Opoja.net

Punëtorët e gazepit

Kosova

Mungesa e kontratave në punë dhe abuzimi me orar nga punëdhënësit, ka arritur nivelin më të lartë që nga paslufta. Punëtorët kosovarë në raste punojnë edhe 60 orë në javë, derisa për ta nuk paguhet sigurim shëndetësor e as kontribute për kursime pensionale.

Këto të dhëna që dalin nga Anketa e fundit e Agjencisë se Statistikave të Kosovës mbi fuqinë punëtorë, tregojnë se gjendja, sidomos në sektorin privat është alarmante sa i përket të drejtave të punëtorëve, shkruan Gazeta Fjala.

Kështu, vetëm 28 për qind e të punësuarve në Kosovë kanë kontrata të qëndrueshme, derisa 71.4 për qind ose nuk kanë kontratë fare, ose kanë kontrata të përkohshme.

“Personat, që kishin kontrata të përkohshme, u pyetën se pse kishin këtë lloj kontrate dhe 98.4% e të intervistuarve raportuan se nuk kishte kontratë tjetër në dispozicion”, thuhet në anketën e ASK-së mbi fuqinë punëtore për tremujorin e dytë të këtij viti.

Më se keqi qëndrojnë të rinjtë. Për të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç, përqindja e atyre që punojnë pa kontratë ka dal të jetë 57.5 për qind. Nga personat me kontratë pune, vetëm 28.6 për qind kishin një kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 71.4 për qind me kontrata të përkohshme.

Tek të rinjtë situata është më keq edhe tek pagesa e kontributeve dhe sigurimi shëndetësor.

“Kur u pyetën nëse kishin të drejtë, në punën e tyre kryesore, të përfitimit nga një skeme e sigurimeve sociale në punë, të dhënat nga anketa treguan se vetëm 3.1% e punonjësve e kishin këtë të drejtë”, tregon anketa.

Ndërsa pagat neto e shumicës së punonjësve ishin midis 300 deri 400 euro në muaj.

Azemi: Shifrat janë reale

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se fajtor për këtë janë mekanizmat inspektues dhe pronarët e kompanive private. Ai ka thënë se as qeverisa e tanishme që drejtohet nga Isa Mustafa nuk ka bërë asgjë që gjendja në sektorin privat të rregullohet.

“ Gjendja që e ka paraqitur ASK është reale. Fatkeqësisht ato shifra janë real dhe gjendja është ajo që është paraqitur aty. Shkeljet më të mëdha si çdo herë ndaj punëtorëve bëhen në kompani private. Punëtorët aty nuk kanë as kontrata të përhershme e as të përkohshme. Do të thotë shumica e punëtorëve nëpër kompani private nuk figurojnë as si të punësuar”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të marr masa që kjo gjendje të rregullohet, pasi sipas tij në këtë mënyrë nuk do të dihet kurrë se sa është numri i papunësisë dhe se është numri i atyre që punojnë. “Do të thotë më shumë se gjysma e punëtorëve në sektorin privat punojnë pa asnjë të drejtë, pa asnjë dokument zyrtar”, ka thënë Azemi për Gazetën Fjala.

Orari i punës deri 60 orë në javë

Me Ligjin e Punës orari javor i punës për një punëtor nuk guxon të shkojë më shumë se 40 orë në javë.

Ndërkohë, sipas shifrave të ASK-së, në raste kjo arrin deri në 60 orë në javë.

“Përafërsisht tri të pestat e të punësuarve kanë punuar midis 40-48 orë në javë. Pothuajse dy të dhjetat (18.3%) e të punësuarve kanë punuar 60 ose më shumë orë në javë”, thuhet në raport.

Sidoqoftë, në Kosovë Ligji i punës mbron të drejtat e punëtorëve dhe gjobat për ata që nuk e respektojnë këtë ligj kapin shumën deri në 35 mijë euro. Deri tani rastet kur ndonjë kompani është gjobitur nga Inspektorati mund të numërohen në gishta.

Derisa edhe ata që janë të punësuar, nuk kanë kurrfarë sigurie. 23 për qind e personave të punësuar kanë deklaruar se punojnë në vende pune të paqëndrueshme. Punëtorët në punë të paqëndrueshme janë ose persona të vetëpunësuar pa punonjës, ose ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar.

“Këto dy grupe punëtorësh kanë gjasat më të ulta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me pagesë dhe rrogë. Meshkujt kanë më shumë gjasa të mbajnë punë të tilla të paqëndrueshme (23.9% e meshkujve të punësuar krahasuar me 20.0% të femrave të punësuara)”.

Shprehur në shifra, 75,759 nga 328,694 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm. /Gazeta Fjala/

Mos i humb

Rruga e Kosovës drejt INTERPOL-it, arsyet e dështimit

Opoja.net

Policia: Kujdes, mjegulla mund të jetë rrezik për shoferët

Opoja.net

Kurti: 50 marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të mbesin në letër

Opoja.net

Ambasadori britanik e uroi Kurtin për suksesin zgjedhor

Opoja.net

Për 9 muaj, në Kosovë mbi 5 mijë shoferë mbeten pa patentë shoferë

Opoja.net

Mot pranveror, temperaturat deri në 26 gradë celsius

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net