Opoja.net

Zhuri në krizë të ujit

Kosova
Zhuri në krizë të ujit

Sa herë që përmendet kurbeti, njerëzit jo rrallë e mendojnë Zhurin, por ky është vendbanimi rural më i madhi në Komunën e Prizrenit dhe njëri ndër fshatrat më të mëdha në Kosovë. Zhuri bën pjesë në Krahinën e Lumës. Historikisht selinë e ka pasur në Bicaj fshat afër Kukësit, bile pleqtë ende mendojnë se përsëri atje të rikthejnë duke aluduar në një përbashkim të këtyre trojeve.

Në këtë pjesë shpesh ka pasur lëvizje të kufirit dhe Zhuri nëpër faza historike shpeshherë ka qenë nën Komunën e Kukësit, por ka pas periudha që edhe Kukësi ka qenë nën Komunën e Zhurit e herë-herë ka qenë nën Komunën e Prizrenit.

“Si vendbanim është shumë i lashtë, mijëvjeçar, por sipas të dhë- nave si emër Zhur del që nga viti 1331 dhe është karakteristike se ky emër nuk ka pësuar ndryshime, ka ruajtur emrin Zhur. Zhuri shtrihet në një fushëgropë e rrethua me kodra dhe male. Është fshat i tipit të dendur me një lartësi mbidetare mesatare prej 430 m, kjo në qendër të Zhurit”, shpjegon drejtori i shkollës së Zhurit, Bedri Hoxha.

150 të rinj ikën me eksodin e fundit

Zhuri si pasuri natyrore ka gurin gëlqeror dhe drurin e tani ka mbi të gjithë atë më të dhembshmin – kurbetin. Edhe ikja e fundit e të rinjve nga Kosova këtë fshat e ka prekur dhe sipas disa shënimeve numri i të rinjve, që kanë ikur nga Zhuri kalon shifrën 150 të rinjve vetëm në eksodin e fundit.

“Zhvillimet e fundit kanë bërë që rinia të mos këtë as edhe vende pune. Kurse dikur Zhuri ka qenë kultivues i mirë i vreshtarisë, prej rrushit më të madh prodhohej lëngu i pekmezit e diku-diku edhe vera. Por, shumica e atyre arave tanimë janë zënë me banime shtëpish apo ende kanë mbetur djerrina. Druri i bjeshkës së Zhurit është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet për djegie dhe si lëndë ndërtimore (pisha e bjeshkës së Zhurit dikur përdorej në si lëndë për ndriçim -bujashka”, shprehet Hoxha.

Zhuri aktualisht e ka primatin e fshatit më të madh në Kosovë. Mirëpo, sipas kryetarit të këtij fshati, Behar Begaj, Zhuri ka mungesë të ujit të pijes dhe mungesën e kanalizimit në lagjen e re të Zhurit. Ai shton se shtëpitë ndërtohen, por mungon rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit. Begaj nga Komuna e Prizrenit kërkoi të ndihmohet ky fshat.

“Neve na duhet të kemi një infrastrukturë, sidomos lagjes së re. Sepse ajo lagje çdo ditë po shtohet, por pa infrastrukturë”.

Ai pastaj ka kërkuar që për këta banorë të bëhet një lokacion, i cili do të shërbente edhe si stacion i autobusëve.

Ruhen tradita festive të vjetra

Kryesuesi i KK të Prizrenit, Kujtim Gashi, beson se së shpejti atje do të fillojë rregullimi i infrastrukturës për këtë lagje, dhe shton se Zhuri është njëri ndër lokalitetet që ka pasur investime të shumta.

Zhuri ka rreth 1100 familje me etnitet shqiptar. Në të kaluarën ka pasur emigrim të theksuar. Edhe fshatrat si Muradëm, Vlashnja dhe Kobajë janë banorë të Zhurit, të cilët janë vendosur në ato vende dhe janë formuar si fshatra. Një lëvizje të theksuar të banorëve të Zhurit ka pasur edhe në drejtim të qytetit të Prizrenit.

Në të kaluarën zhurjanët janë marrë kryesisht me bujqësi dhe blegtori, bletari etj. Tani si burim kryesor të jetës kanë kurbetin. Kurbeti është bërë pjesë e secilës familje. Fillimet e kurbetit drejt shteteve të Perëndimit kanë filluar aty ka vitet e 70-ta. Ndërsa lëvizja më e madhe është bërë gjatë viteve të 90-ta para dhe pas luftës. Karakteristikë e kurbetit nga vitet e 90-ta është se kanë emigruar me familje. Llogaritet se në diasporë janë rreth 3500 zhurjanë. Pra, burimi kryesor i jetesës është puna e tyre dhe investimi në vendlindje. Një pjesë tjetër merren edhe me veprimtari të tjera. Zhurjanët janë ndoshta të vetmit banorë që pos punës atje në vendet evropiane bëjnë investimet në fshatin e tyre.

Hajdar Elezkurtaj shprehet për “Kosova Sot” se fshati ende i ruan dhe kremton shumë festa të vjetra, festat e motmotit, festat pagane, siç janë: Festa e pranverës “Verzet”, Shëngjergji, Jeremia etj. Dikur thuhej se Zhuri ka pasur edhe hekurudhën.

Spitali i Prizrenit prinë me numrin më të madh të pacientëve të hospitalizuar me Covid në Kosovë

Opoja.net

Banka Botërore ndan 10 milionë euro për të varfërit në Kosovë

Opoja.net

Kur mund të tërhiqen paratë? Flasin nga Trusti

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net