Serbia mbush Kosovën me barna ilegale

Shëndeti

Barnat me banderola të  shtetit serb, vazhdojnë të qarkullojnë pa asnjë problem në barnatoret e Kosovës.

Kontrabandën me barna ilegale, me mbishkrimin “Republika Srpska”,  nuk duket se e kontrollon inspektoriati përgjegjës, shkruan  Gazeta Fjala.

Rastet që ky institucion i ka trajtuar deri më tani janë minimale, në krahasim me sasinë e barnave ilegale që gjenden në tregun e Kosovës.

Vetëm këtë vit Inspektoriati Farmaceutik i Kosovës ka shqiptuar 79 gjoba për barna ilegale.

Ndërkohë prezenca e barnave serbe në Kosovë, sipas rrugëve zyrtare, tregon se Kosova ka importuar mbi 3 milionë euro barna nga viti i kaluar deri tash. Mbi 1 milion euro barna të importuara nga Serbia janë të llojit antibiotik.

Gazeta Fjala, ka një muaj që ka raportuar për hyrjen e një ilaqi me banderolën  e shtetit serb në Kosovë. Kjo, nuk shihet se ka kaluar në duart e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, pasi kjo e fundit, ka lejuar importin e një barne të tillë.

Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe me AKPP-në, mirëpo kontakti ka qenë i pamundur.

Inspektoriati e heq përgjegjësinë

Megjithatë, në përgjigjet që ka marrë nga Inspektoriati Farmaceutik, thuhet se lejen për qarkullimin e barnave, në tregun e Kosovës, e kanë të gjitha produktet të cilat janë të pajisura me leje të importit, e cila lëshohet nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

“Mund të qarkullojnë në tregun e Kosovës të gjitha   produktet dhe pajisjet medicinale  që i nënshtrohen procedurave të regjistrimit dhe lejes për import   të lëshuara nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ,ndërsa çdo produkt apo pajisje tjetër që hynë në ndonjë formë tjetër është illegal”, thuhet në përgjigjen e inspektoriatit farmaceutik.

Sipas tyre, të gjitha veprimet e inspektoratit kryhen në bazë të kërkesave ligjore, në bashkëpunim me Policinë e Doganën e Kosovës.

“Autoriteti i  Inspektoratit farmaceutik shtrihet në kontrollin e subjekteve  ku shitet dhe ordinohet produkti dhe pajisja medicinale. Veprimet e Inspektoratit farmaceutik kryhen konform kërkesave ligjore. Në rastet e tilla asistojmë dhe bashkëpunojmë me Policinë dhe Doganen e Kosovës”, thuhet më tej në përgjigjen që Inspektoriati i ka dhënë Gazetës Fjala.

Për rrugëtimin e produkteve ilegale, inspektoriati  nuk ka marrë asnjë përgjegjësi, duke thënë se nuk është kompetencë e tyre. “Rrugëtimi i produkteve ilegale deri në  këto subjekte nuk është kompetencë e IF-së”.

Numër i vogël i gjobave

Gazeta Fjala mëson se deri tani, Inspektoriati  ka shqiptuar 79 gjoba, konform ligjit.

Pavarësisht se Inspektoriati, thotë se veprimet e tyre kryhen bashkë me Policinë e Doganën, kjo e fundit nuk e thotë të njëjtën.

Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganën e Kosovës, ka thënë për Gazetën Fjala, se veprimet e tyre kryhen me urdhëra të Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

“Te ne nuk fillon procedura agjencioni merret me këto çështje, ne veprojmë me urdhëra të agjencionit” , ka deklaruar Stavileci.

Shqetësimin për rrezikun e barnave që importohen prej shtetit të Serbisë me banderolën “Republika Srpska”, e ka shprehur, specialisti i neuropsikiatrisë dhe psikoterapeuti në “Klinikën Aura”, Jusuf Ulaj.

Ulaj thotë për Gazetën Fjala,  se këto barna janë të rrezikshme, me vet faktin se nëse dalin prej Agjencisë tonë do të ishin më të sigurta.

“Meqenëse i kontrollon agjencioni i barnave serbe janë të rrezikshme, pasi që e kemi agjencionin tonë ato do të ishin më të sigurta. Nëse kontrabandohen prej shtetit serb sigurisht se munden me qenë të rrezikshme”, është shprehur Ulaj.

Shqetësimin e njëjtë specialist i neuropsikiatrisë, e kishte shprehur edhe para një muaji, me fotografinë e barnës të cilën e kishte publikuar.

Edhe atëherë Ulaj, u bënte apel qytetarëve që të mos blejnë ilaqe me banderola serbe, për të mos rrezikuar shëndetin e tyre. /GazetaFjala/

Arsyet pse duhet të konsumoni gështenja gjatë vjeshtës

Opoja.net

Ushqimet që e luftojnë aneminë

Opoja.net

Cilat janë dallimet ndërmjet gripit sezonal dhe virusit Covid, flet infektologu kosovar

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net