SHBA-ja dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit 

Rajoni
SHBA-ja dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit 

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin dhe zotohen për përshpejtim të përfundimit të proceseve të brendshme, për zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit. Këtu përfshihet, Marrëveshja për stimulim të investimeve amerikane.

Deklarata u nënshkrua në Qeverinë e Kosovës nga kryeministri kosovar Avdullah Hoti dhe Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun,  presidencial Richard Grenell.  

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu, mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, sqaroi Boehler.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konfirmoi  se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit. 

“Ky është një momentum i ri që do të sjell zhvillim ekonomik, jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Do të lëvizim shpejtë në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe shpresojmë të arrijmë së shpejti edhe marrëveshjen politike”, deklaroi Hoti, duke shtuar se nuk e di se kur mund të arrihet kjo e fundit. Hoti u shpreh i bindur se me këto projekte do të hapen mijëra vende të reja pune. 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon nisjen në praktikë të zbatimit të asaj çfarë u nënshkrua në më pak se tri javë më parë nga liderët e Kosovës dhe Serbisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim ekonomik. Delegacioni 14 anëtarësh i administratës amerikane u udhëhoq nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).

Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar Autostradën e Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Të hënën në mbrëmje, delegacioni amerikan niset për në kryeqytetin serb, Beograd, ku të martën pritet të hapë zyrën e saj DFC-ja amerikane.

Presidenti Trump thotë se e ka mundur koronavirusin

Opoja.net

Gratë hezitojnë të kontrollohen për kancer të gjirit në pandemi

Opoja.net

Mohimi i pronësisë, hebrenjtë kërkojnë rikthimin e tyre

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net