17 raste të fruthit për më pak se një muaj në Kosovë, IKSHPK apel për vaksinim

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se 17 raste të fruthit janë regjistruar në Kosovë për më pak se një muaj, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas IKSHPK-së, rastet janë konfirmuar në periudhën nga 16 prilli deri më 20 maj.

Sipas komunave, numri më i lartë i rasteve është raportuar në Komunën e Ferizajt me gjashtë raste, në Prishtinë me katër raste, në Kaçanik me tre raste, si dhe nga një rast në komunat: Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.

IKSHPK-ja ka njoftuar se të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuara me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) dhe kanë marrë trajtim spitalor, gjë që sipas institucionit dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve që mund të shkaktojë fruthi.

“Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse. Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në bashkëpunim me institucionet shëndetësore është duke monitoruar në mënyrë aktive situatën epidemiologjike dhe mbetet në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës.

“Në terren po zbatohen masa konkrete, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinim në komunitet, veçanërisht në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit. IKSHPK rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Çdo vonesë në vaksinim rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme të sëmundjes dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar”, thuhet tutje në njoftim.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-