AGK: Persona me maska sulmuan me gurë një ekip televiziv në Zupç

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Një ekip televiziv kosovar është sulmuar nga persona të maskuar në fshatin Zupç të Zubin Potokut derisa po raportonte nga vendi i ngjarjes për barrikadat e ngritura nga grupet kriminale serbe në veri. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit. Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok”, ka njoftuar AGK.

Sipas komunikatës, ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç.

“Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri. Andaj, AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-