Marrja e vaksinës anti-COVID është lejuar me vendim të Qeverisë edhe për fëmijët mbi 12 vjeç. Madje vaksinimi është bërë obligues për shumë aktivitete, kjo pas rritjes së numrit enorm të rasteve.
Këtë situatë po e konsideron si një presion të madh nga Qeveria dhe me masa kërcënuese Behxhet Shala nga Këshillimi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Ai thotë se vaksinimi në Kosovë po përdoret si masë kërcënuese dhe me një karakter obligativ për qytetarët, çka sipas tij, qasja e Qeverisë është e gabuar.
“Tash kemi një situatë që ka interesim të madh për tu vaksinuar, dhe Qeveria për të dalë nga kjo situatë apo për ta menaxhuar pak më mirë, është dashur që në Prishtinë të ketë më shumë qendra vaksinimi dhe jo të caktohen terminë përmes vetëm një qendre. Te ne po përdoren masa kërcënuese dhe me qasje jo të mirë dhe reagimi është i vonuar”, tha ai.
“Edhe tek ne vaksinimi po bëhet obligativ për faktin se ajo po jepet në mënyrë kërcënuese, në masa shtrënguese, pasi ata po deklarohen se nëse nuk e keni dëshminë që jeni vaksinuar apo nuk e keni testin PCR atëherë nuk mund të hyjnë askund, pra po i kufizon të drejtën e lëvizjes, po merr karakterin obligativ nën kërcënim”, shtoi ai.
Tutje ai thotë se Qeveria Kurti ka gabuar në menaxhimin me pandeminë dhe me tërë procesin e vaksinimit pasi me një mbyllje të serishme do të “varroset” Kosova si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga ai politik.
“Qeveria Kurti e ka bë një veprim të gabuar se e ka trashëguar gjendjen me zero të infektuar dhe nuk e ka vlerësuar se si duhet ndërmarrë masa nëse shtohet numri i rasteve, dhe sa i përket procesit të vaksinimit janë mbështetur vetëm në donacione të shteteve tjera, dhe këtu edhe qytetarët kanë hezituar të marrin vaksinën. Duke shtuar këtu edhe dezinformatat për procesin e vaksinimit”, u shpreh Shala.
Shala thekson po ashtu se vaksinim të mirëfilltë nuk mund të ketë nëse nuk ka kapacitete të mjaftueshme të qendrave të vaksinimit dhe me veprime të pamenduara mirë.
“Nuk mund të kemi vaksinim masiv me një qendër kryesore të vaksinimit në Prishtinë, por edhe në qendra tjera të qytetit, sidomos tash kur interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar është më i madh. Çdo rrezikim i shëndetit është shkelje e të drejtave të njeriut, por që në ndërkohë Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë disa veprime me të cilat është munduar të zbus situatën përmes masave shtrënguese”, deklaroi ai.
Por, të njëjtën gjë nuk e mendon edhe Anton Nrecaj, njohës i rrethanave juridike, i cili thotë se çështja e vaksinimit dhe masat e ndërmarra nga Qeveria nuk mund të quhen si shkelje të drejtave të njeriut, por si një e drejtë elementare për sigurimin e mirëqenies shëndetësore.
“Çështja e vaksinimit është e drejtë individuale e secilit qytetar, i cili mendon për shëndetin e vet. Obligimi dhe detyrimi ligjor i shtetit në kuadër të kornizës ligjore që e kemi në fuqi është që të sigurojë mirëqenie shëndetësore për qytetarët, në fillim kur kishim mungesa të vaksinave kishim një shqetësim, e tani kur jemi në një fazë tjetër ku qytetarët kanë mundësi të vaksinohen nuk po e bëjnë dhe refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Nrecaj.
Ai potencon se qytetarët nuk duhet ta mendojnë si shkelje të drejtave tyre, por që ata do shkelin të drejtat e personave të tjerë nëse nuk vaksinohen, sepse tashmë Kosova është duke shkuar drejt vendeve të BE-së për një vaksinim të obligueshëm, raporton EO.
“Disa nga qytetarët po mendojnë që po u shkelet e drejta e tyre, mirëpo përkundrazi të drejtat e tyre shkelen nëse nuk sigurohen vaksinat dhe nuk ka mundësi qytetari të vaksinohet si një e drejtë elementare e tyre. Është e drejtë e qytetarit që mbi bazën e vullnetit të tij që të paraqitet për vaksinim, përderisa në disa vende të BE-së vaksinimi është i detyrueshëm, ne jemi duke shkuar asaj rruge që vaksinimi do jetë i obligueshëm”.
“Për ata që mendojnë që u është shkelur e drejta e tyre, përkundrazi ata po i shkelin të drejtat e qytetarëve të tjerë të cilët po bëjnë thirrje që të vaksinohen, si rrezik potencial i rritjes së numrit të rasteve, prandaj secili qytetar duhet të vaksinohet dhe të kryej obligimin e tij individual”, theksoi ai.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.