Opoja.net

Qeveria favorizon investitorët e mëdhenj

Kosova
Qeveria favorizon investitorët e mëdhenj

Me Ligjin për Investime Strategjike, Qeveria e Kosovës po synon të sjellë në Kosovë vetëm investitorë të mëdhenj.

Për njohësit e ekonomisë kjo bartë me vete rrezikun që investitorët e vegjël të jenë të diskriminuar, e që do të sillte dëme për Kosovën, shkruan Gazeta Fjala.

“Qeveria së paku edhe ata duhet t’i lirojë nga procedurat e rënda burokratike dhe administrative”, thotë njohësi I ekonomisë, Ibrahim Rexhepi.

Problem tjetër me këtë ligj është edhe një nen i cili mundëson transferimin e pronës shtetërore të investitori pa procedura tenderuese.

Po ashtu, përmes këtij ligji, që u miratua me 11 tetor të këtij viti, Qeveria e ka të drejtën që ndërmarrjet publike t’i privatizojë pa procedura tenderuese.

GAP: Mangësitë e ligjit

Instituti GAP, gjatë muajit shkurt të këtij viti, e kishte publikuar një raport ku jepeshin disa rekomandime, e ndër to cekej që duhet të largohet neni që e lejon transferimin e pronës shtetërore te investitori pa procedura tenderuese ose që të kërkohet edhe vota e Kuvendit të Kosovës mbi këtë çështje.

Po ashtu, një mangësi tjetër ishte sepse ky ligj nuk ofron lirime në taksat për punëtorë e as heqje të tatimit të doganës për lëndën e parë.

Sipas raportit të institutit GAP, renditja e Kosovës në të bërit biznes të Bankës Botërore për vitin 2016, tregon se Kosova gjendet në vendin e 66-të, dy vende më poshtë se në vitin 2015. Ndërkaq, nga vendet rajonale vetëm Shqipëria është më poshtë se Kosova, më saktësisht në vendin e 97. Maqedonia renditet në vendin e 12, Kroacia në vendin e 40, Mali i Zi në vendin e 46 dhe Serbia në vendin e 59.

Mirëpo, njohës të çështjeve ekonomike e shohin nga këndvështrime të ndryshme miratimin e këtij ligji, ku sipas tyre ky ligj ka përparësi, por që duhet të ketë edhe një shtet ligjor në mënyrë që ketë rezultate pozitive.

Ligji heq burokracinë

Njohësi për çështje ekonomike, Naim Gashi, ka thënë për Gazetën Fjala, se Kosova është vendi i fundit në rajon që e ka miratuar ligjin për Investime Strategjike, por që i veçon dy përparësi të këtij ligji.

“Kosova është vendi i fundit në rajon që ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike. Mirëpo, i ka dy përparësi ky ligj. E para, hiqet burokracia për investitorët strategjikë që sjellin investime, si në teknikë (teknologji) dhe krijojnë vende pune, si dhe e dyta, në rast të dështimit të investitorëve të përzgjedhur, nuk ka mundësi të iket nga përgjegjësia siç ka ndodh më parë, thotë Gashi.

Sipas tij, ligji në letër është në rregull, por varet se sa do të gjejë zbatim në praktikë.

“Ligji në letër është në rregull, por varet sa do të gjejë zbatim në praktikë. E rëndësishme për mendimin tim është se ligji adreson qartë përgjegjësitë e secilit nëse përzgjedhja e investitorit nuk është bërë në mënyrë korrekte”, thekson Gashi.

Gashi, shton se Kosova duhet të shfrytëzojë disa praktika në të ardhmen, siç janë shfrytëzimi i resurseve nacionale që bëhet nëpërmjet vendimit të Kuvendit.

“Nuk mund të pretendojmë që investitorë seriozë të vijnë në Kosovë dhe të negociojnë me burokratët tanë nëpër komuna dhe agjenci shtetërore. Investitorët e mëdhenj negociojnë drejtpërdrejt me qeveritë e vendeve përkatëse, ndërsa shfrytëzimi i resurseve nacionale bëhet nëpërmes vendimit të Kuvendit. Këto praktika do t’i shfrytëzojë edhe Kosova në të ardhmen. Suksesi i tyre varet se si ne do të dimë t’i inkurajojmë dhe të ofrojmë mundësitë tona për këto investime”, shton ai.

I pyetur se sa do të tërheq ky ligj investitorët, Gashi i cekë disa faktorë, ku më të rëndësishmit janë shuma e mjeteve të investuara dhe hapja e vendeve të punës

“Janë një varg faktorësh që e cilësojnë një investitorë strategjikë, por më kryesorët janë shuma e mjeteve të investuara dhe vendet e punës që do të krijohen nga ai investim. Më pastaj vijnë respektimi i kritereve mjedisore, rritja e prodhimit dhe shërbimeve vendore, fuqizim i eksportit, transferi i teknologjisë dhe dijeve”, përfundon Gashi.

Diskriminohen investitorët e vegjël

Ndërkohë, sipas njohësit tjetër për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, vetëm miratimi i një ligji nuk do të thotë shumë nëse nuk funksionon shteti ligjor.

“Është mirë që tash e kemi këtë ligj, por vetëm miratimi i tij nuk do të thotë shumë.  Duhet të funksionojë shteti ligjor, të rritet efikasiteti i institucioneve të shtetit, të luftohet korrupsioni, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, infornmaliteti, krimi, e të tjera. Nëse këtu mungojnë efektet, atëherë as ky ligj nuk do të sjell diçka të mirë”, ka thënë Rexhepi për Gazetën Fjala.

Sipas Rexehpit, ky ligj bartë me vete edhe rrezikun që investitorët e vegjël të jenë të diskriminuar, e që do të sillte dëme për Kosovën.

“Ky ligj bartë rrezikun që investitorët e vegjël, apo jostrategjik të jenë të diskriminuar, e që do te ishte me dëme për Kosovën. Qeveria së paku edhe ata duhet t’i lirojë nga procedurat e rënda burokratike dhe administrative”, deklaron Rexhepi.  (Gëzim Olluri)/GazetaFjala/

Ja kur pritet të bie borë në Kosovë

Opoja.net

Heshtje rreth varrezës së re masive në Serbi

Opoja.net

Në Kosovë nis shitja e pajisjes që detekton radarin e Policisë, kushton vetëm 28 euro

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net