Opoja.net

Vazhdojnë protestat në Shtetet e Bashkuara 

Rajoni
Vazhdojnë protestat në Shtetet e Bashkuara 

Në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar protestat për vrasjen e një afrikano-amerikani në Mineapolis, derisa shumë shtete kanë vendosur masën e shtetrrethimit për të parandaluar trazirat, dhunën dhe plaçkitjet.

Dhjetëra qytete përfshirë Nju Jorkun dhe Los Anxhelesin, po zbatojnë shtetrrethimet, ndërsa presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj guvernatorëve për të angazhuar Gardën Kombëtare një ditë pasi ai kërcënoi për ndërhyje të ushtrisë kundër trazirave dhe plaçkitjeve për vdekjen e George Floyd.

Në Uashington, automjetet e blinduara ushtarake dhe policia u pozicionuan në rrugët e qytetit.

Në Nju Jork kishte raportime për disa plaçkitje dhe dëme në prona. Policia tha se kishte bërë disa arrestime. Protestuesit kanë kundërshtuar masën e izolimit në këtë shtet.

Disa protestues ishin akoma jashtë rrugëve pas orës 19:00 të pasdites, por më pak se netët e mëparshme pasi tensionet dukej se ishin qetësuar për dallim nga një ditë më parë.

Vendimi i administratës së presidentit Trump që ushtria amerikane të luajë një rol mbështetës në ndaljen e protestave ka ngritur shqetësime për të ardhmen e ushtrisë si një institucion apolitik.

Pas kritikave në rritje, sekretari i Mbrojtjes Mark Esper më 2 qershor i dërgoi një letër personelit të Departamentit të Mbrojtjes duke i urdhëruar ata të mbeteshin “apolitikë në këto ditë të trazuara” dhe tha se Departamenti i Mbrojtjes ishte i përkushtuar për të mbrojtur të drejtën për të protestuar dhe tubim paqësor.

Çfarë ndodhi në Uashington?

Trupat e Policisë dhe Gardës Kombëtare përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të detyruar protestuesit paqësorë të largohen nga mjediset pranë Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që presidenti Trump të mund të shkonte në një kishë aty pranë. Pas kësaj vizite Trump postoi një fotografi me një Bibël në dorë.

Kisha historike kishte pësuar dëme gjatë protestave një ditë më parë, por udhëheqësja e kishës, Mariann Budde nga Dioqeza Episkopale e Uashingtonit, tha se presidenti e përdori kishën si një prapavijë për të dhënë një “mesazh në kundërshtim me mësimet e Jezusit dhe gjithçka që mbështet kisha jonë”.

Në fjalimin e tij, ish-nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden u zotua të mos “ndezë flakët e urrejtjes” nëse zgjidhet president dhe në vend të kësaj të kërkojë “të shërojë plagët racore që kanë pllakosur prej kohësh” Shtetet e Bashkuara.

Demonstratat paqësore e kanë përfshirë të gjithë vendin ditët e fundit, nga qytetet kryesore deri në qytete të vogla dhe periferike, si pjesë e fushatave më të mëdha popullore për të drejtat civile kundër dhunës policore dhe pabarazisë racore në SHBA.

Video: Policia largon protestuesit para Shtëpisë së Bardhë​

Ato po ndodhin derisa kombi amerikan mbetet i shqetësuar me pandeminë e koronavirusit dhe miliona persona të mbetur të papunë.

Të paktën 11 njerëz janë vrarë, qoftë nga policia, grabitësit ose sulmuesit e panjohur gjatë protestave. Dhjetra të tjerë janë plagosur.

Mijëra njerëz janë arrestuar gjatë javës së kaluar, duke përfshirë më shumë se 2.500 në Los Anxhelos dhe 2,000 në Nju Jork.

Në Las Vegas, një oficer policie është në gjendje kritike pasi u qëllua më 1 qershor, ndërsa në Shën Luis katër oficerë u plagosën me armë zjarri në të njëjtën natë.

Protestat, si paqësore ashtu edhe të dhunshme, kanë shfaqur gjithashtu shembuj të përsëritur të forcës së tepërt të policisë, duke theksuar edhe një herë një çështje thelbësore të kërkesës së protestuesve për reformë në polici.

Si u nxitën protestat?

Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë – njëri prej të cilëve i bëri presion me gju në qafë.

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

George Floyd më vonë ka vdekur në spital. Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi.

Katër oficerët e përfshirë në çështjen Floyd janë pushuar nga puna. Ndaj policit që shihej tek bënte presion me gju në qafën e viktimës, është ngritur kallëzim penal.

Trazirat filluan në Mineapolis dhe u përhapën në të gjithë SHBA-në që nga vdekja e Floydit më 25 maj.

Vdekja e Floyd-it është ngjarja e fundit në një seri rastesh të ngjashme të brutalitetit të policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, përfshirë shumë raste të kapura tjera të cilët kalimtarët i kanë incizuar me telefonat e tyre dhe më pas janë publikuar nga mediat.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Loading...

Mos i humb

Merkel falënderon të moshuarit për qëndresën gjatë pandemisë

Opoja.net

Të ndaluar brenda, tifozët e futbollit mblidhen jashtë stadiumit

Opoja.net

Koronavirusi në Itali, publikohen shifrat e fundit

Opoja.net

James Ker-Lindsay: Jo dialog, por marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi

Opoja.net

Koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, këto janë shifrat e fundit

Opoja.net

Ahmeti: Është koha që një shqiptar të udhëheqë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net