“Qepja e maskave ma lehtësoi jetën”

Rajoni
“Qepja e maskave ma lehtësoi jetën”

“Nuk ka maska askund” – kjo ishte situata në muajin prill të këtij viti, kur Kosova u përfshi nga kriza e koronavirusit të ri.

Titujt që më së shumti lexoheshin kishin të bënin me vullnetarët që qepnin maska për ata që kishin nevojë. Në mesin e tyre, më së shumti bujë kanë bërë gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit, të cilat qepnin maska për mbrojtje nga COVID-19.

Njëra nga to ishte Besa (emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) e cila me ftesën e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, është bërë vullnetare në qepjen e maskave dhe ende po vazhdon ta bëjë këtë punë.

“Në fillim të pandemisë shprehëm dëshirë të punojmë në mënyrë vullnetare, dhe shkaku ishte që pandeminë e kemi prit shumë rëndë, duke na përkeqësuar gjendjen emocionale. (Puna me qepjen e maskave) më ka lehtësuar jetën përgjysmë. Këtu rrimë deri në pesë orë në ditë, varësisht sa ka punë”, thotë ajo.

“Për vete, çka më ka munduar pandemia, ka qenë që nuk jam takuar me motra. Ato e dinë se çka më ka ndodhur gjatë luftës dhe me to e ndaj përgjysmë çdo brengë, dhe më lehtësohet jeta”, shton Besa.

Edhe Fatmirja (emër i njohur për redaksinë) e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, thotë se pandeminë e ka përjetuar rëndë. Ajo është nënë e tetë fëmijëve. Në kohën kur ishte dhunuar, katër vajzat e saj kanë qenë pjesë e ngjarjes. Vetëm njëra nga vajzat ka qenë e mitur.

Asaj koha e pandemisë ia ka rikujtuar vitin 1999. Kjo për shkak se gjithçka u mbyll dhe vendi shkoi në izolim total, pikërisht në muajin mars, e që ka rastisur të jetë muaji i njëjtë kur ajo ishte dhunuar më shumë se 20 vjet më parë.

“Ka qenë një përjetim shumë i vështirë. Na ka rikthyer kohën e luftës dhe na ka lënduar. Veç që s’i kemi parë krimet. Mendoja në luftë do të ikim dikund, por gjatë pandemisë nuk ke as kah të shkosh”, tha ajo.

“Një ditë më ka ndalë policia (për shkak të mosbartjes së maskës). Kishin qenë një polic dhe një police. Vetëm ajo pamje, ndjenja që po më ndal policia, e kam përjetuar shumë rëndë. Edhe pse unë e di që tash jemi në liri, por ma kthej ndjenjën, vuajtjen, përjetimin e asaj kohe”, tha ajo.

Tahiraj: Pandemia ua riaktivizoi traumat viktimave të dhunës

Kadire Tahiraj, udhëheqëse e kësaj qendre, i tha Radios Evropa e Lirë, se gratë e dhunuara gjatë luftës, situatën e izolimit për shkak të pandemisë e kanë përjetuar më së vështiri, pasi siç thotë, kjo ua ka riaktivizuar traumat.

Tahiraj tregon se për shkak të kësaj gjendjeje lindi ideja për trajnimin e 70 grave për rrobaqepësi, por vetëm dhjetë prej tyre iu është dhënë mundësia e kyçjes në punë vullnetare, për shkak të mungesës së lëndës së parë.

Donatore e parë ka qenë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës. Këto maska pastaj u janë shitur misioneve ndërkombëtare të ndryshme në Kosovë.

“Grave ju ka ndihmuar shumë kjo iniciativë. Secila e ka shprehur atë dëshirën e vet që në këtë kohë pandemie kanë arritur të kontribuojnë diçka për qytetarët. Këto dhjetë gra në njëfarë mënyre kanë qenë më të rehabilituara dhe iu kanë shmangur panikut, stresit dhe traumës që është ripërtëri te këto gra dhe e kanë kaluar me qepjen e maskave”, tha Tahiraj.

Feride Rushiti, udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës, tha se ka qenë shumë qenësore që të mbijetuarat e dhunës seksuale të mos ndjehen të izoluara.

“Në këtë drejtim, bashkë me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas dhe bashkë me ambasadën amerikane, një pjesë të KFOR-it, të cilët kanë blerë maska, dhe ka qenë edhe një lloj solidariteti me gratë, por njëkohësisht një farë lloj fuqizimi ekonomik që edhe ato mund të kontribuojnë në rrethana të tilla”, tha Rushiti.

Bazuar në deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, llogaritet se janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin i cili ua njeh viktimave të dhunës seksuale statusin e viktimës, duke u mundësuar atyre disa përfitime të caktuara dhe një pension prej 230 euro në muaj.

Dosja FinCEN: Gjithçka që duhet të dini për rrjedhjen e këtyre dokumenteve 

Opoja.net

Ky shtet është kundër vaksinimit të fëmijëve nën moshën 18 vjeçare

Opoja.net

Çfarë e tërhoqi investitorin holandez të investonte në Kosovë?

Opoja.net

Boehler: Epokë e re në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Serbisë

Opoja.net

Këmbëngulja e SHBA-së, kontrast i BE-së 

Opoja.net

Si duhet të reagojnë shkollat në rast të përhapjes së koronavirusit?

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net