Opoja.net

Qeset e plastikës nuk po zëvendësohen

Kosova
Qeset e plastikës nuk po zëvendësohen

Kanë kaluar afro tre vite prej hyrjes në fuqi të udhëzimit administrativ, për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës dhe zëvendësimin e tyre me ato biodegraduese, por një vendim i tillë nuk po gjen vend dhe nuk po respektohet.

Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit thonë  se nga hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ që e rregullon këtë çështje, zëvendësimi ka rezultuar i suksesshëm deri më tani, në teren një gjë e tillë nuk shihet.

Nëpër markete, furra buke e lokale tjera, shërbimi ende bëhet me qese të plastikës.

V.Azemi, punëtore në një furrë të kryeqytetit, tregon se si qytetarëve ende bukën ua shesin në qese të najlonit.

“Gjithçka që qytetarët blejnë te ne u shitet në qese të najlonit. Buka, kiflet, e krejt ushqimet tjera të kërkume, u servohen njësoj. Këtu tek ne ende s’ka pas naj lloj inspektimi.  Nuk punojmë me qese tjera përveç me këto të najlonit”,  tregon Azemi, për Gazetën Fjala.

Fadil Maxhuni zyrtar për informim në MMPH, thotë për Gazetën Fjala se  me këtë udhëzim nuk është bërë ndalimi i përdorimit të këtyre qeseve por janë vënë kritere për qarkullimin e tyre në treg.
“Sipas këtij udhëzimi  përdorimi i qeseve te plastikës nuk është ndaluar, por janë vënë disa kritere për qeset  që përdoren për një përdorim ose disa përdorime dhe të cilat kryesisht shërbehen nga marketet. Këto qese duhet të përmbajnë aditiv për te u zbërthyer më shpejt (në kohë), sepse , siç dihet se plastika është shumë e qëndrueshme  dhe nuk zbërthehet për kohë të gjatë”, deklaron Maxhuni.

Sipas tij një qarkullim i  tillë i qeseve, është duke u monitoruar nga Dogana e Kosovës. Derisa thotë se ato do të vazhdojnë të qarkullojnë edhe më tej në treg, me kushtet e tyre të përcaktuara, raporton Gazeta Fjala.

“Qeset janë të nevojshme dhe ato do të qarkullojnë edhe më tej, por, ato do te prodhohen , importohen dhe qarkullojnë në treg  nën kushtet qe i ka përcaktuar Udhëzimi Administrativ i cekur më lartë”, ka shtuar më tej zyrtari për informim në këtë ministri.

MST: Shitja e bukës në qese plastike kancerogjene

Pavarësisht, se shitja e bukës në qese plastike, thuhet të jetë kancerogjene, një shërbim i tillë ende vazhdon në Kosovë.

Koordinatori i Iniciativës, “Ta pastrojmë Kosovën” ,Luan Hasanaj, thotë se në këto raste duhet të veprojnë Inspeksionet Komunale.

“E çfarë është shqetësuese, shitja e bukës me qese plastike, që është edhe kancerogjene. E shumë furra e shesin bukën me qese, pothuajse që në të gjitha mund t’i shikosh, që në rafte i vendosin bukët e prera në qese. Inspektorët duhet të veprojnë”, ka thënë Hasanaj për Gazetën Fjala.

Se shitja e bukës, në qese është kancerogjene mendon edhe kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

Kaçaniku thotë se për një ndalesë të tillë të përdorimit të këtyre qeseve, ka pasur disa herë tentative, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur përkrahje financiare.

“Ambalizhimi paketimi në veçanti i bukës është i ndaluar. Inspeksioni ka për detyrim t’i kontrolloj t’i bej të veproj  konform ligjit. Ne nuk po kemi përkrahje financiare ta shfrytëzojmë momentalin e ligjit që ta parashohim çështjen e qeseve. Përkrahja ka qenë dobët se inspeksionet nuk kanë kapacitete financiare . Furra në Kosovë, bukën e nxehtë e paketojnë ende në qese të najlonit për tu a mbushur më mirë qytetarëve me bakterie”, ka shtuar kryetari i organizatës “Konsumatori”.

Ndryshe, në bazë të udhëzimit administrativ për qeset e plastikës, me vendimin e nxjerr ministri i MPMH-së përcakton procedurën e formimit të komisionit për lëshimin e lejes për prodhim, import dhe eksport të qeseve të plastikës pa shtesë të aditivit për biodegradimin e qeseve në formë të thasëve prej  plastike për nevojat e prodhuesve të mallrave industriale.

Sipas Udhëzimit Administrativ, ndalohet prodhimi, importimi dhe vendosja në treg e qeseve të plastikës në formë të çantës dhe në formë të thasëve pa aditiv, për përdorim të përgjithshëm nga operatorët ekonomik dhe njësitë tregtare.

OKB-ja kërkon 35 miliardë dollarë për mbështetje financiare për vitin 2021

Kushtrim Guraj

Mblidhet Komisioni për Buxhet, tentimi i radhës për miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje

Opoja.net

Mbi 13 mijë raste aktive me koronavirus, paralajmërohen masa para festave të fundvitit

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net