasin të dhënat austriake dhe ato të Portës, në Prizren jetonte një shumicë shqiptare dhe aty kishte boshnjakë, bullgarë, vllahë dhe serbë. Situata nuk është e ngjashme sot, sepse ishte regjimi serb ai i cili i dëboi në drejtim të Shqipërisë të gjithë ata bullgarë dhe vllahë që nuk iu nënshtruan Kishës Ortodokse të Serbisë, dhe janë kriminelët serbë ata që i vranë fqinjët e tyre shqiptarë dhe ikën në Serbi në vitin 1999. Por, kjo nuk e bën as më pak dhe as më shumë Prizrenin shqiptar, por, siç e përshkruante Mitrush Kuteli në perlën e tij, “Në Prizren, midis të vdekurve e të gjallëve”.

Themeluesit e Lidhjes në asnjë moment nuk menduan se Prizreni mund të jetë serb dhe për këtë arsye e projektuan si kryeqytet shqiptar. Kjo i rezistoi kohës, përkundër ca deputetëve që i prodhoi ideja e Ahtisarit për një shtet të dytë shqiptarë, që e ngatërrojnë historinë e këtij shteti të dytë me historinë dhe kombin shqiptar. Ndryshe, do ta kishin të qartë se pse Prizreni nuk mund të jetë kryeqytet historik, por një kryeqytet i kombit shqiptar, si para, ashtu edhe pas Lidhjes së Prizrenit!

Gjiganti

Mos i humb

Bytyqi: Jemi të përkushtuar që të gjithë në Kosovë të përfshihen në arsimim dhe edukim

Opoja.net

Sot lansohet fushata “Të gjithë jemi këmbësorë”

Opoja.net

Takimi Merkel – Haradinaj, vendimtar për taksën dhe vizat

Opoja.net

Përmirësohet moti, sot temperatura më të larta

Opoja.net

Ish-luftëtari i UÇK-së detyrohet t’ua ndërpresë fëmijëve shkollimin (Video)

Opoja.net

MASHT-i: Testi i arritshmërisë për klasët e nënta do të mbahet më 31 maj

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net