1 milion euro Telekomit për shtrirjen e rrjetit në veri

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Telekomit të Kosovës do t’i ndahen 1 milion euro në javët në vijim nga Qeveria e Kosovës për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka folur për projektet në të cilat do të mbështetet ndërmarrja dhe në ato që deri tash ka marrë përkrahje.

“Jemi duke shikuar të ndihmojmë Telekomin për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore, një vlerë prej rreth 1 milion euro. Do tentojmë ta bëjmë brenda javëve në vijim, kurse vitin tjetër po flasim për 13 milionë euro që do të shfrytëzohet nga Telekomi për migrimin në kodin telefonik të Kosovës nga ai i Monakos”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka thënë se Telekomi po këndellet si ndërmarrje.

“Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga 2015-a. Sot jemi para një momenti shumë më rëndësi, Telekomi është në fund të procesit të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile, apo Vala siç e njohim. Jemi në një pikë të rëndësishme, ku një obligim i përbashkët për ta përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të shtrirë shërbimet e Telekomit në të gjithë vendin është duke u realizuar”.

Ka theksuar se po punohen në zgjerimin e rrjetit në veri të vendit, duke treguar kështu, deklaroi ajo, shtrirje të sovranitetit të institucioneve.

“Falënderim për inxhinierët e teknikët që sot e kësaj dite janë duke punuar në zgjerim të rrjetit edhe në veri të vendit. Një zhvillim ky që është përtej aspektit biznesor e të shërbimit, e që është dhe i shtrirjes së sovranitetit të institucioneve dhe ndërmarrjeve tona”.

Rizvanolli ka thënë se në vitin 2023 do të fillojnë dy projekte të rëndësishme në Telekom.

“Gjatë vitit në vijim do të filloj zbatimi i dy projekteve me rëndësi, migrimi nga kodi i Monakos në kodin që Unioni i Telekomunikimit i ka dhënë Kosovës. Vala do të bëhet e Kosovës përfundimisht. Dhe do të fillojë edhe modernizimi i rrjetit, qytetarët që nga marsi do të fillojnë t;i ndjejnë përmirësimet në shërbimet e Telekomit”.

Ndërkohë, u zotua se Qeveria do t’i qëndrojë përkrah Telekomit përballë sfidave që mund t’i ketë.

Ndërkohë, Kryesuesi i Bordit, Shpëtim Dobra, ka folur për procesin e punësimit në Telekom. Ka thënë se do të fillojë nga pozitat e larta, pastaj në katër drejtoritë ku të përzgjedhurit më pas zgjedhin personat e tyre dhe këta në bashkëpunim me burimet njerëzore zgjedhin vartësit e tyre.

“Ristrukturimi i ndërmarrjes ka përfunduar, e kemi strukturën e re me përshkrim të ri të vendeve të punën në fushëveprimtarinë e secilës. Tash fillojmë popullimin e strukturës së re, duke filluar me dy pozitat më të lartë, konkursi ka qenë dhe ka përfunduar. I kemi përzgjedhur anëtarët në listën e ngushtë që do të intervistohen. Pasi të zgjedhën pozitat e larta, ata zgjedhin bartësit e vet deri të pozita më e ulët. I kemi marrë deri te grada 12, do shkojmë me konkurse për çdo vend pune. Kurse nga gradave 12 dhe më poshtë, do të ketë emërime aty ku mund të ketë emërime. Nëse ka më tepër kandidatë, do ti nënshtrohen konkursit. Sa i përket ristrukturimit kanë qenë 14 drejtori, secila ka pasur zvdrejtor, tani e tutje do të kemi katër drejtori”, ka deklaruar Dobra.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-