Opoja.net

Turqi: 161 të vrarë, mbi 2,800 ushtarakë të arrestuar

Rajoni
Turqi: 161 të vrarë, mbi 2,800 ushtarakë të arrestuar

Pas një nate të shpërthimeve, të shtënave me armë zjarri dhe tankeve nëpër rrugët e Stambollit dhe Ankarasë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të shtunën se përpjekja për grushtshtet ka marrë fund dhe se qeveria ka kontrollin.

Televizioni CNN raporton se së paku 161 njerëz janë vrarë dhe rreth 1,440 janë plagosur në gjithë vendin.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha në një konferencë për media se situata është nën kontroll.

Ai tha se përpjekja për grushtshtet është një “njollë e zezë” në demokracinë turke.

Saktësisht 2,839 zyrtarë ushtarakë janë arrestuar, ka thënë një burim nga Zyra e presidentit turk.

Zyrtarë të qeverisë thanë se pesë gjeneralë dhe 29 kolonelë janë larguar nga postet e tyre për shkak të përfshirjes së dyshuar në përpjekjen për të rrëzuar qeverinë e Erdoganit.

Ushtruesi i detyrës së shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjenerali Umit Dundar, tha se 41 zyrtarë policorë janë në mesin e të vrarëve.

“Përpjekja për grushtshtet ka dështuar”, tha Dundar në një konferencë për media në Ankara.

Ai shtoi se ushtria është e vendosur për të eleminuar “strukturat paralele” brenda radhëve të saj.

Autoritetet detare turke raportuan se Ura e Bosforit është rihapur dhe se trafiku mbi këtë lumë strategjik i është kthyer normalitetit.

Fuqitë rajonale, Irani dhe Izraeli, kanë lëshuar deklarata, duke dënuar përpjekjen për grushtshtet. Ministri i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se ka biseduar tri herë me homologun turk dhe ka shkruar në Twitter se “grushtshtetet nuk kanë vend në rajonin tonë”.

Arabaia Saudite po ashtu tha se “mirëpret rikthimin e situatës në normalitet, nën udhëheqjen e Erdoganit”.

Komplotistët e grushtshtetit kanë përdorur tanke dhe avionë, si dhe kanë sulmuar ndërtesën e parlamentit dhe zyrën e presidentit në Ankara. Selia e shërbimit të inteligjencës turke është sulmuar po ashtu.

Në një kohë kritike gjatë dhunës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të mbështesin qeverinë e Erdoganit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo dhunë apo gjakderdhje.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se ka biseduar me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe se i ka shprehur “mbështetjen absolute” të SHBA-së për qeverinë.

Ngjashëm janë shprehur edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Liderët e BE-së, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, thanë se “nuk ka alternativë ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Erdogan dhe mbështetësit e tij kanë fajësuar klerikun mysliman, Fethullah Gulen, kundërshtar politik i presidentit, për organizimin e përpjekjes për grushtshtet. Gulen jeton në mërgim në Pensilvani të SHBA-së.

Kryeministri Yildirim tha se shtetet që mbështein Gulenin do të konsiderohen armiq të Turqisë.

Gulen, dikur aleat i Erdoganin, me shumë ndjekës në ushtrinë turke, ka mohuar çdo përfshirje, duke thënë se “qeveritë duhet të fitohen përmes procesit të zgjedhjeve të lira dhe jo me forcë”.

Turqia, anëtare e NATO-s, me popullsi prej rreth 80 milionë banorësh, ka rol kyç në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Ky pritet të jetë kabineti i Joe Biden

Opoja.net

Sot një vjet bota ndryshoi, si u paraqit rasti i parë me Covid-19

Opoja.net

Tragjedia në Zvicër: Vdes 15 vjeçari kosovar, pasi u godit nga treni

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net