Opoja.net

Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Rajoni
Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën gjatë adresimit ndaj publikut se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat”.

Ai shtoi se Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.

 

“Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka thënë se gabime politike edhe mund të ketë bërë, por krime të luftës kurrë.

“Nëse do të mund të kthehesha në vitet e errëta të (v.j. ish-liderit serb, Sllobodan) Millosheviqit, do ta bëja gjënë e njëjtë, duke iu përgjigjur plumbit të armikut me plumb të etur për liri dhe duke mos i bërë keq asnjë serbi, romi apo qytetari shqiptar”.

Thaçi ka thënë mes tjerash se ai do të ishte njeriu më i lumtur nëse do ta shihte se komuniteti ndërkombëtar do të aplikonte standardet e njëjta ndaj Kosovës dhe Serbisë, kur është fjala për krimet e luftës.

“Fatkeqësisht nuk e shohim këtë standard dhe në mënyrë proporcionale, e shoh të kundërtën. Andaj jemi këtu sot. Serbia avancon në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa Kosova nuk e gëzon as të drejtën e lëvizjes së lirë. Unë nuk shoh komplot kundër Kosovës, mirëpo qasja e ndryshme nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre dy kombeve është fakt”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, asnjë vullnet i madh për drejtësi nuk e arsyeton “fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”.

Lidhur me këtë çështje Thaçi ka thënë se ditëve në vijim do të konsultohet me liderët politikë, rreth hapave të ardhshëm.

Ky është adresim i parë publik i Thaçit që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë më 24 qershor, se kundër presidentit të Kosovës ka paraqitur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas njoftimit, Prokurori më 24 prill ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është bërë e ditur kush bën pjesë në mesin e “të tjerëve”.

“Kosova po hyn në një kapitull të ri”

Përderisa ka folur për vitet e tij gjatë periudhës së luftës dhe përvojat e ndryshme politike, Thaçi ka thënë se Kosova po hyn në një kapitull të ri.

“Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira. Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë. Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë”, ka deklaruar ai.

Çfarë thuhet në aktakuzën e paraqitur?

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe “të tjerë” janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, dhe se “krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara, shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato.

Gjykatësi i procedurës paraprake, francezi Nicolas Guillou, ka maksimum gjashtë muaj kohë nga data e paraqitjes së aktakuzës për ta konfirmuar ose hedhur poshtë atë, plotësisht ose pjesërisht.

Sipas njoftimit, prokurori i Specializuar e ka konsideruar të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Zemërim në Burojë
Kosovarët që u përballën me aktakuza për krime lufte

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Një tjetër shqetësim sipas Veselit, është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike. Ai ka thënë para gazetarëve se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë prokuror.

Ndërprerja e udhëtimit në Uashington, rastësi apo intrigë?!

Përndryshe, pas njoftimit të prokurorit, Hashim Thaçi ka ndërprerë udhëtimin drejt Uashingtonit ku më 27 qershor në Uashington ishte planifikuar takimi me zyrtarët serbë me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Thaçi ka thënë se nuk e di nëse kjo gjë përbën rastësi apo intrigë.

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që –në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Pas tij, edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti anuloi shkuarjen në Uashington.

Në ndërkohë, Grenell paralajmëroi ricaktimin e takimit shumë shpejt.

Loading...

Mos i humb

Ky është shteti që nuk raportoi asnjë vdekje nga koronavirusi brenda 24 orëve

Opoja.net

Policia ‘ruan’ pacientët me koronavirus nga familjarët

Opoja.net

Rëndohet situata me koronavirus, po rimbyllet Amerika

Opoja.net

A do të fillojë Kosova mjekimin e pacientëve me gjakun e të shëruarve nga COVID-19?

Opoja.net

Gjest i madh i mjekes, dhuron të hollat e haxhillëkut për luftën kundër Covid-19

Opoja.net

Dita e dytë e votimit në Maqedoninë e Veriut

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net