Qeveria e Kosovës thotë se do të ngrejë padi në GJND ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99. Njohësit e ҫështjeve juridike shprehen skeptikë nëse Kosova mund ta bëjë një gjë të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vendosur që gjatë mandatit të tij qeverisës ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës.
Këtë pikë kryeministri i Kosovës e ka përfshirë në programin e vet qeveritar duke thënë, se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.
“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar. Kryeministri Kurti tha se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.
Vuçiç: Padia kërcënim dhe as nuk duhet provuar
Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.
Madje ai i rekomandon Kosovës që mos të provojë ta bëjë një gjë të tillë”, duke e cilësuar edhe si kërcënim.
“Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, tha Vuҫiq citojnë mediet në Serbi presidentin serb.
Mundësia pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Një njohës i çështjeve juridike, Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për DW se ekziston një mundësi që pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë entitetet e caktuara mund të ngrenë padi, por të cilat paraprakisht obligohen t’iu nënshtrohen rregullave dhe procedurave të caktuara të kësaj gjykate, por gjithnjë ekziston skepticizmi për rezultat pozitiv.
“Është një deklaratë që deponohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përmes së cilës Republika e Kosovës, si shtet që nuk është anëtar i OKB-së, deklaron që e pranon autoritetin e gjykatës dhe i pranon vendimet që jepen nga GJND-ja. Këto janë raste shumë të rralla, që njihen si të tilla që statuti i gjykatës e lejon një mundësi të tillë, sikundër që edhe entitetet që kanë pozicion pak a shumë të ngjashëm si Kosova janë të rralla. Juridikisht, palë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë vetëm shtetet e pavarura dhe të cilat njëkohësisht janë pjesë e OKB-së”, thotë Afrim Hoti.
Kosova mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ngritur padi për gjenocid ndaj Serbisë, por sipas Hotit, “duhet bërë një dallim elementar ndërmjet deklarimeve politike dhe deponimit formal”, që nuk do të thotë që është përmbyllur procesi. “Ai do të mund të konsiderohet si një veprim juridik, mirëpo, për vërtetimin e ekzistimit të krimit, duhet të deponohen edhe shumë fakte të tjera për t’i pranuar gjykata”, shprehet profesori Afrim Hoti.
Shqiptarët në Kosovë e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe të sigurisë gjatë luftës së viteve 1998-1999, ku u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra të tjerë llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 1999, Kroacia kishte ngritur padi ndaj Serbisë në GJND për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995.
Në vitin 2010, Serbia kishte paraqitur një kundër-padi ndaj Kroacisë, duke thënë se rreth 200 mijë serbë etnikë janë zhvendosur, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të pretenduara prej saj.
E në vitin 2015 GJND-ja vendosi që as Serbia e as Kroacia, nuk kanë kryer gjenocid ndaj njëra tjetrës.
Ndërkaq, sa i përket rastit të Bosnjes e Hercegovinës, përkatësisht rasti Srebrenica, në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se vrasjet e rreth 8 mijë muslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid, por kjo Gjykatë u shpreh, se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por gjithashtu tha, se edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejt për këtë.
Në vitin 2017, Bosnja e Hercegovina kërkoi rishikimin e këtij vedimi por, GJND-ja e hodhi poshtë këtë kërkesë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.