Nëntë vjet më parë, Kosova u pranua si anëtarja e 210-të e FIFA-s, duke marrë 141 vota pro nga 164 vota të delegatëve në Kongresin e 66-të të FIFA-s, i cili u mbajt në Meksikë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka kujtuar këtë ditë të rëndësishme përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se rrugëtimi drejt këtij suksesi ka qenë i vështirë, por i mbushur me hapa të guximshëm dhe sakrifica të shumta.
Sipas Ademit, Kosova sot është një histori suksesi në botën e futbollit.
“Ky rrugëtim nisi në rrethana të vështira, me hapa të guximshëm dhe shumë sakrificë. Nga puna vizionare e Agim Bytyqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohën e okupimit, te rezistenca e palëkundur nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, më pas mbijetesa e futbollit nën udhëheqjen e Sabri Hashanit dhe deri te periudha e lavdishme e ndërkombëtarizimit me Legjendën Fadil Vokrri në krye – të gjitha këto faza ndërtuan themelet e fuqishme mbi të cilat qëndron sot futbolli ynë. Pas nëntë vjetësh si anëtare e barabartë e familjes më të madhe të futbollit botëror, Kosova është shndërruar në një histori suksesi. Me përkrahjen e UEFA-s e FIFA-s dhe me angazhimin e palodhur të të gjitha strukturave të FFK-së, kemi arritur të zhvillojmë futbollin në të gjitha nivelet – nga grupmoshat, te futbolli i femrave, infrastruktura moderne e deri te ngritja e standardeve profesionale,” ka shkruar Ademi.
Ai ka shtuar se kjo ditë shërben gjithashtu si një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut ndër vite në zhvillimin e futbollit kosovar – futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh, administratorë, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë.
“Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme e të sinqertë ndaj vendit tonë. Jam veçanërisht i nderuar që pikërisht sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, ndodhem në Paraguai për të përfaqësuar Kosovën në Kongresin e 75-të të FIFA-s – një moment që pasqyron më së miri rrugëtimin tonë të jashtëzakonshëm dhe pozitën e merituar që kemi fituar në skenën ndërkombëtare të futbollit,” ka përfunduar Ademi.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.