Opoja.net

QKSS: Diaspora kosovare nuk i shpëtoi radikalizimit 

Rajoni
QKSS: Diaspora kosovare nuk i shpëtoi radikalizimit 

Nga rreth 250 kosovarë që i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Lindje të Mesme, 47 prej tyre kanë qenë nga diaspora të cilët kanë lindur ose janë shtetas të vendeve të huaja, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). 

Sipas këtij raporti, Gjermania ka numrin më të madh të këtyre luftëtareve, gjithsej 14 kurse nga Zvicra ishin 8 persona. 

 

Sipas raportit, disa nga arsyet për këtë radikalizim te diasporës kosovare janë predikuesit fetarë të cilët lirshëm predikojnë radikalizmin dhe ideologjitë ekstremiste me bazë fetare, nevoja për të jetuar nën “Kalifatin dhe rregullat islame”, ndjenja për t’i ndihmuar sirianët si dhe kriza e identitetit në mesin e disa të rinjve në diasporë. 

Megjithatë, sipas QKSS-së ky numër është shumë i vogël dhe i papërfillshëm. 

“Për më shumë, të dhënat tregojnë se niveli i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në mesin e diasporës kosovare është shumë i vogël dhe nuk është shqetësues,” thuhet në raport që është përpiluar nga Skënder Perteshi, analist dhe studiues në QKSS. 

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, vlerësohet se rreth 700 mijë kosovarë, ose persona me origjinë nga Kosova jetojnë në vendet perëndimore. Vendi me numrin më të madh të diasporës kosovare është Gjermania. 

Sipas QKSS-së, diaspora kosovare në Gjermani është e ndarë në tri etapa. Etapa e parë ishte gjatë viteve 1950-60 ku ata që shkuan në vendet e Evropës perëndimore ishin kryesisht punëtorë të pakualifikuar dhe shkuan për të përmbushur mungesën e krahut të punës pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore ku Evropa përjetoi një zhvillim të hovshëm ekonomik.

Vala e dytë ishte nga viti 1980 deri 1999 si pasojë e politikave represive të Beogradit dhe luftës së fundit. Dhe vala e tretë është pas vitit 2002 kryesisht si pasojë e ekonomisë së dobët dhe jo stabilitetit politik. 

“Në rastin e Gjermanisë, individët më të radikalizuar të diasporës kosovare janë pjesë e brezit të ri të diasporës, të cilët ose janë larguar nga Kosova në moshë të re për t’i shpëtuar konflikteve të viteve 1990, ose kanë lindur në Gjermani”, thuhet në raport. 

Por, ka edhe raste kur ekstremizmi i ka prekur edhe familjet kosovare që kanë emigruar para shumë dekadash. Ahrid Uka, familja e të cilit kishte emigruar nga Kosova 45 vjet më parë, në vitin 2011 kreu një sulm në Aeroportin e Frankfurtit ku vrau dy ushtarë amerikanë.  

“Ai u radikalizua dhe u ndikua nga videot e përleshjeve midis forcave amerikane dhe organizatave të armatosura në Afganistan. Sipas tij, sulmin kundër ushtarëve amerikanë e kreu si një akt hakmarrjeje për përfshirjen e SHBA-së në Afganistan”, thuhet në raport. 

 

QKSS thotë se duhet bërë një vlerësim i përgjithshëm lidhur me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm ne mesin e diasporës kosovare e sidomos asaj në Gjermani. 

“Duhet të miratohet dhe zbatohet një program i përbashkët shumëvjeçar, i hartuar nga autoritetet shtetërore gjermane dhe kosovare, që përfshin aktivitete kulturore dhe edukim fetar të diasporës kosovare në Gjermani. Ky program do të kontribuojë në parandalimin e ideologjive të dhunshme ekstremiste në mesin e diasporës kosovare dhe do ta bëjë diasporën më rezistuese ndaj të gjitha llojeve të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”. 

Sipas QKSS-së, Qeveria e Kosovës duhet të rris përfaqësimin e diasporës në institucionet e Kosovës dhe diaspora nuk duhet parë vetëm si kontribuues i ekonomisë përmes remitencave.

Ky pritet të jetë kabineti i Joe Biden

Opoja.net

Sot një vjet bota ndryshoi, si u paraqit rasti i parë me Covid-19

Opoja.net

Tragjedia në Zvicër: Vdes 15 vjeçari kosovar, pasi u godit nga treni

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net