Tërheqja e mjeteve të AKP-së, proces i rrezikshëm për kreditorët

Rajoni
Tërheqja e mjeteve të AKP-së, proces i rrezikshëm për kreditorët

Fondet e grumbulluara nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, nuk mund të shfrytëzohen pa ndonjë vendim paraprak nga Qeveria e Kosovës për rimbursim të kreditorëve potencialë, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Kreditor potencial mund të jetë personi ose subjekti, i cili ka një pretendim të vlefshëm si kreditor ndaj një ndërmarrjeje ose aseti të shitur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) .

AKP-ja nuk e ka numrin e saktë të kreditorëve eventual.

Të gjitha të hyrat e mbledhura nga Agjencia si rezultat i aktiviteteve të saj, mbahen në mirëbesim për t’ju shpërndarë kreditorëve dhe pronarëve, nëse një gjë e tillë vërtetohet nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka grumbulluar më shumë se 769 milionë euro nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që nga fillimi i procesit të privatizimit në vitin 2020.

Nga vlera e përgjithshme deri më tani,381 milionë euro janë transferuar në buxhetin e Kosovës, mbi 140 milionë euro janë ndarë për 20 për qindëshin për punëtorët që kanë punuar në ndërmarrjet e shitura, 31 milionë euro përkreditorë, kurse 218 milionë është fondi në dispozicion. 

Qeveria e Kosovës ka paraparë që të tërheqë 100 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në emër të rimëkëmbjes ekonomike, për humbjet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Tërheqja e mjeteve është paraparë në bazë të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili të premten, më 14 gusht, pritet të shqyrtohet në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Zyrtarë të AKP-së, duke mos dashur të komentojnë projektligjin në fjalë, në një përgjigje me shkrim nga zyra për informim e kësaj agjencie, theksojnë se, “as Qeveria, as Kuvendi i Kosovës dhe as AKP-ja, nuk cenojnë kreditorët e ligjshëm”. 

 

Kurse, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, thonë për Radion Evropa e Lirë se “ky proces është koordinuar në bashkëpunim me AKP-në dhe se ndryshimet e lartpërmendura nuk do të ndikojnë në punën dhe aktivitetin e Agjencisë Kosovare për Privatizim dhe as në obligimet e saj karshi kreditorëve”.

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, thotë se bartja e këtyre mjeteve në buxhetin e Republikës së Kosovës do të mundësohet përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit për AKP-në, si dhe përmes aprovimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nga COVID-19, i cili është në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë projekt thuhet se “fondet e përkohshme të AKP-së, të përdoren për investime që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit” i shtohet teksti “ si dhe për financim të rimëkëmbjes ekonomike”.

Për të qenë të sigurta mjetet e shfrytëzuara të AKP-së, në këtë projektligj duhet të ketë një nen apo klauzolë, që garanton se në rast nevoje, kreditorët duhet t’i rimburësojë Qeveria e Kosovës, shprehen ekspertë për çështje ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa në mënyrë që mos i dëmtojë kreditorët potencialë.

“Në këtë rast, marrja e mjeteve pa dhënë garancion besoj se mund t’i rrezikojë kreditorët në procedurat e ardhshme”, vlerëson Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, përveç mjeteve të AKP-së, në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, parashihet që kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Pakoja për rimëkëmbje ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove.

Kosova me ngecje të lartë në mësimnxënie 

Opoja.net

Johnson paralajmëron valën e dytë të koronavirusit në Britani

Opoja.net

Vdes gjykatësja Ginsburg – zëri i të drejtave të grave në SHBA

Opoja.net

Tensionet mes Kinës dhe SHBA-së, çfarë po ndodh mes dy superfuqive botërore

Opoja.net

Fauci jep këshilla se si të mbrohemi nga COVID-19

Opoja.net

Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit, në ‘duart’ e partive politike

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net