Shkuarja në fitnes në kohë pandemie  

Rajoni
Shkuarja në fitnes në kohë pandemie  

Ushtrimet në qendra të fitnesit, paraqesin rrezik për t’u infektuar me koronavirusin e ri, nëse nuk respektohen rekomandimet për mbrojtje nga ky virus, thonë organizatat kryesore të shëndetit në botë. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve si dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, edhe për ushtrimet në fitnes rekomandojnë tri masat kryesore për mbrojtjen nga koronavirusi: mbajtjen e maskës, e distancës dhe ruajtjen e higjienës personale.  

Që prej 28 korriku, me vendim të Qeverisë së Kosovës, qytetarët lejohen që të ushtrojnë në qendrat e fitnesit, por duke respektuar rregullat e parapara në Manualin për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit, që është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. 

“Përdorimi i pajisjeve të fitnesit duhet të bëhet vetëm me dorëza, duhet të vendoset maskë mbrojtëse dhe gjithmonë pas përfundimit të përdoret dezinfektues. Fitnesi duhet të bëhet në grupe të vogla duke u respektuar distanca hapësinore minimale, maksimum pesë persona brenda një hapësire”, thuhet në manual. 

 

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ushtrimet në fitnese paraqesin rrezik potencial për infektim me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Kjo, veçanërisht nëse në një hapësirë ndodhen shumë persona, të cilët mund të përdorin pajisjet e njëjta për ushtrim, por edhe duke mos mbajtur maskë dhe distancë.  

“Transmetimi (i virusit) mund të ndodhë përmes kontaktit ndërmjet personave, qëndrimi në një vend të njëjtë apo përmes pikëzave që lëshojnë njerëzit kur flasin, teshtinë apo kolliten”, thotë Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.  

Ndërkaq, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, këshillojnë që gjatë qëndrimit në qendrat e fitnesit, të shmanget kontakti i afërt me të tjerët.  

“Mos shtrëngoni duart me të tjerët ose mos prekni të tjerët sepse kontakti i afërt rrit rrezikun e prekjes nga COVID-19”, thonë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.  

Koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, kryesisht bartet mes njerëzve nga pikëzat që lëshohen kur një njeri i infektuar flet, kollitet apo teshtinë. Por, virusi bartet edhe duke prekur sipërfaqe të kontaminuara. 

Dezinfektimi i pajisjeve  

 

Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet edhe pajisjeve të ushtrimeve, porositin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. 

“Sigurohuni që pajisjet që përdorni të jenë të pastra dhe të dezinfektuara. Nëse besoni se nuk janë, fshini pajisjet e fitnesit me faculeta që kanë përmbajtje alkooli, të paktën prej 60 për qind. Mos ndani me të tjerët pajisjet që nuk mund të pastrohen”, porosit ky institucion i SHBA-së.  

 

Megjithatë, për të ruajtur shëndetin mendor dhe atë fizik gjatë pandemisë COVID-19 është i rëndësishëm aktiviteti i përditshëm fizik, gjithmonë duke respektuar distancën fizike dhe rekomandimet e higjienës, thotë Qendra Evropiane dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.  

“Qoftë edhe ushtrimet prej 3-5 minutave në ditë, të tilla si ecja apo ushtrime të tjera të lehta, ndihmojnë në lehtësimin e tendosjes së muskujve, në përmirësimin e shëndetit mendor si dhe në përmirësimin e qarkullimit të gjakut”, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. 

Presidenti Trump thotë se e ka mundur koronavirusin

Opoja.net

Gratë hezitojnë të kontrollohen për kancer të gjirit në pandemi

Opoja.net

Mohimi i pronësisë, hebrenjtë kërkojnë rikthimin e tyre

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net