Miqësia e sinqertë – mësim nga Pejgamberi a.s. dhe Ebu Bekri r.a.

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Kur Muhammedi a.s., u kthye nga Miraxhi dhe ua tregoi shokëve përjetimin e tij, jo të gjithë arritën ta pranojnë menjëherë këtë ngjarje madhështore. Dyshimi u shfaq aty ku mendja njerëzore e kishte të vështirë ta kapërcente të pamundurën. Mirëpo, në mesin e tyre u dallua një njeri, besimi i të cilit nuk u lëkund as për një çast. Ebu Bekri r.a., pa hezitim, e pranoi fjalën e Pejgamberit a.s. si të vërtetë absolute. Pikërisht ky qëndrim e vulosi atë në histori si Es-Siddik – njeriun e sinqeritetit të plotë.

Marrëdhënia mes Pejgamberit a.s. dhe Ebu Bekrit r.a. nuk ishte vetëm lidhje besimi, por miqësi e vërtetë, e ndërtuar mbi besim dhe sinqeritet. Edhe pse Pejgamberi a.s. kishte përkrahjen e Allahut xh.sh. dhe të melekëve, ai zgjodhi që në momentet më të vështira njerëzore – siç ishte hixhreti – ta kishte pranë Ebu Bekrin. Kjo dëshmon se edhe njeriu më i fortë shpirtërisht ka nevojë për një mik, për një bashkëbisedues të sinqertë dhe për një bashkudhëtar të drejtë.

Kjo na shtyn të reflektojmë sot: sa miq të tillë kemi ne? Me sa njerëz mund të flasim pa frikë, pa maska, pa pasur dyshim se do të na kuptojnë? Shpesh mendojmë se njerëzit kanë nevojë për ndihmë materiale, por harrojmë se shumë prej tyre kanë nevojë vetëm për një bisedë të sinqertë, për një përkrahje morale, sidomos në momente të vështira! Pikërisht përmes bisedës dhe kontaktit mund të kuptohet se kush ka nevojë dhe në çfarë forme.

Njëherë një shok trokiti në derën e një besimtari dhe i kërkoi t’i jepte para si borxh. Pasi ia dha paratë mikut të tij, ai u kthye në shtëpi dhe filloi të qante. Gruaja e tij e pyeti se pse ia kishte dhënë paratë nëse do të pendohej për ndihmën që i bëri. Besimtari tha: Nuk po qaj për paratë dhe as nuk po qaj për ato që i dhashë, por po qaj, si mund ta kisha lejuar të më kërkonte këtë? Si nuk e vura re se miku im ishte në nevojë dhe se unë duhej ta ndihmoja para se të më kërkonte. Çfarë lloji i mikut jam unë?!

Rrëfimi i besimtarit që qan pasi i dha hua mikut të tij, nuk është lot për paranë, por për dështimin në miqësi. Ai qan sepse nuk e kuptoi më herët dhimbjen e mikut të vet. Kjo histori na mëson se miqësia e vërtetë nuk fillon kur tjetri kërkon, por kur ne vërejmë dhe veprojmë pa u kërkuar.

Shembulli i Pejgamberit a.s. dhe Ebu Bekrit r.a. mbetet thirrje e përhershme për të ndërtuar marrëdhënie të sinqerta, ku besimi, biseda dhe ndjeshmëria për njëri-tjetrin janë themeli i çdo miqësie të vërtetë.

(Islampress)

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-