Opoja.net

15 vjet nga vdekja e presidentit historik Ibrahim Rugova, politikanët vlerësojnë lartë kontributin e tij për shtetësinë e Kosovës

15 vjet nga vdekja e presidentit historik Ibrahim Rugova, politikanët vlerësojnë lartë kontributin e tij për shtetësinë e Kosovës

Shumë figura politike kanë kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 15 vjetorin e vdekjes.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe presidenti historik Ibrahim Rugova.

“Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia.

“Ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjekë gjithmonë në rrugëtimin tonë politik. LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova”, shtoi Mustafa.

Kryetari i LDK-së, më tej shtoi se trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës.

Homazhe te varri i presidentit Rugova, ka bërë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj shtoi se Kosova i është mirënjohëse për kontributin e tij për liri dhe pavarësi.

“Sot nderojmë vendin ku pushon turpi i tij. Kosova është mirënjohëse për kontributin historik për lirin dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jetë i përjetshëm kujtimi për të dhe respekti”, tha Haradinaj.

Homazhe ka bërë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani së bashku me liderin e LVV-së, Albin Kurti.

“Jemi këtu për ta nderuar kujtimin e presidentit historik, njeriu që i bëri bashkë shqiptarët drejt kauzës së lirisë dhe pavarësisë, dhe njeriu që diti të ndërtojë urat më të fuqishme të miqësive me shtetet që edhe sot na qëndrojnë pranë. Themelet që ai ndërtoi do të mbesin përgjithmonë si udhërrëfyes për ne”, u shpreh Osmani.

Kurti e quajti Rugovën presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës, derisa vlerësoj punën e tij.

“Erdhëm që të vendosim një kurorë me lule të freskat te varri i presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij, qetësinë dhe durimin njerëzor”, tha Kurti.

Ku dështoi Kosova për ta siguruar vaksinën antiCOVID?

Opoja.net

Kosova, në pritje të rreth 10 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19

Opoja.net

Ky është moti për pesë ditët e ardhshme në Kosovë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net