Një sasi e madhe e farës së grurit për mbjellje, e cila po konsiderohet si e dyshimtë ka arritur të futet në tregun e Kosovës pa asnjë problem, shkruan “Front Online”.
Ndonëse e njëjta shitet edhe nëpër dyqane në të gjithë Kosovën, askush nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Agjencia e Ushqimit e Veterinës së Kosovës (AUV), por as Dogana e Kosovës nuk kanë asnjë informatë të vetme për të.
Burime të besueshme të “Front Online” brenda Institutit Bujqësor të Kosovës kanë bërë të ditura se fara e cila po shitet në treg nuk i plotëson standardet dhe se nuk është në listën e produkteve për Mbrojtjen e Bimëve të regjistruara në MPBZHR.
Lidhur me këtë “Front Online” ka dërguar disa pyetje në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit (AUV), por edhe pas tre jave pritje nuk kanë kthyer përgjigje, e përgjigje nuk ka kthyer as Dogana e Kosovës ku “Front Online” ka kërkuar informacione për sasinë e farës që është importuar në dy vitet e fundit.
Për këtë çështje portali “Front Online” ka kërkuar informacione edhe nga Ministria e Bujqësisë, por këta të fundit përgjegjës për kontrollin e farave e kanë lënë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
“Edhe njëherë ju njoftoj se MBPZHR në kompetencën e saj ka regjistrimin e varieteteve të reja që aplikojnë për regjistrim. Ndërsa, pjesën e kontrollit të farërave për prodhim, import, eksport, tregtim është kompetencë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes inspektoratit fitosanitar kufitar dhe të brendshëm” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Sipas burimeve të portalit, me rastin në fjalë është duke hetuar edhe Njësia për Krime Ekonomike brenda Policisë së Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim zyra për informim e policisë së Kosovës ka thënë se janë duke e trajtuar informatën që kanë marrë lidhur me farën e grurit.
“Lidhur me kërkesën tuaj të mëposhtme ju njoftojmë se, Policia e Kosovës është duke e trajtuar këtë informacion” thuhet në përgjigjen e policisë.
Lidhur me këtë “Front Online” do të i’u mbajë të informuar.