Opoja.net

Trump ende i infektuar, minimizon rrezikun nga koronavirusi  

Rajoni
Trump ende i infektuar, minimizon rrezikun nga koronavirusi  

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë amerikanëve që të mos frikësohen nga koronavirusi, pasi është larguar më 5 tetor nga një spital në Uashington, në të cilin është trajtuar për tri ditë për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi. 

Ai u ka bërë thirrje amerikanëve që të mos lejojnë që ky virus të dominojë jetët e tyre dhe ka thënë se ky shtet do ta mposhtë atë me “ilaçet më të mira” dhe vaksina. 

“Unë kam mësuar shumë për koronavirusin, dhe një gjë që është e sigurt, mos e lejoni të dominojë jetën tuaj, mos u frikësoni nga ai. Ne do ta mposhtim atë”, ka thënë Trump në një video që ka publikuar në rrjetin social, Twitter, pasi është kthyer nga Shtëpia e Bardhë. 

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, ka thënë më 5 tetor se Trump vazhdon të jetë i infektuar dhe ende nuk është jashtë rrezikut, duke konfirmuar se presidenti amerikan vazhdon të trajtohet me steroidin deksametazon dhe remdesivir.

Duke folur në një konferencë për media, Conley ka cituar privatësinë kur është pyetur që të ofrojë hollësi për trajtimin e Trumpit dhe se kur është testuar ai për herë të fundit negativ për koronavirus. 

Trump ka thënë se nuk është ndjerë mirë para se të shkonte në spital më 2 tetor, mirëpo vetëm një ditë pas trajtimit spitalor, ai ka thënë se ndjehet mirë dhe se do të mund të kthehej në Shtëpi të Bardhë. 

Presidenti amerikan, i cili ka shtyrë një mori ngjarjesh pas infektimit, është zotuar se do t’iu rikthehet sërish aktiviteteve. 

Sëmundja e Trumpit jo vetëm që ka qenë goditje për fushatën e tij për zgjedhjet e 3 nëntorit, por edhe ka vënë në qendër të vëmendjes deklaratat e tij për koronavirusin – kryesisht duke minimizuar rrezikun që përbën ai – i cili ka lënë të vdekur më shumë se 210,000 amerikanë, duke përfshirë më shumë se 2,000 pacientë që kanë vdekur derisa ai ka qenë në spital. 

Rivali i Trumpit në garën për president, ish- nënpresidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk është befasuar që Trump është infektuar me koronavirus. 

Biden, që ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga transmetuesi NBC, ka thënë se gëzohet që Trump po shërohet mirëpo “ka shumë gjëra për të cilat duhet shqetësuar” 

“Deri më tani 210,000 persona kanë vdekur. Shpresoj që askush të mos marrë mesazh se nuk është problem”. 

Ai ka thënë se shpreson që Trump do të komunikojë me popullin amerikan për t’iu treguar se “maskat kanë rëndësi”. 

Biden po ashtu ka komentuar përhapjen e virusit në mesin e personave që qëndrojnë afër njëri-tjetrit, duke thënë se ai merr pjesë vazhdimisht në takime me imunologë dhe se ka dëgjuar përfundimet e tyre rreth përhapjes së koronaviursit, në mesin e njerëzve që nuk vendosin maska. 

Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë ka ardhur pasi Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, ka thënë se është infektuar me koronavirus, mirëpo nuk ka pasur simptoma. 

Disa media amerikane kanë raportuar se një numër i pjesëtarëve tjerë të stafit të Shtëpisë së Bardhë po ashtu janë infektuar me koronavirus. 

 

Një numër politikanësh dhe zyrtarësh, që kanë marrë pjesë në një ceremoni të 26 shtatorit, të organizuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nominuar gjyqtaren Amy Coney Barrett për Gjykatën Supreme, kanë treguar se janë infektuar me këtë virus. 

Shumë pjesëmarrës nuk kanë vendosur maska atë ditë dhe nuk kanë mbajtur distancën fizike. 

Përgatiti: Krenare Cubolli 

Ky pritet të jetë kabineti i Joe Biden

Opoja.net

Sot një vjet bota ndryshoi, si u paraqit rasti i parë me Covid-19

Opoja.net

Tragjedia në Zvicër: Vdes 15 vjeçari kosovar, pasi u godit nga treni

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net