Opoja.net

Ruatja dhe kultivimi i kulturës tradicionale muzikore në Komunën e Sharrit (Foto)

Kultura Opoja

Sivjet, organizimi i manifestimit kulturor me moton “Kultivimi i vlerave të kulturës tradicionale në komunën e Sharrit”, po mbahet në fshatin Bellobrad, për faktin se Bellobradi në periudhën e viteve 90-ta ishte qendër e mbajtjes së shumë mbledhjeve e takimeve të ndryshme nga subjekte të ndryshme, me rëndësi kombëtare. Prandaj në shenjë nderimi për këtë fshat dhe banorët e tij jemi përcaktuar të prezantojmë një pjesë të kulturës së pasur të trashëgimisë kulturore të komunës sonë.

Trevat e Opojës e Gorës, si pjesë integrale e trevave shqiptare, janë të pasura me trashëgimi kulturore në të gjitha sferat, si në fushën e tnologjisë (veshje, ushqime tradicionale, mjekësi popullore), pastaj folklorit (anektoda, kallëzime, fjalë të urta, lirikë popullore, valle popullore etj).
Kështu, edhe në sferën e muzikës, këto treva janë të pasura me këngë pune, këngë humoristike, këngë fejese, këngë dasme, këngë martese, e veçmas me këngë kurbeti.

Mbledhja, sistemimi dhe hulumtimi i këtyre materialeve është bërë pamjaftueshëm nga mbledhës, e studiues të fushës së folklorit, etnologjisë, etnomuzikologjisë, koreografisë, etj. Por, me daljen në skenë të revistës “Sharri” (revistë kjo informativo kulturore, artistike e shkencore opojane) që nga viti 1991, mbledhja dhe prezantimi i shumë materialeve kulturore është bërë në mënyrë të veçantë, e të cilat presin që të botohen si libra në vete.
Ndërkaq, sa i përket interpretimit melodik e artistik të këngëve opojane, një kontribut të çmuar e kanë dhënë pothuaj të gjitha shkollat fillore të Opojës, (ku bën pjesë gjithsesi edhe shkolla juaj) si dhe Gjimnazi i Sharrit, duke ju falënderuar në radhë të parë arsimtarëve, profesorëve si dhe aktivistëve ambiciozë.

Në këtë drejtim, kontributin më të madh, e ka bërë shoqëria kulturore artistike ‘Bresana’, e cila përmes entuziastëve të saj, udhëheqësve të palodhshëm, donatorëve zemërgjerë, kanë qenë jo vetëm prezantuesit, por edhe përfaqësuesit më të denjë të vlerave kulturore dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore muzikore në trevën e Opojës, duke e prezantuar atë në mënyrë të dinjitetshme, si para opinionit të Kosovës si në Has, Prizren, Drenas, etj., ashtu edhe në nivel kombëtar si në Gjirokastër, Vlorë, Kukës etj, e madje edhe në suaza ndërkombëtare.
Prezantimi i materialit kulturor muzikor nga trevat e Opojës e Gorës, ka rol të dyfishtë: edhe për t’i treguar vlerat kulturore në njërën anë, si dhe për t’i rikujtuar brezave të rinj që këto vlera mos t’i harrojnë, por t’i ruajnë dhe kultivojnë me fanatizëm.

Në funksion të këtij misioni, edhe “Shoqata Kulturore Ymer Prizreni” e ka organizuar këtë koncert, për të prezantuar para jush vlerat e njëmendta të kulturës sonë autoktone, të cilat pos tjerash flasin edhe për shpirtin e këtij populli; për pasurinë shpirtërore të këtij populli; për lashtësinë e këtij populli, që përkundër të gjitha shtypjeve të mëdha gjatë historisë që ka përjetuar, pos tjerash kanë mbijetuar edhe përmes kulturës, për t’i treguar botës, se edhe banorët e këtij populli të kësaj krahine bëjnë pjesë në mesin e popujve të qytetëruar.
E kam thënë edhe në Bresanë e po e them edhe këtu: Të shpresojmë se edhe në të ardhmen, nga fshatrat e komunës së Sharrit, do të dalin këngëtarë të kalibrit të talentit të ndrydhur Salajdin Tafili, i cili sikur ta kultivonte këtë talent do të ishte Shyqyri Alushi i Kosovës.

Pastaj, Xhemali Berisha, këngëtari dhe koreografi i njohur në shkallë kombëtare, i cili si udhëheqës profesional i ansamblit profesional të këngëve dhe valleve “Shota” pikërisht me Dasmën e Opojës, bëri jehonë, jo vetëm në hapësirën e atëhershme të Kosovës, por edhe në arenën ndërkombëtare si në Dizhon të Francës.
Pastaj, këngëtarja e njohur Ymrije Beqaj, me repertoarin e saj të pasur, sidomos në vijën melodike të traditës Opojane, ka arritur të prezentojë dhe përjetësoi, vlerat e njëmendta të kulturës Opojane, të cilat ruhen edhe sot në fonotekat e Radio Kosovës dhe Televizionit të saj. Pastaj, Rahmi Ymeri në fushën e interpretimit instrumental, udhëheqjes së formacioneve orkestrale, e deri te interpretimi i këngës, ka dhënë dhe po jep kontribut të çmuar në prezantimin e vlerave të njëmendta kulturore.
Pastaj Dalip Çengaj, arsimtari i devotshëm i muzikës, është zë shumë i njohur në trevën e Opojës ndonëse i pashfrytezuar deri në fund.
Pastaj, vëllezërit Riad e Mirhad Lecaj, Masar Sinani, Nexhat Qusaj, Behar Krrabaj etj,. me talentin e tyre, kudo që janë paraqitur dhe paraqiten aktualisht, kanë shkëlqyer dhe vazhdojnë të shkëlqejnë.
Ne sot, jo vetëm që shpresojmë, po edhe jemi të bindur, se nga treva e Opojës do të dalin talent të rinj për të shkuar gjurmëve të Salajdin Tafilit, Xhemali Berishës, Rahmi Ymerit, Ymrije Beqajt, Dalip Çengajt, Myzafer Lutfiut si dhe hapave të këngëtarëve të tashëm vëllezërve Lecaj, Masar Sinanit, Nexhat Qusajt, Behar Krrabajt, Nebi Nebiut Ylber Elmazit, Krenar Vehebiut, etj.

Kurse në fushën e vallëzimit të valleve tradicionale të Opojës, për të cilat kanë shprehur konsideratën më të lartë studiuesit e fushës së etnomuzikologjisë si: dr.Rexhep Munishi, Lorenc Antoni, dr. Agron Xhagolli, dr. Ramazan Bogdani, Xhemali Berisha etj, e që sikur të përmendnim emra të vallëzuesve të dalluar, lista do të ishte shumë e gjatë dhe shumëkujt do t’i hynim në hak.
Shpresojmë dhe jemi të bindur madje, se edhe të rinjtë Opojanë, këto valle do t’i kultivojnë edhe më tutje, duke i ruajtur me fanatizëm, duke i interpretuar me po aq përkushtim, sikur paraardhësit e tyre.

Shkruan: Bedri HALIMI (Opoja.net)

Mos i humb

Prokurimi për ujësjellësin kryesor kthehet në rivlerësim për të tetën herë në Dragash

Opoja.net

Kryesuesi në Dragash tregon si ndodhën gabimet me vota për PDK-në

Opoja.net

Zbulohen keqpërdorime në numërimin e votave në Dragash

Opoja.net

Në fshatin Kuk të Dragashit gjenden 94 mina të pashpërthyera që nga lufta e fundit në Kosovë

Opoja.net

Policia arreston dy persona në Dragash – Ua konfiskon pistoletat!

Opoja.net

“Solid” hap fabrikë në Dragash, kërkon 90 punëtore

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net