RAPORTET BRENDA FAMILJES – PROBLEM I KOHËS

Opoja.net Opoja.net Artikuj

“Ne e kemi obliguar njeriun të sillet mirë ndaj prindërve të vet…” (Ankebût, 8) – Asnjë prind nuk mund t’i dhurojë fëmijës së tij diçka më të çmuar se edukatën”.[1]

Familja është bashkësi e përbërë nga nëna, babai dhe fëmijët, por ka një zhvillim edhe më të madh se kaq. Ajo është bashkësia më e vogël sociale, në të cilën lind, rritet, zhvillohet njeriu dhe ku merr shkollën dhe edukatën e parë. Sado e vogël të jetë, rëndësinë e sajë në shoqëri e ka shumë të madhe. Bashkësia familjare është formuar qysh me ardhjen e parë të njeriut në këtë botë. Ajo është formuar si një dëshirë e Krijuesit, që njeriu i parë të jetë pronar i një familje e jo siç pretendojnë disa sociologë se është krijuar si rezultat instinktiv dhe i rastësishëm në këtë botë.[2] Kurani i ka kushtuar thelbit familjar një rëndësi të madhe, me qëllim që nderi dhe vlera e saj të mbrohet me çdo kusht. Allahu (xh.sh.), thotë:Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.[3]

Ne e falënderojmë në mënyrën më specifike Allahun e Madhërishëm, për këtë botë plot mrekulli, me shije e pamje të ndryshme, me stinët që ndërrojnë. Ai krijoi për ne gjithë këto mirësi të panumërta, kështu që ne i jemi shumë borxhli të zbatojmë atë që Ai na obligoi… Të gjithë njerëzit në këtë jetë kanë një program për të cilin punojnë.  Si myslimanët, ashtu edhe të tjerët – jo myslimanët –  vrapojnë dhe përpiqen të krijojnë projekte të ndryshme, në mënyrë që t’i arrijnë qëllimet e tyre. Por shtrohet pyetja: deri kur dhe deri ku në këtë mënyrë? Në çfarë niveli i kemi raportet me Krijuesin, për të vazhduar dhe zbritur në familje, me rrethin e ngushtë e kështu me radhë? Si janë raportet tona në lidhje me ata që na lindën, prindërit tanë, që na rritën, na ofruan kafshatën e gojës, përgjysmuan dhe ndërprenë gjumin e tyre në mesnatë, braktisën shumë e shumë gjëra, vetëm e vetëm që fëmija i tyre të mos ndihet i vetmuar dhe të mos vajtojë…?

Mirësitë dhe zhvillimet që na rrethojnë, siç duket na e kanë zbehur dhe po vazhdojnë të dëmtojnë rrjetin dhe lidhjen tonë familjare. Gjithkush mundohet të arrijë diçka, por në anën tjetër është harruar se po shkatërron dashurinë shpirtërore dhe lidhjen prindërore. Sa shumë prindër vuajnë sot nga vetmia, ngaqë fëmija i tyre i braktisi, në mënyrë që të jetojë në një ambient “modern”, pa e pasur barrën e prindërve. Ata i dërgojnë nëpër qendra të ndryshme rehabilitimi, i lënë në mbikëqyrjen e spitaleve apo organizatave që merren me mbikëqyrjen e të moshuarve,  ose, e kundërta e kësaj, sa e sa fëmijë sot jetojnë nëpër  çerdhe dhe jetimore, ku prindi i tyre i ka braktisur, me arsyen se ai fëmijë i lindur pa dëshirën e tyre, është i tepërt dhe pengon aktivitetin e nënës apo babait. Si rezultat i kësaj, në shumë vende të botës, e kohëve të fundit edhe tek ne, janë hapur qendra për mbikëqyrjen e këtyre dy kategorive njerëzore. E para: prindërit që braktisen nga fëmijët e tyre dhe e dyta: fëmijët që braktisen nga prindërit e tyre.

T’i qasemi kësaj problematike dhe dukurie negative nga këndi kuranor dhe porositë e të Dërguarit, Muhamed Mustafa.

  1. Prindërit që braktisën nga fëmijët

I gjithë problemi qëndron se shumë fëmijë, pasi arrijnë një moshë dhe krijojnë një shoqëri, i harrojnë të gjitha shërbimet që i kanë bërë nëna dhe babai i tyre, kështu që arrijnë deri tek ajo pikë, sa të braktisin në mënyrën më të mjeruar prindërit e tyre. Për këtë shërbim kaq preciz dhe të palodhshëm që prindërit bënë për fëmijët e tyre, Allahu (xh.sh.), në Kuranin Fisnik thotë: Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gji-dhënia zgjat tridhjetë muaj e ai vazhdon të jetojë, derisa të arrijë pjekurinë e vet dhe, kur t’i mbushë dyzet vjet, ai thotë: ‘Zoti im, më frymëzo mua të të falënderoj për të mirën që më dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bëj të mirë pasardhësit e mi. Unë pendohem tek Ti dhe jam me myslimanët”.[4] Si është e mundur që t’u kthejmë shpinën dhe të braktisim prindërit tanë në vetmi, kur me një mund të madh nëna na barti në barkun e saj për nëntë muaj me radhë, babai u kujdes në mënyrë maksimale për të qëndruar afër saj, që fëmija të zhvillohet sa më mirë dhe më lehtë. Nuk mbetën vetëm me kaq, por siç u vërejt edhe nga ajeti kuranor, shërbimi për fëmijën zgjati edhe dy vite të tëra me gji-dhënie, e më pas, deri në moshën dhjetë- vjeçare nëna pati detyrë parësore edukimin dhe zhvillimin e fëmijës së saj. Prindërit, nga këshilla dhe urdhri i Pejgamberit (a.s.), mundohen që deri në moshën shtatë vjeç ta mësojnë atë në praktikimin e namazit, që fëmija të mos jetë pa njohuri fetare.

Nëse pas këtij shërbimi dhe kujdesi që kanë obligim prindërit për fëmijët e tyre, djali apo vajza i braktis ata, i dërgon në qendra kujdesi për të moshuarit, paguan shërbëtorë që të merret me ta, atëherë ç’mund të themi, përveçse Allahu ua shtoftë dashurinë ndaj prindërve?

  1. Fëmijët që braktisen nga ana e prindërve

Ekziston edhe aspekti tjetër i problemeve brenda në familje, ku në këtë rast viktimë janë fëmijët e mjerë. Siç duket, luksi dhe fitimi i pasurisë jo në mënyrë të lejuar, ka ndikuar që shumë nga çiftet e martuara kanë vendosur të mos lindin fëmijë. Mirëpo, kur kjo ndodh pa dëshirën e tyre, këta kërkojnë zgjidhje të ndryshme që të lirohen nga kujdesi për fëmijët e tyre. Atëherë, një pjesë e këtyre prindërve mundohet ta gjejë zgjidhjen në abortim, një pjesë tjetër në braktisjen e fëmijës në forma nga më çnjerëzoret. Që të gjitha këto metoda janë të ndaluara dhe haram. Por ekziston edhe një kategori tjetër që, pasi rritet fëmija, e dërgojnë nëpër çerdhe fëmijësh, që të mos e kenë obligim kujdesin ndaj tij. Kjo ndikon në shkëputjen e dashurisë së ndërsjelltë. As fëmija nuk rritet nën mëshirën dhe dashurinë e një nëne e as nëna nuk ka një ndjenjë të duhur ndaj fëmijës. A thua këto grupe njerëzish kanë frikë mirëmbajtjen e tyre? Jo, kjo nuk duhet të ndodhë. Për këtë, Allahu (xh.sh.), ka thënë: S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që furnizon me bollëk atë që do dhe ia kufizon atij që do. Ai di hollësisht për robërit e vet dhe i vështron. Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve e mbytja e tyre është mëkat i madh.[5] Në anën tjetër, nëse një fëmijë rritet në çerdhe, as ai e as prindërit nuk mund të kenë dashuri ndaj njëri-tjetrit. Transmetohet nga Aisheja (r.a.): “Erdhën disa njerëz (arabë) tek i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e i thanë: ‘A i puthni ju fëmijët tuaj?’ Tha: ‘Po’. (Ata) Thanë: ‘Ne, pasha Allahun, nuk i puthim!’ I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha: ‘Ç’mund t’ju bëj, nëse Allahu e ka shkëputur mëshirën nga zemrat tuaja”.

Lidhja familjare prind – fëmijë

Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë të mos adhuroni tjetër veç Tij, të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as of , as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po thuaju fjalë të mira (të buta respektuese)”.[6]

Të gjitha punët dhe veprat e mirë në islam, kanë shpërblime nga më të ndryshmet e, po ashtu, kanë dënime edhe veprat e liga. Për të pasur shpërblime çdo vepër, kërkohet që në fillim të besohet Allahu (xh.sh.) dhe të kryhen urdhrat e Tij. Pa besim, asnjë punë nuk ka ndonjë shpërblim. Pas gjithë këtij kushti që ka vendosur Allahu (xh.sh.), menjëherë ka caktuar kusht të prerë respektimin e prindërve dhe bamirësitë e tjera, siç theksohen në ajet. Prandaj, respekti dhe mirësjellja ndaj prindërve janë domosdoshmëri për çdo person që i ka ata në jetë. E kur ata të ndërrojnë jetë, të bëjmë dua – lutje bamirësie që Allahu (xh.sh.), t’i mëshirojë. Feja jonë e bukur nuk ka lejuar asnjëherë kërcënimin e raporteve prind – fëmijë. Ata duhet t’i respektojmë në çdo cep të jetës, përveç rastit ku na ka ndaluar Allahu (xh.sh.): nëse ata të dy përpiqen të shtyjnë ty të më përshkruash Mua shok (zot tjetër)për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i respekto ata.[7] Dhe më në fund, pas çdo respekti që u bëjmë prindërve, duhet bërë lutje bamirësie për ta, kur ata të jenë gjallë apo kur të ndërrojnë jetë. Të përkujtojmë se ata dhanë një mund të madh për ne, kur ne ishim të paaftë për asgjë, kur ne qanim ata ishin pranë nesh, na bartën në kraharor dhe na ofruan çdo mundësi që të na bëjnë të lumtur.

Të gjitha modelet e tjera familjare, që dalin jashtë kornizave dhe urdhrave kuranore, do të përballen me probleme të llojeve të ndryshme. Modeli familjar i shfaqur nëpër televizione, nuk mund të jetë model i myslimanëve. E huaja le të mbetet gjithmonë e huaj dhe asnjëherë të mos bëhet pronë e jona. Skenat familjare, që shfaqen në ato programe, nuk janë asgjë tjetër vetëm se një tradhti bashkëshortësh, një degjenerim familjesh dhe një luftë kundër çdo bashkësie familjare. Prandaj, nuk mendojmë se programe të tilla sjellin ndonjë të mirë për ne si myslimanë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-